Shkencë

Qentë mund të ‘shohin’ me hundën e tyre

Qentë mund të përdorin hundën e tyre shumë të ndjeshme për të 'shikuar' si dhe për të nuhatur, tregon një studim i ri.

Studiuesit kanë zbuluar një 'rrugë' në trurin e qenve shtëpiakë që lidh zonat që trajtojnë erën dhe shikimin.

Kjo i lejon qentë të kenë një sens të jashtëzakonshëm drejtimi dhe vetëdijeje edhe kur ata nuk mund të shohin, çka shpjegon se si disa qen të verbër munden të luajnë.

Ndjesia e fortë e nuhatjes mund t'i ndihmojë qentë të zbulojnë dhe të dallojnë objekte dhe pengesa të ndryshme, edhe nëse janë të verbër.

Studimi i ri ofron provat e para se ndjenja e nuhatjes së qenve është e integruar me shikimin e tyre dhe pjesë të tjera unike të trurit.

"Ne kurrë nuk e kemi parë këtë lidhje midis hundës dhe lobit okupital të trurit në asnjë specie”, tha autori i studimit Pip Johnson, pedagoge e shkencës në Universitetin Cornell në Ithaca, Nju Jork.

Kur hyjmë në një dhomë, ne kryesisht përdorim vizionin tonë për të përcaktuar se ku është dera, kush është në dhomë, ku është tavolina.

“Ndërsa te qentë, ky studim tregon se nuhatja është vërtet e integruar me vizionin për sa i përket mënyrës se si ata mësojnë rreth mjedisit të tyre dhe orientohen në të”.

Hulumtimi i ri vërteton përvojat klinike të Johnson me qentë e verbër, të cilët funksionojnë jashtëzakonisht mirë pavarësisht se nuk janë në gjendje të shohin.

Qentë mund të shohin me hundën e tyre.

Megjithatë, se si saktësisht qentë e verbër përdorin erën për të parë objektet nuk është kuptuar ende.

“Veterinarët kanë pyetur prej kohësh se si qentë me verbëri të plotë kanë lëvizur kaq mirë në mjedisin e tyre, madje edhe në mjedise të huaja dhe të reja”, tha ajo.

Eileen Jenkin, një veterinere në Huntsville Veterinary Specialists & Emergency në Alabama, e cila nuk ishte pjesë e studimit, i përshkroi gjetjet e reja si 'të mrekullueshme'.

“Ka pasur shumë njerëz që thonin se kjo lidhje ekzistonte, bazuar në sjelljen e qenve të trajnuar, por askush nuk ka qenë në gjendje ta vërtetojë atë”, tha ajo.

Për studimin, ekipi kreu skanime MRI në trurin e 23 qenve për të krijuar 'harta' dixhitale 3D.

"Ky është dokumentacioni i parë i një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis nuhatjes dhe lobit okupital në çdo specie dhe është një hap drejt të kuptuarit të mëtejshëm se si qeni integron stimujt e nuhatjes në funksionin e tyre njohës", thotë ekipi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë