Treg

‘Tangërllëku’ i fasules vendase

Fasulet nga Kazakistani kanë hyrë në Shqipëri?!

Nga Gazeta 'Si' - “Hileja” e grumbulluesve të Maliqit për të mbajtur fasulen të pashitur në verë, në mënyrë që ta shisnin më shtrenjtë në dimër, u është kthyer në boomerang.

Aktualisht rreth 150 kuintalë fasule e bardhë në këtë zonë, një ndër zonat kultivuese më të mëdha të kësaj kulture, ka mbetur stok nëpër magazina.

Fasulja e hyrë nga Kazakistani, përmes Maqedonisë së Veriut, po konkurron me çmime më të ulta kulturën e “fasules krenare” në vend.

Ndonëse në pamje ngjan me atë vendase, banorët shprehën se ajo nuk ka të njëjtat vlera ushqimore dhe shitet deri në 70 lekë më lirë/kg krahasuar me fasulen shqiptare.

“Për shkak të rritjes së kostove, fasulja vendase shitet 250 lekë/kg që t’i amortizojë ato. Së fundmi po hyn një fasule importi nga Kazakistani e cila po shitet më lirë nga tregtarët duke lënë stok nëpër magazina rreth 40% të prodhimit të mbledhur në Maliq. Ajo po reklamohet sikur është autoktone e zonës. Ne nuk mund ta shesim aq lirë fasulen e vendit sepse kostot na rëndojnë”, thotë për Gazetasi.al Vladimir Malaveci, një banor nga fshati i cili ka rreth 18 kuintalë fasule pa shitur.

Prodhimin ai e ka mbledhur në fund të gushtit deri në gjysmën e parë të shtatorit ndërsa shton se edhe kërkesat nga Kosova, shtet ku përgjithësisht kanë eksportuar shumë viteve të shkuara, janë të dobëta.

Rreth 150 kuintalë fasule e bardhë në Maliq kanë mbetur stok

“Ky vit ka qenë i vështirë, me shumë shpenzime dhe pa tregje fare. Fermeri është dëmtuar shumë sepse edhe nuk po përkrahet në orientimin e tregut. Kur hyn kaq shumë fasule nga importi është e kotë të mbjellësh aq shumë”, vijon mandej ai ndërsa shton se shumë fermerë do të ulin numrin e sipërfaqes së mbjellë.

“Nëse vjet kishim mbjellë 20 dynymë, këtë vit do e përgjysmojmë sepse është shumë mund. Ajo do vaditur tre herë në vit”, thotë ai.

“Fermerëve u është kthyer boomerang-u”

Nga ana tjetër, Arben Dulellari, përgjegjësi i sektorit në Bashkinë e Maliqit, thotë se problemi e ka zanafillën nga grumbulluesit të cilët donin ta shisnin më shtrenjtë në dimër.

“Në Maliq mbillen rreth 80 hektarë fasule në vit. Grumbulluesit menduan që ta shisnin më shtrenjtë në dimër, në rreth 370 lekë/kg por çmimi më i lirë i fasules nga Kazakistani po i dëmton ato”, vëren ai.

Ndërsa tregtarë të tjerë shprehen se për shumë njerëz, nuk kanë rëndësi vlerat ushqimore. Sipas tyre, për ta mjafton që fasulen ta blejnë më lirë.

Shqiptarët mbjellin sa dyfishi i rajonit

Për nga sasia e prodhimit, Shqipëria prodhon sa dyfishi i vendeve të rajonit si Serbia apo Maqedonia, referuar të dhënave të Eurostat.

Prodhimi i fasules nisi rikuperimin në vitin 2018 ku arriti në 24.5 mijë tonë, duke u rritur me 15% në krahasim me një vit më parë, pas tre vitesh që kishte shënuar rënie të njëpasnjëshme.

Më tej kurba ka qëndruar e lartë deri në vitin 2020, me 25.7 mijë tonë për t’u ulur në 2021-shin ku prodhimi ra në 22.4 mijë tonë.

Prej vitit 2010 prodhimi më i lartë u arrit në vitin 2014 me 30 mijë tonë.

Prodhuesi më i madh sipas Eurostat ndër vendet e Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar, është Turqia, ku prodhim arrin në rreth 1.2 milionë tonë.

Nëse mbahen më gjatë sesa harku kohor i një viti, fasulet fillimisht nisin të rrudhosen dhe duan më shumë kohë që të zihen, deri në dy orë më shumë se zakonisht kur fasulja është e re. Më tej ato gradualisht zënë disa miza të vogla dhe bëhen të pakonsumueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë