SPAK këtë të premte ka njoftuar se ka goditur një grup kriminal të trafikimit të heroinës në Danimarkë dhe Shqipëri, përmes Suedisë, ku janë lëshuar dy masa arresti.
Pas kërkesës së SPAK, GJKKO ka vendosur masa sigurie për Ermal dhe Marsel Liçaj, të cilët akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”; si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjithçka ka nisur në gusht të vitit 2023, kur autoritetet daneze kanë regjistruar procedimin e koduar “Operacioni Bacchus”, pas dyshimeve për aktivitet kriminal të një grupi shqiptarësh dhe shtetasish të huaj të përfshirë në trafik ndërkombëtar heroine.
Mësohet se, përgjatë periudhës tetor 2023 – janar 2024, Ermal dhe Marsel Liçaj kanë futur në territorin danez heroinë përmes Suedisë, e cila më pas është shpërndarë në shtetin nordik.
Ndërsa SPAK thekson se vijon puna për zbardhjen e episodeve të tjera ku janë përfshirë dy shqiptarët dhe personat e tjerë që mund të kenë lidhje me grupin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje