A është më mirë të ngrihesh herët apo të flesh? Të pish një ekspres apo të kënaqesh me një çaj? Studimet kanë treguar se ritualet e mëngjesit kanë një rol shumë të madh në vijimësinë e ditës.
Nga Marcus Aurelius te Ludwig van Beethoven, njerëzit më me ndikim kanë krijuar rutina të mëngjesit që i kanë ndihmuar në produktivitetin e tyre.
Marcus Aurelius e urrente alarmin e mëngjesit
Marcus Aurelius, perandori i Romës, një nga perandoritë më me ndikim në histori, ishte një filozof stoik që ndoqi një jetë strikte ku promovohej mençuria, drejtësia dhe guximi.
Marcus Aurelius ka folur për mënyrat se si mund të punohet në vetëpërmirësim dhe një pikë kryesore është rutina e mëngjesit.
Siç vërejti biografi Frank McLynn, “Marcus ishte një gjumash që urrente të ngrihej nga shtrati në mëngjes, një ‘gabim’ serioz në kulturën e Romës, ku njerëzit e konsideronin si një virtyt të zgjohesh herët”.
Si rezultat, Marcus Aurelius bëri një përpjekje për t’u ngritur herët në mëngjes.
“Në mëngjes kur ngrihesh pa dëshirë, mendo se po ngrihesh për të bërë punë si një qenie njerëzore”. Ai e përdori këtë motivim për të nisur me shpejtësi ditën e tij, e jo të qëndrojë shtrirë në krevat.
Ky ishte hapi i parë për të bërë punën dhe për të jetuar një ditë të virtytshme.
Planifikoni ditën si Benjamin Franklin
Benjamin Franklin mund të mos ketë qenë një perandor romak, por u ndesh me të njëjtën pyetje si Marcus Aurelius: Si mund të kesh një ditë produktive?
Franklin kishte listën e tij të virtyteve: maturi, heshtje, rregull, vendosmëri, kursim, sinqeritet, drejtësi, pastërti, qetësi, dëlirësi dhe përulësi.
Ai besonte se veprimet flisnin më fort se fjalët, kështu që Franklin nuk donte vetëm t’i miratonte këto virtyte. Ai donte t’i praktikonte ato përmes zakoneve të përditshme. Për ta bërë këtë, Franklin planifikoi ditën e tij orë pas ore.
Ai ngrihej nga shtrati në orën 5:00 të mëngjesit dhe i kalonte tre orët e ardhshme duke u larë, duke ngrënë mëngjes, duke planifikuar ditën dhe duke menduar një pyetje kyçe: “Çfarë të mire do të bëj këtë ditë?”
Një tjetër nga ritualet e tij të mëngjesit ishte ulja nudo për të paktën gjysmë ore. Në një letër të vitit 1768 drejtuar mjekut francez Jacques Barbeu-Dubourg, Franklin e përshkroi praktikën e të ndenjurit në ajër të ftohtë si “një banjë” të cilën ai e preferonte më shumë se një dush me ujë të ftohtë.
Georgia O’Keeffe e gjeti frymëzimin në shëtitjet në natyrë
Ashtu si Marcus Aurelius dhe Benjamin Franklin, artistja Georgia O’Keeffe ishte për një zgjim herët. “Më pëlqen të ngrihem kur të vijë agimi”, tha ajo për revistën Life në 1968.
Megjithëse O’Keeffe preferonte të “ulej në shtrat dhe të shikonte diellin duke dalë”, ajo nuk qëndronte gjatë kështu. Ajo ndonjëherë i niste ditët e saj me një shëtitje në mëngjes rreth Ghost Ranch, shtëpinë e saj jashtë Abiquiu, New Mexico. Herë-herë, ajo shikonte dhe shumë gjarpërinj por kjo nuk e ndalonte të dilte në shëtitje në mëngjes, e shpesh edhe në mbrëmje.
Por pavarësisht se në cilën orë të ditës e bënte, shëtitja në natyrë duket se ka qenë një pjesë thelbësore e procesit të saj artistik. Papastërtia nën këmbët e saj dhe qielli e frymëzuan shumë piktoren.
“Të gjitha ngjyrat e tokës të paletës së piktorit janë në natyrë”, shkroi ajo në një katalog ekspozite në vitin 1939. O’Keeffe madje mblidhte gurë në shëtitjet e saj, që e frymëzonin në pikturat e saj.
Beethoven e niste ditën me një pije
E konsumuar prej kohësh në Lindjen e Mesme, kafeja nuk u bë e njohur në Evropë deri në shekujt 17 dhe 18. Shumë shpejt ajo u bë një pije e dashur e mëngjesit, megjithëse një pije gjithnjë e më e shtrenjtë. Në fillim të shekullit të 19-të në Vjenë, një filxhan kafe kushtonte afërsisht njësoj sa gjysmë kile mish viçi.
Kompozitori gjerman Ludwig van Beethoven e çmonte aq shumë kafen e tij të mëngjesit, saqë e bënte atë në të njëjtën mënyrë çdo ditë, madje shkoi aq larg sa mati saktësisht 60 kokrra, as më shumë, as më pak për t’i bluar.
Burimi: National Geographic. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.