Njerez

Pse për vrasjet e grave duhet të ndihet përgjegjës çdo burrë në shoqëri

Nga Ignacio Pereyra- “Do të shkruash për atë që ndodhi në Itali?- më pyet partnerja ime Irena. Unë nuk e kam idenë se për çfarë po flet. Ajo më tregon: një rast feminicidi ka tronditur vendin dhe po bën bujë prej dy javësh. Si të mos mjaftonte ngjarja, unë e pyes se çfarë ndryshon kjo vrasje në krahasim me 105 gratë e tjera të vrara këtë vit në Itali (apo ato që ndodhin çdo ditë nëpër botë).

Po flasim për një vend ku dominon shprehja “fai l’uomo” (sillu si burrë) dhe ku ka një shoqëri kaq shumë të prirur ndaj dramës dhe tragjedisë, shumë të fiksuar pas historive të kronikës së zezë, dhe ku shprehja “krim pasioni” përdoret gabimisht dhe me shumë teprim.

Në këtë kontekst, motra e viktimës ka reaguar në një mënyrë të papritur për një vend ku feminicidi, nuk është një krim i njohur në Kodin Penal, ndryshe nga sa ndodh për shembull, në gati gjithë Amerikën Latine.

Giulia Ceçhettin, 22 vjeçe, u godit me thikë (më shumë se 20 herë) më 11 nëntor nga Filippo Turetta (një vit më i vogël), një ish i dashur që nuk e pranonte dot që lidhja e tyre kishte marrë fund.

Pak ditë më parë ata kishin pasur një debat të ashpër. Giulia ishte gati të diplomohej në inxhinierinë biomjekësore në Universitetin e Padova-s, por Turetta ishte i mërzitur që ajo do të diplomohej përpara tij.

“Ai kishte frikë se ajo do ta linte për të ndjekur ëndrrat personale dhe profesionale”, thanë miqtë dhe familja.

Pas vrasjes, Turetta u largua nga vendngjarja me makinën e tij. Rrugës, ai e flaku në një rrëpirë trupin e Giulia-s, e cila u gjet më 18 nëntor pranë liqenit Barcis në Alpe, e mbuluar me qese të zeza plastike. Të nesërmen, Turetta u arrestua në një autostradë gjermane (ai ishte brenda makinës së tij që kishte mbetur pa karburant).

Befasuese në këtë ngjarje, ishte fakti që Elena, motra e madhe e viktimës, e shndërroi pikëllimin e saj personal në një kauzë politike. Ajo nuk doli para mediave për të kërkuar një dënim shembullor për Turettën apo për të kërkuar ngushëllim. Përkundrazi doli të provokonte shoqërinë, veçanërisht meshkujt, që të kishte më në fund një ndryshim.

“Turetta cilësohet shpesh si një përbindësh, por ai nuk është një përbindësh”, nis letra e hapur e shkruar nga Elena 24-vjeçare.

“Një përbindësh është një përjashtim, një person jashtë shoqërisë, një person për të cilin shoqëria nuk duhet të mbajë përgjegjësi. E megjithatë ka përgjegjësi. Të ashtuquajturit ‘përbindësha’ nuk janë të sëmurë, ata janë fëmijë të shëndetshëm të patriarkatit dhe të kulturës së dhunës”, vijon më tej ajo.

Në letër, ku shpreh atë që kishte thënë më herët në televizion, Elena shpjegon se kultura e dhunës është ajo që legjitimon çdo sjellje që i dëmton femrat, duke u nisur nga gjërat që ndonjëherë as që u kushtohet rëndësi, por sigurisht që kanë rëndësinë e tyre, siç është kontrolli obsesiv.

“Çdo mashkull është i privilegjuar nga kultura e posesivitetit”, thotë Elena.

Nga ky privilegj përfitojnë ndonjëherë edhe ata meshkuj që sillen si duhet. Që kur i vdiq e motra, Elena Ceçhettin ka bërë diçka që i ngjan asaj që e studiojmë në tragjedinë greke.

“Ajo flet si Antigona, duke bërë atë që mundet për motrën e ndjerë. Sepse s’mund ta kthejë në jetë motrën e saj por të paktën do të sigurohet që të tjerat të mos vdesin në atë mënyrë. Dhe ajo e bën këtë gjë me një modesti që nuk e kam parë prej kohësh”, thotë Chiara Valerio, shkrimtare dhe matematikane.

Ndërkohë Giulio Cavalli, aktor dhe gazetar, shkruan se Elena nuk pranoi të mbante vendin “e caktuar për gjininë e saj” (për të ulur tensionin), por zgjodhi “të hiqte dorë nga roli i gruas së pikëlluar, aq qetësuese për shoqëritë patriarkale, duke e drejtuar gishtin nga nxitësi historik dhe kulturor që qëndron pas çdo feminicidi: posesiviteti që çon në një kontroll obsesiv, pastaj në abuzim dhe në fund në vrasje”.

“Në rast se Filippo do të kishte folur me dikë, me një psikoterapist, një prind apo mik, kjo vrasje mund të mos kishte ndodhur. Feminicidi nuk është një krim pasioni; është një krim pushteti. Ne kemi nevojë për një edukim të gjerë seksual dhe emocional. Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve se dashuria nuk është posedim. Ne duhet të financojmë qendra kundër dhunës dhe të ofrojmë mundësi për ata që kanë nevojë të kërkojnë ndihmë, mos mbani asnjë minutë heshtje për Giulia-n. Për të, digjni gjithçka”, e mbyll letrën e saj Elena.

Ndoshta nuk duhet të jetë e habitshme pse Italia nuk e ka përfshirë ende feminicidin në Kodin e saj Penal, kjo duke pasur parasysh përpjekjet e mëdha me të cilat përpiqet të minimizojë një fenomen që pranohet në pjesën më të madhe të botës. A nuk po flasim për një vend që mbron mbi të gjitha familjen tradicionale dhe ku mungon edukimi seksual në shkolla?

Po, por kudo familja dhe mjedisi përreth janë larg garantimit të sigurisë për një grua. Kujtojmë se Italia trashëgoi nga fashizmi “vrasjen për nder”, e cila e privilegjonte burrin në momentin e daljes para gjyqit, sepse merrej parasysh nëse nderi i tij ishte lënduar nga sjellja “e papërshtatshme” e një gruaje.

Deri në vitin 1981, Kodi Penal Italian konsideronte disa faktorë lehtësues për vrasjen: “Cilido që shkakton vdekjen e bashkëshortes, vajzës ose motrës, duke e zbuluar atë në marrëdhënie të paligjshme trupore dhe në kulmin e zemëratës së shkaktuar nga shkelja e nderit të tij apo familjes, dënohet nga 3-7 vjet burg. I njëjtin dënim jepet për këdo, që në rrethanat e mësipërme shkakton vdekjen e personit të përfshirë në marrëdhënie jo të ligjshme trupore me gruan, vajzën ose motrën e tij”.

Deri më 19 nëntor 2023, në Itali ishin regjistruar 106 vrasje grash, nga të cilat 87 kanë ndodhur në një kontekst familjar/emocional. 55 prej tyre u vranë nga partneri apo ish-partnerët. Kjo tendencë e rrëzon edhe një herë mitin, sipas të cilit rreziku i madh është një djalë me kapuç që përdhunon dhe vret një grua në një cep të errët të qytetit.

Nuk ndodh kështu. Ashtu siç ndodh edhe me abuzimin e fëmijëve (UNICEF), shumica dërrmuese e feminicideve ndodhin brenda rrethit të besimit, domethënë nga njerëz që janë çdo gjë tjetër, veçse jo të huaj që shfaqen befas. Një e dhënë tjetër: burrat janë përgjegjës për vrasjen e burrave (92.7 për qind) dhe të grave (94.4 për qind).

Ajo që ndodh në Itali është një reflektim i tendencave në mbarë botën, ku thuajse 89.000 gra dhe vajza u vranë vetëm në vitin 2022 raporton OKB-ja, gjë që tregon se shumica e vdekjeve ishin të lidhura me gjininë. Ndërsa pati një rënie globale të vrasjeve totale, u rrit numri i grave dhe vajzave të vrara në vitin 2022.

Është shifra më e lartë vjetore në 20 vitet e fundit.

“Italia ka ritme veçanërisht shqetësuese: 61.5 për qind e popullsisë ushqen paragjykime ndaj grave dhe 45 për qind bartin besime që mund të çojnë në justifikimin e dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike nga një partner”, vuri në dukje revista ‘Internazionale’, e cila vëren se për krahasim, në Spanjë situata është përmirësuar ku 50.7 për qind e popullsisë ka paragjykime dhe vetëm 29 për qind e justifikon dhunën.

Kur një feminicid trondit opinionin publik dhe flitet për dhunë gjinore, ka zakonisht një kërkesë logjike që burrat të bëjnë diçka. Por zakonisht meshkujt përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë. Dëgjojmë shpesh të njëjtat fraza:”Jo të gjithë burrat janë ashtu”, “Burrat vriten më shumë se gratë” apo “Tipa të tilla janë përbindësha!”

Por asnjë burrë nuk është i mirë, nëse nuk bën asgjë për të shpërbërë shoqërinë që e privilegjon atë. Duke pasur parasysh privilegjin dhe fuqinë e tyre, është përgjegjësia e burrave në këtë shoqëri patriarkale të edukojnë dhe tërheqin vëmendjen e miqve dhe kolegëve sapo të dëgjojnë aludimin më të vogël të dhunës seksiste.

“Folini shokut që kontrollon në mënyrë obsesive të dashurën e tij, kritikoni kolegun që ngacmon seksualisht një femër në rrugë, bëhuni armiqësor ndaj një sjelljeje të tillë që pranohet nga shoqëria, e cila nuk është gjë tjetër veçse preludi i femicidit”, këshillon Elena.

Burimi: Worldcrunch. Përshtati në shqip: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë