Ne rrjet

Lufta ndaj femicidit, ja reformat që po ndërmerr Kroacia

Nga Gazeta 'Si'-Më 13 shtator të këtij viti, kryeministri kroat njoftoi një ndryshim në Kodin Penal, i cili do ta bënte femicidin një vepër të veçantë që dënohet rëndë, duke filluar nga 10 vjet burg, dhe që do të zbatonte një sërë masash edhe më të ashpra për të luftuar dhunën ndaj grave.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, 6 femicide u regjistruan vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2023, dhe 13 në total në vitin 2022 në vendin ballkanik me pak se 4 milionë banorë. Një analizë i Avokatit të Popullit për Barazi Gjinore, tregoi se në periudhën 2016-2021 në Kroaci ishin vrarë 92 gra, dhe numri i femicideve është rritur në mënyrë progresive gjatë asaj periudhe.

52 nga 92 gratë u vranë nga një person i afërt. Hetimi i EDJNet mbi femicidin, tregoi se Kroacia është vendi i tretë në Evropë kur bëhet fjalë për numrin e vrasjeve me dashje të kryera nga të afërmit apo ish-partnerët. Kriminalizimi i femicidit në Kroaci, është një ngjarje historike sepse është një praktikë e pazakontë në Evropë.

Deri më tani, vetëm 2 vende evropiane, Malta dhe Qipro, e njohin femicidin si një vepër penale më vete. Prandaj, ndryshimi në legjislacion u mirëprit nga një numër i madh aktivistësh të shoqërisë civile, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Megjithatë, për Iva Čatipović nga SOS Rijeka, një organizatë jofitimprurëse që punon për të parandaluar, reduktuar dhe eliminuar dhunën me bazë gjinore dhe në familje, njoftimi i kryeministrit Andrej Plenković, ishte para së gjithash një veprim politik, dhe ai s’do ta zgjidhë automatikisht problemin.

“Mbetet të shohim se si do të jetë versioni përfundimtar i projektligjit, dhe si do të zbatohet ai. Kuadri ligjor është një gjë, dhe zbatimi i tij diçka krejtësisht tjetër”- paralajmëron ajo. Për më tepër, projektligji ka gjetur tashmë kundërshtarët e tij në kampin e juristëve.

Dhoma e Avokatëve Kroatë si dhe gjyqtarët nga Gjykata e Lartë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit, duke e konsideruar atë “diskriminues në bazë të gjinisë”. Gjithsesi ndryshimet e propozuara nga kryeministri nuk lindën nga hiçi.

Njoftimi u bë vetëm një javë pasi GREVIO, Grupi i Ekspertëve të Këshillit të Evropës për Veprimin kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, publikoi një analizë mbi zbatimin e Konventës së Stambollit në Kroaci. Kroacia e ratifikoi në vitin 2018 Konventën e Stambollit, traktatin e parë detyrues në botë për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, pas muajsh protestash të forta nga konservatorët, të cilët e perceptuan traktatin si një minim të roleve tradicionale gjinore.

Raporti i GREVIO, vuri në dukje disa ndryshime pozitive që nga ratifikimi, si miratimi i dokumenteve strategjike për të luftuar dhunën ndaj grave dhe pabarazinë gjinore. Por nënvizoi pamjaftueshmërinë e politikave aktuale. Kur flitet për femicid, në shumë raste institucionet shtetërore “dështuan të përdorin masat legjislative në dispozicion për të mbrojtur gratë”, teksa “nuk u bënë përpjekjet e duhura për mbledhjen e të dhënave për të vlerësuar efektivitetin e skemës aktuale të vlerësimit të rrezikut”.

Projektligji i ri, përfshin një sërë masash që synojnë të luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje. Për shembull, dënimi me burgim për përdhunim, do të rritet nga 1-5 vjet në një interval prej 3-8 vjetësh burg. Ndërkaq, gjykatat duhet të marrin në konsideratë të drejtën e viktimës për të apeluar në lidhje me çdo vendim që mund të ndryshojë kohëzgjatjen apo zbatimin e masave paraprake (si urdhrat e mbrojtjes).

Gjykatat mund të arrestojnë të pandehurin nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm - ose pas raportimit të viktimës - se ai ka shkelur një urdhër mbrojtjeje. Në rastin e veprave penale kundër lirisë seksuale, viktimat kanë të drejtë të dëshmojnë përmes lidhjes direkte audio-vizive dhe jo ballë për ballë fizikisht.

Por ndryshimet në ligj nuk e zgjidhin problemin e qëndrueshmërisë financiare të strukturave që ofrojnë ndihmë për gratë viktima të dhunës në familje.

“Pas ratifikimit të Konventës së Stambollit, Kroacia hapi 6 qendra strehimi të reja për gratë e dhunuara në një periudhë të shkurtër kohore. Por ato janë financuar nga një projekt i BE-së, ndaj ne nuk e dimë se si do të financohen më tej ato”- thotë Iva Čatipović.

“Shumica e tyre kanë që tani mungesë personeli, dhe disa janë degraduar në aspektin e infrastrukturës. Pllakat po bien, dhe kuzhinat janë gjysmë funksionale”- thekson ajo.

Raporti i GREVIO paralajmëroi se “shumica e qendrave të strehimit të grave që janë viktima të dhunës në familje, veçanërisht ato në zonat rurale, nuk janë ende të përshtatshme për të pritur gratë me aftësi të kufizuara apo ato me probleme shëndetësore afatgjata, që kërkojnë ndihmë të vazhdueshme mjekësore, gratë shtatzëna apo gratë që janë të varura nga droga apo alkooli”.

Ndërkaq, është thelbësore të ketë një komunikim më të mirë midis institucioneve që duhet të mbrojnë gratë dhe të parandalojnë femicidet. Në gusht 2022, 2 gra u vranë në Kroaci nga ish-partnerët e tyre brenda 10 ditësh. Pas vrasjeve, u bë e qartë se të dy personat mund të ishin ndaluar nga policia, por ndaj tyre u mor vetëm masa e ndalimit të kontaktit me ish-partneret.

“Ne nuk kemi një qarkullim të mirë të informacionit ndërmjet institucioneve”- shprehet Branka Žigante-Živković, ish-gjyqtare e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtjet, e cila ka qenë e përfshirë në aktivitete të shumta kërkimore dhe edukative mbi femicidet.

“Nëse policia ka informacionin se një grua është shumë e rrezikuar, i njëjti informacion duhet të ndahet me aktorë të tjerë brenda sistemit, siç janë avokatët. Po ashtu, nuk mjafton që gruaja të marrë një urdhër mbrojtjeje. Burrit duhet t’i vendoset një monitor në kyçin e këmbës, dhe gruaja duhet të ketë sistem alarmi nëse ai i afrohet”- thotë Žigante-Živković.

Sipas saj, është jetik një edukim ndër-sektorial, që u mëson profesionistëve të drejtat e viktimave dhe faktorët e ndryshëm të rrezikut si kontrolli shtrëngues apo ndarja nga shoqëria dhe izolimi. “Në dokumentet gjyqësore për procedurat që lidhen me dhunën seksuale ose gjinore, gjenden ende stereotipe dhe pyetje të papërshtatshme për viktimën si Pse ishe jashtë në atë kohë?’, ‘A pive?’, ‘Si ishe veshur?’- “-vëren ajo.

Ngadalësia e funksionimit të sistemit, dhe ndjenja se nuk do të merren seriozisht nga institucionet, janë arsyet pse shumë gra nuk e denoncojnë dhunën në familje. Në vitin 2022, në Kroaci u krye një analizë sociologjike mbi besimin ndaj institucioneve.

Është konstatuar se në periudhën 1999- 2020, besimi tek institucionet ka rënë, përveçse kur bëhet fjalë për ushtrinë dhe kishën. Ndër të tjera, njerëzit nuk i besojnë sistemit gjyqësor. Të dhënat duket se mbështesin skepticizmin e tyre:sipas tabelës së rezultateve të drejtësisë në vendet e BE për këtë vit, Kroacia rezulton të jetë ndër 3 vendet me sistemet e drejtësisë më pak efikase sa i përket kohës së nevojshme për zgjidhjen e rasteve.

“Nëse je viktimë e dhunës në familje, tashmë e ke të humbur besimin tek njerëzit, sepse një familjar është i dhunshëm ndaj teje. Dhe pastaj, nëse ke ndjesinë se institucionet nuk funksionojnë, mund të mendosh se nuk ka asnjë kuptim të raportoni dhunën”- thotë Lorena Zec, psikologe në SOS Rijeka.

“Gratë që vijnë tek ne, janë shpeshherë skeptike kur ne i këshillojmë të shkojnë të denoncojnë partnerin në polici. Ato pyesin se çfarë domethënie ka kjo për to, cilat do të jenë pasojat dhe sa do të zgjasin procedurat gjyqësore. Në rast se duam që gratë të raportojnë dhunën në familje, duhet të punojmë për rritjen e besimit të tyre tek institucionet”- përfundon ajo.

Burimi: Balcani Caucaso/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë