Shkencë

Pse gjithçka që dinit rreth ushqyerjes është e gabuar

A janë karbohidratet të mira për ju? Po vezët? Çdo javë duket se sjell nga një këshillë dietike kontradiktore. Mësoni të metat befasuese të shkencës së ushqyerjes.

Një mëngjes, disa muaj të shkuar, pashë një kryeartikull që më sëmboi. Pretendonte se vezët mund të të shkaktonin sulme në zemër. Jo se do haja vezë për mëngjes. Por sepse, si gazetare mjekësore, e dija se miqtë dhe familjarët së shpejti do të më pyesnin se ç’të bënin me këtë pretendim. Dhe do kisha vështirësi t’u përgjigjesha.

Këshillat se çfarë të hash duket se ndërrojnë çdo javë. Vezët janë një shembull klasik. Dikur janë parë si paketa të plota proteinash dhe vitaminash, një fillim i përsosur për të nisur ditën. Por në vitet ’60, u zgjuam me rrezikun e kolesterolit. Vezët, që janë të pasura me substanca yndyrore, nisën të shiheshin shtrembër.

Por, prisni! Afro 20 vjet më parë, idetë tona rreth kolesterolit u rishikuan: sasia ushqimin tonë nuk kishte më rëndësi, sespe nuk prekte vërtet nivelet në gjakun tonë e për pasojë, as shëndetin e zemrës. Në vitet që pasuan, u bë normale të haje sërish vezë. Pastaj, në mars, studimi i fundit tregoi edhe njëherë të kundërtën – kolesteroli tek vezët ishte i keq për ne.

Ndonjëherë pyes veten nëse do duhet të besojmë gjithë ç’ka lexojmë rreth ushqimit. Kjo mund të tingëllojë si ekzagjerim, por ndoshta është  qëndrim racional. Një numër në  rritje shkencëtarësh po thonë tani se shkenca e ushqyerjes ka shumë të meta sa nuk mundemi t’u besojmë as shtyllave të këshillave si;  të hash shumë zarzavate dhe të shmangësh ynyrnat e ngopura. Brenda kufijve të tillë të arsyetimit, thonë ata, nuk ka rëndësi se çfarë hamë. Por a mund të jetë e vërtetë kjo?

Kur nisa të bëja kërkim për të shkruar këtë artikull, pyeta veten nëse dyshuesit po tregoheshin të padrejtë. Sigurisht, studimet rastësore me rezultate të pazakonta mbërthehen nga mediat, por ndoshta nuk janë të përfaqësuara  nga fusha më e gjerë. Zbulova se kjo është përgjigjja e parë e shkencëtarëve të ushqyerjes kur një gazetar përpiqet t’i pyesë, me takt, nëse fusha e tyre është thyer. “Duhet të tregoheni të  kujdesshëm të mos merrni një studim që është absolutist dhe shterues”, thotë Louis Levy, kreu i nutricionit në Shëndetin Publik në Angli. “Duhet të shohësh provat më të gjera”.

Por, sa më shumë gërmoja për temën, aq më shumë bëhej e qartë se, megjithëse mbulimi i gabuar mediatik është pjesë e problemit, të metat e kësaj fushe shkojnë edhe më thellë. Ka një sasi të madhe kërkimi shkencor mbi dietat e botuara çdo vit, pjesa më e madhe e financuar nga qeveritë të shqetësuar rreth niveleve në rritje të obezitetit dhe diabetit. Por edhe në faqet e revistave prestigjioze shkencore, gjejmë rezultate konfiktuese sesa shumë të hamë dhe pimë.

Dhe kjo nuk është vetëm bishtnim rreth detajeve: ka një vijë të madhe gabimi që ndan fushën nëse duhet të hanim ushqim që është i varfër në yndyra apo i varfër në karbohidrate, për shembull.

"Ngatërrestarët" e studimeve

Shumë nga problemet burojnë nga fakti se shumica e studimeve të ushqimit janë të një lloji të caktuar që i bën të lehta për t’ mbartur por me më shumë gjasa të të çojnë në përfundime të rreme. Për të kuptuar dobësinë e tyre, merrni në konsideratë një lloj më të mirë kërkimi, eksperimentet e  kontrolluara në mënyrë rastësore. Këtu, mjekët pyesin gjysmën rastësore të subjekteve të tyre të marrin një mjekim të ri, ndërsa të tjerët marrin hape të rreme, që ngjajnë si të vërteta e kështu askush nuk e di se çfarë po merr. Nëse atë që marrin ilaçin e vërtetë përfundojnë me shëndet më të mirë, ka mundësi të mirë që mjekimi të ketë qenë përgjegjës.

Ky lloj studimi është i vështirë të bëhet për ushqimin. Pak do të binin dakord të ndryshonin dietën e tyre për vite, bazuar në hedhjen e një zari dhe do të ishte e vështirë të mbahej sekret se çfarë po hanin. Kështu, shkencëtarët e ushqyerjes zakonisht vëzhgojnë se çfarë hanë njerëzit, duke iu kërkuar atyre të plotësojnë ditarët e ushqimit dhe më pas të gjurmojmë shëndetin e pjesëmarrësve.

Problemi i madh me këto studime “vëzhguese” është se ngrënia e  ushqimeve  të tilla pritet të shkojë dorë për dore me të tjera sjellje që prekin shëndetin.  Njerëzit  që hanë ato që zakonisht shihen në një dietë të pashëndetshme – me më shumë ushqim të shpejtë, për shembull – priren të kenë të ardhura më të ulëta dhe stile të pashëndetshme jetesë, si duhanpirja dhe mos ushtrimi fizik. Krejt në të kundërt, të hash ushqim të hamendësuar si i shëndetshëm lidhet me të ardhura më të larta, me të gjitha përfitimet që sjellin ato.

"Duhet të ketë një moratorium mbi studimet vëzhguese derisa problemet të ndreqen. Publiku po lodhet me këto këshilla të ndryshueshme saqë po humbasin besimin tek shkenca, në kuptimin më të gjerë."

Këto sjellje të tjera njihen si faktorë ngatërrues, për shkak se në studimet vëzhguese ata mund ta na çojnë në rrugë të gabuar. Për shembull, edhe nëse boronicat nuk prekin normat e sulmit në zemër, ata që hanë më shumë të tilla, do të kenë më pak sulme në zemër, thjesht sepse të hash boronica është një etiketë e mirëqenies së klasës së mesme.

Kërkuesit përdorin teknika statistikore në përpjekje për të larguar efektet shtrembëruese të faktorëve ngatërrues. Por askush nuk e di me siguri cilët të përfshijnë ,  zgjedhja e të ndryshmëve mund të ndryshojë rezultatet.

Për të treguar sesi përfundimet mund të variojnë bazuar në zgjedhjet e faktorëve ngatërrues, Chirag Patel në Shkollën e Mjekësisë në Harvard ekzaminoi efektet e marrjes së suplementit të vitaminës E. Ai përdori një bazë të madhe të dhënash nga një studim i respektuar amerikan, i titulluar “Shëndeti Kombëtar dhe Vëzhgimi i Ekzaminimit të Ushqyerjes”. Në varësi se cila prej përzierjeve të 13 faktorëve ngatërrues të mundshëm është  përdorur, marrja e kësaj vitamine në dukje do të tregojë nëse do të ulë normat e vdekjes, nuk do të ketë aspak efekt apo madje të rrisë vdekjet.

Patel thotë se kjo tregon se kërkuesit mund të marrin çdo lloj rezultat që duan nga të dhënat e tyre, duke i futur në pajisjet e tyre analitike çdolloj faktori ngatërrues që u jep një rezultat, të përputhshëm me dietën e tyre të preferuar, qoftë i ulët në yndyra apo i ulët në karbohidrate, vegjetariane apo mesdhetare. “ Kemi studime të gjera që matin të gjitha gjëra njëherësh – është më e mundur se kurdoherë,  të zgjedhësh në mënyrë selektive”, thotë ai.

Kujt t'i besojmë?

Një tjetër burim gabimi njihet si paragjykimi i publikimit: studimet që tregojnë rezultate interesante kanë më shumë gjasa të publikohen, sesa ato që nuk kanë. Kështu, nëse dy studime shohin tek mishi i kuq dhe kanceri, për shembull dhe vetëm një tregon një lidhje, atëherë ai ka më shumë gjasa të publikohet.

Ky paragjykim ndodh pothuajse në çdo fazë të procesit të gjatë nga kërkimi fillestar te publikimi në një revistë shkencore dhe në fund tek lajmet, nëse gazetarët si unë shkruajnë rreth tij. “Atë që shihni të publikuar tek edicioni i lajmeve të mbrëmjes është rezultati i fundmë i një sistemi,  ku të gjithë janë të nxitur të dalin me një rezultat pozitiv”, thotë Vinay Prasad i Universitetit të Shkencës dhe ,  në Oregon.

Prasad është onkolog që ka theksuar mungesën e provave pas disa mjekimeve ndaj kancerit. Por ai thotë se kërkimi i ushqyerjes është në gjendje edhe më të keqe sesa fusha e tij. “Dhe ata nuk duket se duan ta përmirësojnë veten”, thotë ai.

Është e vështirë të bësh analizë sasiore sesa shumë faktorë ngatërrues dhe paragjykime publikimi po shtrembërojnë fushën. Por ato janë mjaftueshëm për të treguar  se duhet të jemi skeptikë ndaj të gjitha këshillave dietike, thotë shkencëtari i të dhënave  John Ioannidis në Universitetin e Stanford, Kaliforni.

Ushqim për mendim

Nga 1 milion punime shkencore që janë publikuar në ushqyerje, vetëm një fraksion i vogël, mbase disa qindra, janë eksperimente të gjerë rastësorë e me cilësi të mirë, thotë Ioannidis. Të tjerat janë kryesisht studime vëzhguese, eksperimente  të vegjël apo të hartuar keq, pjesë opinioni apo recenca që përmbledhin rezultate të punimeve të tjera, me të gjitha të metat e tyre potenciale. Edhe udhëzimet  kombëtare dietike,  bazohen në këtë lloj pune.

Dhe çfarë zbulojnë ato pak qindra testime të denja? Ja përfundimi: kur eksperimentet testojnë rekomandimet dietike bazuar në studimet vëzhguese, strategjitë thuajse kurrë nuk kanë sukses në afatgjatë. Studimet ose nuk kanë efekt, ose efekti është shumë më i vogël sesa është parashikuar nga studimet vëzhguese –aq i vogël sa praktikisht është i pakuptimtë. Zakonisht çdo ndryshim nuk është në normat e vdekjes, kancerit apo sulmeve në zemër, por tek “biomarkerat” ; ka zakonisht substanca në gjak, si kolesteroli që mendohet se prekin rezultatet e shëndetit, por prova nuk është aq e qartë: “ Nuk ka thuajse asgjë që zbulon se mund të jetosh më gjatë”, thotë Ioannidis.

Merrni idenë e pilulave të vitaminave për popullsinë e shëndetshme. Shumë studime vëzhguese kanë sugjeruar marrja e  suplementeve të ndryshme të vitaminave,  i mban njerëzit më të shëndetshëm. Por, kur këto ide u testuan në eksperimente, pilulat ose nuk kishin efekt ose i bënin njerëzit të vdisnin më herët. Edhe suplementet e vajit të peshkut, kanë treguar se nuk kanë përfitime nën eksperimentet klinike, pavarësisht dhjetëra studimeve vëzhguese që pretendojnë të kundërtën. E megjithatë, këshillat dietike në shumë vende, thonë se njerëzit duhet të marrin rregullisht vaj peshku.

Edhe shtyllat e këshillave të sotme dietike,  dështojnë të përkthehen në përfitime të paqarta kur vendosen në testim. “Nuk ka eksperimente të kontrolluara në mënyrë rastësore që tregojnë se drithërat, frutat dhe zarzavatet apo fibrat ndikojnë tek vdekshmëria, sulmet në zemër apo normat e kancerit”, thotë Levy. “Nuk është e duartrokitshme të bësh një eksperiment duke ndjekur një grup mjaftueshëm të madh mbi një periudhë të mjaftueshme për të parë mjaftueshëm vdekje”.

Kjo është e saktë. Pavarësisht  të gjithë nxitjeve se duhet të “hamë një ylber” apo zarzavate me ngjyra të ndryshme, që synojnë pesë vakte në ditë – apo ndoshta shtatë apo edhe nëntë, në varësi të atij që dëgjon – asnjë eksperiment nuk e ka treguar se të bësh këtë të lejon të jetosh më gjatë.

E njëjta shkon edhe për ngrënien e versioneve të drithërave si buka, pasta apo orizi, që rekomandohet për përmbajtjen e fibrave. Mbështetja më e mirë që kanë dhënë deri më tani eksperimentet rastësore është se na kanë treguar se,  një lloj fibre e gjendur tek tërshëra, quajtur beta-glukan, sjell përmirësime të vogla në presionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit. Por këto efekte janë aq të vogla sa është e paqartë nëse do të na mbronin nga sulmi në zemër dhe për ta arritur, kërkon të hash tre tasa tërshërë në ditë – diçka që shumë njerëz do ta kishin të vështirë ta kapërdinin.

Pastaj vijmë te kaosi i këshillave mbi yndyrnat. Shumë udhëzime kombëtare thonë se mund të parandalojmë sulmet në zemër duke shmangur yndyrnat e ngopura, kryesisht të gjetura tek mishi i kuq dhe produktet e bulmetit. Sërish, asnjë eksperiment rastësor nuk ka treguar se nëse bën këtë mund të të shpëtojë jetën, thotë Susan Jebb nga Universiteti i Oksfordit, një nga kërkueset më të mira të  ushqyerjes,  në Britani. Problemi është se eksperimentet zakonisht nuk zgjasin shumë në kohë, thotë ajo, ndërsa dietat marrin vite për të prekur shëndetin. “Dhe njerëzit jo domosdoshmërisht i qëndrojnë strikt dietës që u ke rekomanduar.”

Megjithëse mund të tregojnë se reduktimi i yndyrnave të ngopura shpëton jetë, disa eksperimente kanë ndryshuar të paktën nivelet e kolesterolit në mënyrë që duhej, teorikisht, të shpëtonin prej sulmeve në zemër, thotë Jebb.

Megjithatë, këtu provat janë kontradiktore nga një eksperiment tek tjetri. Nuk ndihmon as meta-analiza, që kombinon rezultatet nga një shumësi eksperimentesh e që përpiqen të kenë një tablo të gjerë. Një meta-analizë del në përfundimin se zëvendësimi i yndyrnave të ngopura me të pangopurat është i mirë për kolesterolin tonë dhe një tjetër nuk tregon asnjë efekt. Për t’i shtuar çoroditjes, na mungon një kuptim i qartë sesi kolesteroli prek arteriet tona, duke e bërë të pabesueshëm si biomarker, për shëndetin tonë të zemrës.

Dieta e varfër me karbohidrate nuk është e vetmja mënyrë për të humbur peshë apo për të menaxhuar diabetin: njerëzit mund të bëjnë të njëjtën gjë me një dietë të varfër në yndyrna.

Pastaj vjen çmenduria e karbohidrateve të ulëta. Disa eksperimente tregojnë se njerëzit mund të humbasin peshë dhe të sprapsin diabetin duke ngrënë një dietë të varfër në karbohidrate, por të lartë në yndyrna të ngopura dhe nuk rrit nivelet e kolesterolit, krejt në të kundërt nga ajo çka sugjerojnë udhëzimet shtetërore të dietave, megjithëse nuk njihet nëse qasja do të ishte e parrezikshme për njerëzit me problem gjenetik, që shkakton kolesterolin e lartë.

Duhet vërejtur gjithashtu se dieta e varfër me karbohidrate nuk ka treguar në eksperiment se rrit jetëgjatësinë me shumë sesa dietat “tradicionale” me pak yndyrna. Dhe dieta e varfër me karbohidrate nuk është e vetmja mënyrë për të humbur peshë apo për të menaxhuar diabetin: njerëzit mund të bëjnë të njëjtën gjë me një dietë të varfër në yndyrna.

Kjo është arsyeja se përse një javë do të dëgjojmë se ekspertët rekomandojnë dietat me pak karbohidrate dhe tjetrën, një grup i ndryshëm ekspertësh do të na tregojnë të shmangim mishin dhe të hamë pak yndyrna, një dietë të bazuar tek bimët. “Mund të gjesh prova për të mbështetur çdo lloj pozicioni që dëshiron për të konfirmuar bindjet ekzistuese”, thotë Anthony Warner, një shef i industrisë së ushqimit në Britani. “Një nga konfliktet e interesit që nuk përmendet kurrë në ideologjitë e njerëzve – ka shumë ideologji në dietë”. Shpjegimi më i thjeshtë i kësaj çoroditjeje kontradiktash është se nuk ka të vërteta të fshehura që pritet të zbulohen, thotë Ioannidis. Është vetëm një zhurmë rastësore tek të dhënat.

Kjo nuk do të thotë se tani mund të hamë ëmbëlsira sa të duam, sepse kur bëhemi mbipeshë, kjo lodh sistemin tonë të qarkullimit dhe artikulacionet. Por sugjeron se brenda limiteve të kuptimit logjik dhe sensit të masës, një mënyrë e të ngrënit është po aq e mirë sa tjetra. “Nëse hani tepër, kjo do të jetë e pashëndetshme. Dhe ka një dysheme nën të cilën ju nuk shkoni. Por nëse bëni gjithçka në moderacion, do të jetë në rregull’, thotë Amy Tuteur, një ish-obstetër dhe shkrimtare e cila është një tjetër kritike për kërkimin e ushqyerjes.

Do të ishte e padrejtë të dilje në përfundim se shkenca e ushqyerjes nuk na ka mësuar asgjë. falë studimeve dietike identifikojmë mangësitë e vitaminave, të kequshqyerjes, si rakitizmi që shkaktohet nga mungesa e vitaminës D. Kohëve të fundit, nutricionistët kanë treguar se gratë shtatzëna mund të mbrojnë bebet nga çrregullimet spinale si spina bifida, duke marrë suplemente të acidit folik dhe se njerëzit me presion të lartë gjaku, mund ta ulin duke reduktuar sasinë e konsumit të kripës. Në mënyrë interesante, këto dy gjetje janë demonstruar nga eksperimentet rastësore, duke treguar se mund të bëhet, kur ka një efekt të vërtetë për t’u gjetur.

Por këto suksese erdhën kohë më parë. “Shkenca e nutricionit ka bërë punë të mahnitshme në termat e adresimit të mangësive”, thotë Warner. “Por kur kemi mjaftueshëm për të ngrënë, shkenca priret të mos na japë përgjigje të qarta”.

Ioannidis thotë se kërkuesit e nutricionit kanë nevojë të përshtatin universialisht praktikat e kërkimit të mirë, si edhe para-regjistrimi i të gjitha studimeve, përfshi edhe konstatimi se cilët faktorë ngatërrues do të përdorin, për të parandaluar zgjedhjen selektive,  pasi dalin rezultatet.

Prasad shkon më tej, duke thënë se duhet të ketë një moratorium mbi studimet vëzhguese derisa problemet të ndreqen. “Publiku po lodhet me këto këshilla të ndryshueshme saqë po humbasin besimin tek shkenca, në kuptimin më të gjerë.”

Ndërkohë, kuptimi i përbashkët dhe sensi i masës janë të pakënaqshëm për parimet dietike. Dhe sigurisht shumë prej nesh kanë arsye përtej shëndetit për mënyrën e ushqyerjes, si heqja dorë nga mihi për arsye etike apo mjedisore.

Fibra dietike ndihmon në parandalimin e kapsëllkut dhe askujt nuk i nevojitet një eksperiment për ta vërtetuar.  A mund të jetë e sigurt apo të ndjekim instinktin? Duane Mellor, zëdhënëse për Shoqatën Britanike Dietike, thotë se mund të jetë një strategji e arsyeshme nëse nuk do të qe për faktin se jemi rrethuar nga ushqime tunduese me shumë kalori dhe shumë prej nesh nuk mund t’i rezistojnë mbingrënies. “Nëse nuk do të kishim aspak udhëzime, çfarë do ta rregullonte industrinë?, thotë ai. Nuk mund të gjej një përgjigje të mirë.

Mund të pranoj disa paragjykime të miat. Jam e lumtur të pranoj se yndyrnat e ngopura janë demonizuar padrejtësisht gjatë gjithë këtyre viteve, që do thotë se mund të ha gjëra si mishi i kuq dhe gjalpi. E megjithatë e kam të vështirë të heq dorë nga ideja se është e mirë për mua të ha drithëra, fruta dhe zarzavate. Jam përpjekur të ha shumë nga këto ushqime , kryesisht për shkak se i pëlqej ato ose ndoshta për shkak se i përkas  shtresës së mesme. Me gjasë do të vazhdoj, edhe pse e pranoj se ka pak prova që e mbështesin. Duket se as unë nuk jam imune ndaj ideologjisë.

*Clare Wilson/ New Scientist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë