Treg

Pse tezgat në Tiranë janë të mbushura me fruta-perime importi ndërsa fermerët shqiptarë po flakin prodhimet?

Nga Gazeta ‘Si’ - Ndërsa fermerët e serave po hedhin në kanalet e vaditjes prodhimet e tyre, tezgat e fruta-perimeve në Tiranë janë mbushur me produkte importi më shumë se çdo herë tjetër.

Patatet, fasulet dhe qepët nga Turqia apo Kazakistani po konkurrojnë ndjeshëm produktet e Korçës.

Edhe pse në fakt ky fenomen është vënë re që prej vitit të kaluar, bilanci tregtar në prodhimet e fushës u përkeqësua më shumë këtë janar ku importet e zarzavateve u rritën me 80% në krahasim me janarin e vitit të shkuar. Rritje me 49% patën edhe frutat.

Sipas ekspertëve të bujqësisë rritja e peshës së importeve ka ardhur për dy arsye kryesore.

Së pari, kostot vendase po i bëjnë produktet jokonkurruese me importin. Një kilogram fasule Korçe u tregtua me 500 lekë për kilogram ndërsa ajo e importuar u shit 200 lekë më lirë.

“Prodhuesit e vegjël vendas kanë më pak fuqi negociuese në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë ose shitësit me pakicë dhe kjo rezulton në marzhe më të ulëta fitimi për produktet e tyre në krahasim me furnizuesit më të mëdhenj”, deklaron Ilir Pilku, ekspert bujqësie.

Shpesh, çmimet e importit nuk janë shumë elastike, pasi zhvillimet në vend kanë treguar se, ndryshimi me ulje i çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet.

Kështu, tregtarët po përfitojnë nga kjo situatë e cila nga ana tjetër po dekurajon bujqërit vendas.

Së dyti, një arsye tjetër është dhe numri i lartë i turistëve të cilët vitin e shkuar rritën kërkesën ushqimore për produkte vendase duke boshatisur magazinat në dimër. Nga hotelet pati një kërkesë të pazakontë si për zarzavatet ashtu edhe për frutat duke qenë se turistët preferuan produktet autentike vendase.

Së treti, emigrimi i popullsisë rurale drejt zonave urbane apo jashtë vendit po ndikon në uljen e prodhimit për disa produkte. Ekspertët thonë se tani edhe banorët e zonave rurale janë shndërruar në konsumatorë tregu, si për produktet bujqësore edhe ato blegtorale, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e prodhimit dhe në rritje të kërkesës për import.

Sipas një studimi të organizatës së emigracionit iOM gjatë vitit 2017-2021, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin bujqësor është ulur në katër vitet e fundit.

Në të kundërt, përqindja e meshkujve të punësuar në sektorin jobujqësor ka arritur në më shumë se 70%.

Fermerët po hedhin prodhimet

Fermerët e Samaticës në Berat, zona me intensitetin më të lartë të serrave në vend, prej disa ditësh kanë hedhur në kanalin e prodhimit kastravecët të cilët nuk po shiten nga çmimi i ulët.

Një kilogram kastravec, në pikat e pakicës në Tiranë, është shitur këto ditë me 100-140 lekë, teksa fermerët e serrave nuk mund të shesin më shumë se 30 lekë një kilogram.

“Ky çmim është shumë poshtë kostos. Që të sigurojmë mbijetesën, na duhet që së paku të shesim me 60 lekë një kilogram“, është ankuar për mediat fermeri Mariglen Ziu, i cili shton se humbjet e këtij sezoni janë të dëmshme për të pasi kjo ndikon negativisht mbjelljet e dyta.

E njëjta gjë ndodhi edhe disa ditë më parë me fermerët e Myzeqesë dhe të Fierit të cilët hodhën anash rrugës tufa të tëra me pras.

Ndryshe nga fermerët e Europës që subvencionohen menjëherë kur ka ndryshime në çmimin e tregut, fermerët shqiptarë janë tërësisht të ekspozuar ndaj këtyre ndryshimeve dhe pa asnjë lloj mbështetje.

Mungesën e subvencioneve e thekson edhe eksperti Eduart Sharka i cili thotë se fermerët shqiptarë marrin 15 herë më pak subvencione se ata europianë.

Ndërsa sipas një raporti të FAO (Organizata e Ushqimit në Kombet e Bashkuara) ndër të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është shteti që ofron subvencionet më të pakta për fermerët.

Raporti thekson se në Shqipëri fermerët marrin vetëm tre euro mbështetje direkte për hektar nga shteti ndërsa mesatarja e shteteve të tjera të rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën e cila ka një përvojë shtetformuese shumë më të re se Shqipëria dhe ka në dispozicion vetëm gjysmën e buxhetit tonë, është 54 HA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë