Drejtësia

Armë, euro dhe qitje në natyrë, SPAK merr të pandehur 3 anëtarë të grupit “Bajri” (foto)

Gazeta Si – Disa fotografi me armë zjarri, parà dhe qitje në fushë të hapur, kanë bindur SPAK-un të marrë të pandehur 3 anëtarë të dyshuar të grupit “Bajri” në Shkodër: Izmir Sakicaj, Samuel Troshani e Franko Leka.

Tre të rinjtë kishin shkuar për të vrarë Aleksandër Prendin në fshatin Rranxë të Bushatit më 23 gusht 2024, ku shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë prishja e pazareve të drogës, por mes dy grupeve pati një përplasje me armë zjarri.

Sipas burimeve, nga sekuestrimi i celularit të Izmir Sakicës, janë gjetur disa foto dhe video me armë të kalibrave të ndryshëm, automjete të blinduara dhe sasi të mëdha parash, për të cilat dyshohet se mund të lidhen me aktivitetin kriminal.

Në telefon janë gjetur filmime të Sakicës dhe personave të tjerë duke bërë qitje me armë zjarri në zonë në pabanuar.

SPAK ka ngritur akuzat për vrasje në rrethana cilësuese, të mbetur në tentativë, sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes dhe armëmbajtje pa leje, të gjitha në kuadër të grupit kriminal.

Ndërkohë, edhe Aleksandër Prendi akuzohet për vrasje në tentativë, i cili së bashku me Franko Lekën vazhdojnë të jenë në kërkim nga policia.

Sipas hetimeve, Sakica, Troshani dhe Leka, të cilët dyshohen si anëtarë të grupit “Bajri”, së bashku me persona të tjerë me makina të blinduara, u nisën drejt Bushatit për të sulmuar familjen Prendi.

Por sapo mbërritën në Bushat, Aleksandër Prendi i pikasi dhe hapi zjarr ndaj makinave të blinduara. SPAK thotë se në vendngjarje pati shkëmbim zjarri mes palëve pasi u sekuestruan gëzhoja të ndryshme, ndërsa ende nuk është zbardhur shkaku i përplasjes së armatosur.

Për këtë ngjarje, në burg ndodhen vetëm Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët zgjodhën të vetëdorëzohen në polici, pasi ishin në kërkim për një sherr të ndodhur në Shkodër.

Sipas burimeve hetimore nga dosja e SPAK, thuhet se në vendngjarje janë gjetur 3 automjete luksoze të dëmtuara.

Një ‘Audi’ i blinduar me ngjyrë blu të errët dhe me targa gjermane SWAG276 është dëmtuar si pasojë e të shtënave me armë. Rezulton se ky automjet është përdorur nga Izmir Sakicaj.

Një tjetër ‘Audi A8’ i blinduar ngjyrë e zezë me targë AA021RU, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në pronësi të Franko Lekës.

Ky mjet është larguar prej këtij të fundit nga vendi i ngjarjes drejt një servisi në pronësi të T.E., ku është edhe sekuestruar si provë materiale.

Në afërsi të vendit të ngjarjes, është gjetur gjithashtu dhe një automjet tip ‘BMW’ ngjyrë e bardhë, me targë AB216LL.

Nga këqyrja e këtij mjeti, janë evidentuar 4 dëmtime të njëpasnjëshme në derën e pasme të anës së djathtë të mjetit, si ato të shkaktuara nga armët e zjarrit dhe një dëmtim në derën e shoferit, që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë përplasje fizike më një mjet të fortë.

Ky automjet rezulton në pronësi të M.Gj.Q., i cili ka deklaruar në polici se ia kishte dhënë me qira Aleksandër Prendit.

Në vendngjarje, nga hetimet rezulton se ka qenë dhe një mjet i blinduar tip “Mercedes Benz S600” me targë AB857LV, i cili është konstatuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me makinën “Audi A8” me targa AA021RU dhe është ndaluar nga policia në datën 03.09.2024, nën drejtimin e Safet Bajrit. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë gjetur në distanca të ndryshme 34 gëzhoja të qitura nga 2 armë të ndryshme zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë