Shendet

Pse foshnjat ‘i shmangin’ variantet e Covid-19

Një nga fushat ndoshta më pak të studiuara mund të jenë infektimet tek foshnjat.

Në një studim të botuar së fundmi në revistën Cell, studiuesit e udhëhequr nga Bali Pulendran, profesor i patologjisë, mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Stanford, raportojnë disa ndryshime kryesore në mënyrën se si foshnjat dhe të rriturit përjetojnë infektimin nga Covid-19, që mund të çojnë në mënyra të reja për të gjeneruar imunitet më të fortë dhe më të qëndrueshëm në të ardhmen.

Pulendran dhe ekipi i tij përfituan nga mostrat e mbledhura nga fëmijët në Spitalin e Fëmijëve Cincinnati në vitin 2020, përpara se vaksinat të ishin të disponueshme. Mjekët morën mostra javore nga foshnjat, të cilët varionin nga një muaj deri në gati katër vjeç dhe disa u infektuan nga Covid-19, kështu që studiuesit kapën aktivitetin e qelizave imune para, gjatë dhe pas infektimit. Ata zbuluan se ndryshe nga të rriturit, foshnjat, veçanërisht foshnjat më të vogla, prodhojnë përgjigje të forta antitrupash kundër SARS-CoV-2 dhe këto antitrupa mbetën në nivele relativisht të larta gjatë gjithë periudhës së studimit prej gati një viti.

“Në rastin e Covid-19, kjo është sigurisht unike dhe e re. Nuk e kishim pritur ta shihnim këtë tek foshnjat. Kur të rriturit infektohen, ata shohin një rritje të përgjigjes së antitrupave në muajt pas infektimit dhe më pas një rënie. Por tek foshnjat, ne nuk e pamë që të ndodhte kjo. Në fakt, në disa foshnje, antitrupat vazhduan të rriteshin, dhe në të tjera ato u ulën, por nuk u pakësuan”, thotë Pulendran.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu një ndryshim tjetër kyç në mënyrën se si foshnjat iu përgjigjën virusit. Ndërsa të rriturit zhvillojnë një përgjigje të fortë inflamatore në gjak menjëherë pas infektimit, foshnjat nuk zhvilluan të njëjtin reagim në gjak.

Studimi zbuloi se “beteja” midis sistemit imunitar dhe virusit po ndodhte kryesisht në indet mukozale të hundës dhe traktit të sipërm respirator, dhe jo në të gjithë trupin.

Arsyeja që antitrupat e gjeneruar nga foshnjat zgjasin shumë më gjatë se ato të gjeneruara nga të rriturit nuk është e qartë, por mund të ketë të bëjë me faktin se foshnjat mund të mbështeten në një lloj përgjigjeje imune të njohur si përgjigja e lindur. Është linja e parë e mbrojtjes dhe nuk përfshin “edukimin” e qelizave imune si antitrupat dhe qelizat T, duke i ekspozuar ato para patogjenëve.

Për shkak se sistemet imunitare te foshnjat janë ende në zhvillim, është e mundur që ata të jenë më të varur nga kjo përgjigje imune e lindur dhe kjo mund të shpjegojë mbrojtjen më të qëndrueshme që ata kanë.

Por, thotë Pulendran, “është një nga misteret e mëdha në imunologji pse në disa raste si fruthi dhe lija e dhenve, duhet të kesh vetëm një infeksion gjatë fëmijërisë dhe je i mbrojtur për gjithë jetën por me infeksione të tjera si gripi dhe Covid-19, nuk ndodh diçka e tillë”.

Shkencëtarët zbuluan se antitrupat që prodhonin foshnjat, megjithëse ishin të bollshme dhe të qëndrueshme, ishin më pak të fuqishme nëse foshnjat do të infektoheshin me një variant tjetër.

Burimi: Time. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë