Drejtësia

Ilir Meta, letër kreut të SPAK: Të publikohet kontrata e lobimit të LSI në SHBA

Gazeta Si – Në një letër të dërguar nga qelia këtë të hënë kreut të SPAK, Klodian Braho, ish-presidenti Ilir Meta kërkon publikimin e kontratës së lobimit të LSI-së në SHBA, duke pretenduar se mbajtja sekret e dokumenteve po i pamundëson mbrojtjen në gjykatë.

Meta akuzon SPAK-un për shkelje procedurale dhe ndikim politik në hetimet ndaj tij. Ai kërkon që të mos ketë asnjë kërkesë të re ndaj autoriteteve amerikane për shtyrjen e afatit të mosbërjes publike të dokumenteve që lidhen me kontratën mes LSI-së dhe kompanisë GSIS.

Sipas Metës, afati i vendosur nga gjykata amerikane përfundon më 23 qershor 2026 dhe çdo zgjatje tjetër do të dëmtonte procesin e mbrojtjes së tij.

Ish-presidenti pretendon se kontrata e vitit 2016 është regjistruar sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane e nuk përmban asnjë element që cenon sigurinë kombëtare.

Në letër, Meta akuzon edhe qeverinë shqiptare për ndërhyrje politike në çështjen ndaj tij dhe pretendon se arrestimi i tij është kërkuar publikisht nga kryeministri.

“Mundësia e parë, është që persona të caktuar në LSI të kenë bërë veprime të parregullta pa dijeninë e Ilir Metës dhe përmes bllokadës të transparencës janë marrë në mbrojtje nga prokurorët e çështjes për interesa politike të partisë në pushtet për zgjedhjet e 11 majit 2025. Mundësia e dytë, është që Marrëveshja e 3 shkurtit 2016 të jetë modifikuar (ndryshuar) me pëlqimin e të dy palëve, por absolutisht në padijeni të Ilir Metës dhe prandaj synohet të mbahet e fshehtë ajo dhe nënshkruesit potencialë të saj”, – shkruan Meta.

Ai përmend gjithashtu ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se ai është përdorur për të goditur opozitën shqiptare. Në fund të letrës, Meta kërkon transparencë të plotë dhe hetim të bazuar vetëm mbi prova të ligjshme.

Për këtë letër ka vënë në dijeni ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të deleguarën e ambasadës amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, Departamentin e Drejtësisë në SHBA, Kongresin e Senatin Amerikan, si dhe trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë