Politike

Qeveria e re, shumicë femrash dhe dy ministra nga Kosova

Nga Suadela Balliu - Ajo që u vu re në emrat e rinj të kabinetit që prezantoi kryeministri Rama, ishte mbizotërimi i figurave femërore, si Besa Shahini e cila zë vendin e Lindita Nikollës në ministrisë e Arsimit, Anila Denaj vihet në krye të ministrisë së Financave duke zëvendësuar Arben Ahmetajn, Belinda Balluku emërohet në postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, mbajtur për pesë vite nga Damian Gjiknuri.  Elva Margariti do të jetë në krye të Ministrisë së Kulturës, duke zëvendësuar po një tjetër ministre jetëgjatë si Mirela Kumbaro. Kështu qeveria e re do të ketë  tetë ministre gra, ndërsa i rikthehet edhe Ministri për Marrëdhëniet me  Parlamentin, post që do ta mbajë Elisa Spiropali. Në detyrë kanë mbetur tre ministre, ajo e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Kryeminstri Rama, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, 28 dhjetor 2018.

Duke u ndalur edhe tek protesta e studentëve,  kryeministri e cilësoi  atë  një shuplakë për qeverinë. Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime “Turp, turp”, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër”, do të thoshte Rama.

Duket se protesta që zgjati më se dy javë, e lajmëruar se do të vijojë edhe gjatë janarit të 2019-ës, që kërkoi ndër të tjera edhe shkarkimin e ministren së Arsimit, Lindita Nikolla, ka marrë përgjigjen e kryeministrit, i cili për ditë me radhë u bëri thirrje të rinjve për dialog rreth tetë pikave që ata ngritën si problematikat më akute të sistemit të arsimit të lartë dhe zgjidhjen e menjëhershme të tyre.

Ministra e re e Arsimit, Besa Shahini
Ish - ministrja Lindita Nikolla dhe Besa Shahini, e cila ka shërbyer si zevendësministre e Arsimit për një vit, nga emërimi i saj, më 2017.

Besa Shahini

Vendin e Nikollës në qeverinë e re e ka zënë kosovarja Besa Shahini, e cila deri më tani ka shërbyer si zëvendësministre e Arsimit, nga tetori i 2017-ës. Shahini e diplomuar në  Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Ekonomisë, mban titullin  Profesor i Aociuar dhe është pedagoge e Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar,  pranë Fakultetit të Ekonomisë,  në Universiteti i Tiranës prej  vitit 1999.

Ministrja e re e Financave, Anila Denaj

 Anila Denaj

Ministria e Financave do të drejtohet nga Anila Denaj, e cila zëvendëson Arben Ahmetajn. Vetëm në shtator të këtij viti, Denaj do të zëvendësonte një tjetër Ahmetaj. Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit  Shëndetësor, do të emëronte Anila Denajn në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit, duke zëvendësuar drejtorin e mëparshëm Eduard Ahmetaj. Denaj ka qenë  gjithashtu anëtare e Këshillit Administrativ të Fondit, ndërkohë që zgjedhje e saj duhet të jetë bërë pas një procedure konkurrimi të hapur në bazë të kritereve të caktuara nga Këshilli Administrativ. Gjithashtu Anila Denaj ka mbajtur postin ezëvendësdrejtores së Përgjithshme të ProCredit Bank, pas një përvoje të gjatë me ketë bankë, nga viti 2001, kur Procredit Holding, njihej si Internationale Projekt Consult GmbH. Ajo ka qenë gjithashtu drejtore e përgjithshme në  ProCreditBank, në Mozambik dhe më herët ka shërbyer si lider rajonal në Pro Credit bank  të Rumanisë, për dy vite dhe në Ekuador për dhjetë muaj. Gjithashtu ka qenë konsulente  për Bordin e Menaxhimit të SME-ve në Bolivi, detyrë që e ka mbajtur për një vit. Përvoja e saj me ProCreditBank ka zgjatur deri më 2013-ën. Përpara  eksperiencës ndërkombëtare, zonja Denaj ka punuar në FEFAD Bank, qysh prej krijimit të saj, duke e nisur si specialiste kredie për të vijuar më tej, në periudhën ’99 – 2001 si zëvendësdrejtore e përgjithshme e institucionit, post që e mbajti edhe pas kthimit të saj në Shqipëri, më 2007-ën.

Gent Cakaj

Dikasteri i punëve të jashtme do të përfaqësohet nga Gent Cakaj, zëvendësministër i jashtëm i cili do të zëvendësojë  Ditmir Bushatin si ministër për Evropën dhe Punët e  Jashtme. Cakaj me formim në Filozofi ka shërbyer gjithashtu si këshilltar diplomatik i kryeministrit Edi Rama. Përpara këtyre detyrave pranë qeverisë së Shqipërisë, Gent Cakaj i lindur në Kosovë, ka punuar si konsulent për shoqërinë civile. Në jetëshkrimin e tij thuhet se është arsimuar në Kosovë, Belgjikë dhe Hungari dhe mban dy diploma bachelor dhe tre master në Filozofi, Shkenca Politike dhe Drejtësi.

Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Belinda Balluku

Çështjet e  Energjisë dhe Infrastrukturës,  do t’i marrë në dorë një grua. Belinda Balluku është ministrja e re, që zëvendëson Damian Gjiknurin e që deri më tani ka mbajtur detyrën e Drejtores së Përgjithshme e ALBCONTROL, e njohur më parë si Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror (ANTA), një ndër shoqëritë aksionere me kapital shtetëror, më të rëndësishme në vend. Kjo agjenci është drejtuar nga Balluku prej vitit 2013, e cila do ta lërë tashmë këtë detyrë për atë të ministres. Para 2013-ës, Balluku ka qenë këshilltare e drejtorit të Përgjithshëm të ANTA-s. Balluku ka shërbyer si drejtore e kabinetit të Bashkisë së  Tiranës, në kohën kur kryebashkiak ishte Edi Rama, një post të cilin e ka mbajtur për shtatë vite.

Ministri i ri i Bujqësisë, Bledi Çuçi

Bledi Çuçi

Rikthehet në qeveri  për t’u emëruar ministër i Bujqësisë, post i mbajtur deri tani nga Niko Peleshi. Me një formim në fushën e drejtësisë – i diplomuar në  Universitetin e Tiranës më 1995 – dhe në menaxhim – me një master nga universiteti Hasselt në Belgjikë – Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese, si kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 2000 -2001,  këshilltar i ministrit, dre­jtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri në fund të vitit 2005. Gjatë kësaj kohe ka qenë edhe përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Strasburg, anëtar i Grupit Ne­gociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Mar­rëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, në periudhën 2003 – 2006 . Gjatë viteve 2006 - 2010, ai ka punuar si ekspert i pavarur për çështje të administratës publike, të re­formës në drejtësi dhe të kuadrit ligjor për biznesin në programe të financuara nga USAID, Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DfID), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvil­lim (UNDP) dhe BE-së Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet 2010 - 2011, Çuçi ka qenë Drejtori Ekzekutiv i Sho­qatës për Autonominë Vendore. Në vitet 2011 - 2012, Çuçi ishte ekspert i PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe më pas, ministër në qeverinë “Rama 1”.

Elva Margariti, ministre e Kulturës

Elva Margariti

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga arkitektja Elva Margariti, e cila ka qenë deri më tani edhe  koordinatorja kombëtare e programit “100 Fshatra’, një projekt që bëri bashkë katër ministri: atë të Infrastrukturës, Bujqësisë, Turizmit dhe Kulturës, për investime në bujqësi, turizëm, infrastrukturë dhe kulturë. Margariti është diplomuar për Arkitekturë në Università degli Studi, në Firence të Italisë dhe ka punuar si arkitekte në disa kompani të huaja si Lumen apo Anzillotti Assocati. E ftuar në një nga puntatat e emisionit “Opinion” në Televizonin Klan, ku diskutohej çështja e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, ligji për shembjen e së cilës u miratuar para pak muajsh nga Parlamenti shqiptar, Margariti do të shprehej se për teknikat e ndërtimit të përdorura në fillim vitet ’40, kur edhe godina u ndërtua nga qeveria italiane, e kanë bërë që struktura të ketë vështirësi të mëdha, pasi sipas saj ishte menduar të jetonte rreth pesëmbëdhjetë vite si godinë.  Duket se në postin e ministres do ta hasë sërish këtë çështje, sepse edhe me miratimin e ligjit, komuniteti i aktorëve, regjisorëve dhe shoqërisë civile kundër shembjes së tij i vijon protestat në sheshin e godinës së teatrit.

Ministri për Sipërmarrjen. Eduard Shalsi
Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PS, Eduard Shalsi, tanimë ministër për Sipërmarrjen.

Eduard Shalsi

Ministrja për Sipërmarrjen Sonila Qato do të zëvendësohet nga Eduard Shalsi, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Qarku Berat.Ai u zgjodh për herë të parë deputet për Qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Me një formim akademik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Shalsi do të arrinte kulmin e profilit të tij politik si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, gjatë kohës kur kjo drejtohej nga Edi Rama.

Përpara se të emërohej nënkryetar, Shalsi  shërbeu si Shef Kabineti i Kryetarit të Bashkisë, nga viti 2004. Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, nënkryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, anëtar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, anëtar i Komisionit të Asociim-Stabilizimit BE-Shqipëri.

zv/kryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe

Erion Braçe

Një emër i njohur i Partisë Socialiste si Erion Braçe, me një karrierë të gjatë si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, por pa mbajtur poste ministrore deri më tani, është emëruar si zëvendëskryeministër, duke zëvendësuar Senida Mesin. Braçe, i diplomuar për Financë në Universitetin e  Tiranës,  ka punuar për një periudhë thuajse dhjetëvjeçare si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, organ i Partisë Socialiste dhe më pas si kryeredaktor i saj. Braçe është zgjedhur deputet në gjashtë legjislatura dhe ka qenë anëtar i disa komisioneve parlamentare si ai Ekonominë, Financën dhe Privatizimin dhe Komisionit Hetimor për Çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Elisa Spiropali, ministre e Parlamentit

Elisa Spiropali

Kryeministri Rama, ka bërë gjithashtu të ditur gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, se kabinetit qeveritar i rikthehet Ministri i  Parlamentit, post që do të mbahet nga Elisa Spiropali, deputete e Parlamentit të Shqipërisë, e cila më herët ka shërbyer si Drejtore e Përgjithshme e Doganave, post që e mbajti për dy vite, nga 2013 deri më 2015-ën. Me shkollim në Kanada, ku kreu fillimisht gjimnazin dhe më pas në ShBA për studimet universitare në Ekonomi, Spiropali u anëtarësua në radhët  e Partisë Socialiste në vitin  2009, vit kur edhe kandidoi për deputete. Ka qenë  Anëtare e Asamblesë Kombëtare, Kryetare e  Forumit Rinor Eurosocialist, këshilltare në Bashkinë Tiranë dhe  Sekretare Për Rininë,  në Kryesinë e Partisë Socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë