Njerez

Qëndrimet/ Komuniteti mysliman pro vaksinimit, por jo atij të detyrueshëm

Besimi fetar po “jeton” në një tjetër kohë dhe mentalitet sa i përket procesit të vaksinimit.

Drejtuesit e besimeve fetare në vend po mbajnë qëndrim të favorshëm ndaj vaksinimit edhe pse në thelb ata i mbeten parimit se mbi të gjitha prevalon e drejta e individit.

Që do të thotë se gjithkush ka të drejtë që të vendosë vetë nëse duhet të vaksinohet apo jo.  

Ndaj dhe kur bëhet fjalë për vaksinimin e detyrueshëm, thirrja e komuniteteve fetare ndryshon.

Gazetasi.al ka kontaktuar me drejtues të komunitetit fetar mysliman, lidhur me qëndrimin që ata kanë ndaj vaksinimit dhe më tej debatit nëse duhet të bëhet i detyrueshëm apo jo.     

Tauland Bica, Nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nënvizon se vaksinimi është një mënyrë për të parandaluar të keqen, por ai nuk duhet të jetë i detyruar.

“Ne jemi të urdhëruar fetarisht që duhet të përmbushim të gjitha shkaqet për parandalimin e diçkaje të keqe dhe më pas përfundimin ja lejmë caktimit të Zotit.

Falë Zotit, mjekësia e sotme u mundua të bëji më të mirën e mundshme (të paktën ashtu shpresojmë) për nxjerrjen e një vaksine, e cila sadopak të ndihmoi në lehtësimin e kësaj situate.

Duke u nisur nga kjo ne si Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i inkurajojmë besimtarët që të përfitojnë nga mundësitë e vaksinimit të hapur për të gjithë, të bëjnë vaksinën dhe në këtë mënyrë të kenë kryer detyrën e tyre për të përmbushur shkaqet në mos prekjen nga virusi ose kalimin e tij në një mënyrë të lehtë.”, shprehet ai për Gazetasi.al, ndërsa thekson megjithatë se njerëzit duhet të jenë përgjegjës për jetën e tyre dhe kanë të drejtën të zgjedhin mbi vendimet personale.

“Por nga ana tjetër ne nuk mendojmë se vaksinimi duhet të jetë i detyruar. Në fund të fundit çdo njeri është përgjegjës për jetën e tij dhe ka të drejtën të zgjedh mbi vendimet personale.

Uroj që çdo shqiptarë të jetë i vetëdijshëm në atë çka zgjedh por njëkohësisht uroj që të zgjedhin vaksinimin.  Zoti e din më së miri!”, përfundon Bica.

Të njëjtin mendim me nënkryetarin e Komunitetit Mysliman ndan edhe Ali Zaimi, Drejtor i Medresesë së Tiranës.

“Sigurisht që jemi pro vaksinimit dhe të gjitha masave në funksion të mbrojtjes së shëndetit. Jemi pro vaksinimit që të përmbushim detyrimin që kemi ndaj ruajtjes së shëndetit tonë, të të afërmve dhe të mbarë komunitetit.  Aktualisht, situata e atyre që janë prekur dhe e kanë kaluar Covid 19 duket disi e paqartë nëse është më mirë ta bëjnë apo jo, ka konfuzion në lidhje me këtë, por përtej kësaj mendoj se duhet bërë vaksina. Por nuk mendoj që vaksina të bëhet me detyrim, sepse bie ndesh me shumë të drejta, por në vend të detyrimit duhet rritur sensibilizimi për efektet që ka vaksina.”, - thotë Zaimi.

Edvin Cami, besimtar mysliman shprehet se vendimi për ta bërë të detyruar apo jo vaksinimin kundër SARS-CoV2, edhe pse do të mbështetet në gjetje shkencore, do të jetë gjithsesi një vendim politik.

“Unë jam i mendimit se në këtë rast duhet respektuar si karakteri subjektiv i përfundimeve shkencore dhe debati mjekësor, ashtu edhe shqetësimi legjitim për vendimet politike që u japin qeverive kompetenca për të vendosur mbi jetën e qytetarëve. Pra, gjykoj se si për arsye shkencore, ashtu edhe politike, vaksinimi i popullatës duhet të mbetet i rekomanduar, i këshilluar, por jo i detyruar.”, thotë ai për Gazetasi.al.

Ai komenton se edhe qytetarët që protestojnë në vende të ndryshme kundër vendimeve të qeverive lidhur me karantinën dhe vaksinimin, nuk duhen trajtuar të gjithë si “mohues të Koronës” e si “konspiracionistë”, “por duhet vënë re se shumë prej protestave në rang global janë të orientuara më së shumti në mbrojtjen e lirive dhe në qëndrimin kundër zgjerimit të kompetencave të qeverive dhe jo medoemos në nënvlerësimin e situatës së krijuar nga prania e gjatë e virusit.”

Të njëjtin mendim me të ndan edhe Roald Hysa, Sekretar i Forumit Mysliman të Shqipërisë. Ai madje shton se në rastin e COVID19 ideja e vaksinimit po keqpërdoret.

“Në parim nuk jemi kundër parimit të vaksinimit, i cili në vetvete i ndihmon njerëzit të ruhen nga sëmundje të ndryshme. Mirëpo me rastin e fundit ne po shohim që rregullisht po keqpërdoret ideja e vaksinimit dhe e rritjes së masave të sigurisë ndaj Covid-19. Duke lënë mënjanë trajtimin shëndetësor, i cili i përket mjekëve profesioniste vërejmë, se ashpërsimi i masave karantinuese nuk e ndali aspak përhapjen e kësaj sëmundje ngjitëse në shkallë globale. Për pasojë të këtyre masave shtrënguese ekonomia botërore dhe në veçanti ato lokale si të vendit tonë po e vuajnë shumë akoma këtë mbyllje.

Turizmi që është një nga industritë me të ardhura të bollshme për vendin tonë po e vuan këtë gjë megjithëse ka një hapje. Lëvizja e lirë e njerëzve po kushtëzohet gjerësisht dhe kjo ka sjellë dëme të mëdha të pariparueshme. Shteti nuk mund të mbajë vazhdimisht përgjegjësitë individuale njerëzore dhe të ndalojë një nga liritë më themelore, atë të lëvizjes së lirë. Ne jemi që njerëzit duhet ta zgjedhin vetë lirisht këtë gjë, prandaj edhe vaksinimi nuk mund të kthehet në një detyrim, kur dihet shumë mirë se strukturat tona lokale shëndetësore mund të lëshojnë lehtësisht pasaporta vaksinash për pak para.”, thekson Hysa për Gazetasi.al

Ndërsa Hysni Gurra nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se është pro vaksinimit, por se nuk mund t’i përgjigjet pyetjes nëse vaksinimi duhet të bëhet me detyrim apo jo.

“Procesi i vaksinimit, aq sa ndjekim nga media dhe raportimi i autoriteteve përkatëse është duke ecur me ritme të kënaqshme. Domosdoshmëri apo nevojë? Kjo u përket ekspertëve të shëndetit për të përcaktuar më me saktësi. Gjithsesi është e nevojshme që të ndiqen modelet e vendeve europiane dhe me gjerë në këtë drejtim, ku dihet se në shumë shtete popullsitë po vaksinohen masivisht. Edhe vendi ynë në këtë kuptim nuk mund të bëjë përjashtime.

Që t’i përgjigjesh pyetje me detyrim apo me dëshirë, duhet të jesh njohës shumë i mirë i shkencës së mjekësisë. Sa kohë nuk jemi ekspertë të kësaj fushe duhet të dëgjojmë zërin e tyre dhe në bazë të saj duhet të veprojmë. Kjo temë është akoma në diskutim e sipër edhe në vende të zhvilluara si SHBA, Francë, Gjermani etj. Pra, do të ishte guxim i madh një mendim i prerë për këtë pyetje.”,- , shprehet Gurra për Gazetasi.al

Të njëjtin mendim me të duket se ndan edhe Dorian Demetja.

“Mendimi im personal është që jam pro vaksinimit, sepse për të mirën e shoqërisë është. Pastaj, përsa i përket detyrimit të vaksinimit, këtë e dinë më mirë autoritetet shëndetësore, nëse është me të vërtetë e nevojshme apo jo. Por si kriter është e rëndësishme që të shikohen prioritetet dhe rrethanat në secilin shtet”, nënvizon ai për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë