Gazeta Si – Anxhelo Kumaraku, një polic 30-vjeçar, u plagos akidentalisht me armë zjarri pas mesnatës së mbrëmshme në zonën e Shkozës në Tiranë. Ai mori plagë në këmbë dhe u mjekua në spital, ku është jashtë rrezikut për jetën.
Në momentin e ngjarjes, polici ndodhej nën shoqërinë e fqinjit të tij, Klejdi Spaja, i cili ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë, e cila ka zbardhur dinamikën e ngjarjes, fqinji dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit, pasi muaj më parë kishte dhunuar 2 vëllezërit, Aldo dhe Ali Lika, respektivisht 33 dhe 22 vjeç.
Këta të fundit, kishin konflikte me fqinjin e policit për shkak të një borxhi mes tyre. Ka qenë Ali Lika, ai i cili ka qëlluar më armë, ndërsa policia ka shpallur në kërkim të dy vëllezërit.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se dy vëllezërit kanë qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tyre, në drejtim të Spajës, i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me Kumarakun.
Mësohet se pak muaj më parë për shkak të këtij konflikti, 31-vjeçari, fqinj i policit, i ka dhunuar dy vëllezërit dhe në shenjë hakmarrje ata dyshohet se kanë tentuar ta qëllojnë mbrëmjen e të dielës me armë, por plumbat kapën policin.
Gjatë deklarimeve që ky i fundit ka dhënë para hetuesve, ka pohuar se nuk kishte njoftuar se fqinji i tij kishte thyer masën e sigurisë dhe ndodheshin në një rrugicë pranë shtëpisë, pasi me të njihej që në fëmijëri. Pas ngjarjes, ai u pezullua nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim disiplinor nga AMP.
Nga ana tjetër, Kejdi Spaja, i cili dyshohet se ishte shënjestra e vërtetë e vëllezërve Lika, u arrestua në janar të këtij viti.
Sipas njoftimit të asaj periudhe, ai është kapur nga forcat “Shqiponja” në bulevardin “Zhan d’Ark” në kryeqytet për armëmbajtje pa leje.
Spajës i është sekuestruar pistoleta dhe municioni. Veç tij, edhe shoferi i mjetit “Audi”, ku Spaja ndodhej, një 51-vjeçar, u vu nën hetim për “moskallëzim krimi”.
Policia njofton se po vijon kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorëve të dyshuar, Aldo dhe Ali Lika.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje