Treg

Pse Banka Europiane mund të ‘luajë’ sërish për kohën e uljes së normave në takimin e nesërm?

Nga Gazeta ‘Si’ - Ekonomia e eurozonës nuk po rritet, rritja e çmimeve po ngadalësohet dhe kostot e larta të huamarrjes po shtrëngojnë kërkesën për kredi, megjithatë Banka Qendrore Evropiane pritet të thotë këtë javë se i duhet më shumë kohë për t'u siguruar që inflacioni është zbutur.

 Këshilli drejtues i BQE-së do të mblidhet të enjten(25 janar) pasi inflacioni në eurozonë ka rënë nga kulmi prej 10.6 për qind në fund të vitit 2022 në 2.9 për qind muajin e kaluar.

Norma e synuar e bankës është 2 për qind. Megjithatë, vëzhguesit e bankave besojnë se BQE, e udhëhequr nga presidentja Christine Lagarde , do të vazhdojë të lërë në pritje politikën monetare – me normën e depozitave në një nivel rekord prej 4 për qind.

Katharine Neiss, një ish-ekonomiste e Bankës së Anglisë tha se BQE ishte e prirur drejt kujdesit për uljen e normave pasi u përball me kritika vitet e fundit për nënvlerësimin e rritjeve të inflacionit.

“Thënë thjesht, politikëbërësit do të duan të jenë të sigurt se xhindi i inflacionit ka hyrë përsëri në shishe.”

Një tjetër arsye pse Lagarde ka të ngjarë të jetë e kujdesshme në lidhje me ritmin e dezinflacionit është tregu i ngushtë i punës në eurozonë. Papunësia në eurozonë është në nivelin më të ulët rekord prej 6.4 për qind. Në këto kushte, një shqetësim është se punëtorët do të kërkojnë rritje të mëdha pagash për të rikthyer fuqinë blerëse që humbën pas rritjes më të madhe të çmimeve për një brez.

E shoqëruar me rënien e produktivitetit, kjo rrezikon të rrisë sërish presionet e çmimeve, ndërsa kompanitë përpiqen të kalojnë kostot e tyre më të larta të punës.

BQE do të jetë banka e dytë qendrore e madhe që do të takohet për politikën që nga fillimi i vitit 2024, pasi Banka e Japonisë mbajti normat në territor negativ të martën. Rezerva Federale e SHBA dhe Banka e Anglisë takohen javën e ardhshme. Për momentin, shumica e përcaktuesve të normave të eurozonës duken të sigurt se janë në rrugën e duhur për të ulur inflacionin në objektivin e tyre prej 2 për qind deri në vitin e ardhshëm. Por shumë duan më shumë prova se rreziqet e larta si rritja e fortë e pagave nuk do të materializohen përpara se të jenë gati të shpallin fitoren.

Rreziku tjetër mbi inflacionin është lufta midis Izraelit dhe Hamasit dhe potenciali që ajo të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme që mund të prishë furnizimin me energji nga rajoni dhe të rrisë çmimet e naftës dhe gazit. 

Sulmet nga rebelët Houthi të Jemenit mbi anijet në Detin e Kuq kanë ndërprerë tashmë tregtinë globale, duke bërë që shumë anije të udhëtojnë në skajin jugor të Afrikës në vend që të rrezikojnë të kalojnë përmes Kanalit të Suezit, duke i shtuar kohë dhe kosto transportit të mallrave. 

 Megjithatë, shumica e ekonomistëve minimizojnë ndikimin inflacioniste të përçarjes detare. Mark Ëall, kryeekonomist evropian në Deutsche Bank, tha se ekzistonte "një tampon për të absorbuar kostot në rritje", falë kapacitetit të lirë në industrinë e transportit detar, inventarëve të lartë, marzheve të larta të fitimit dhe kërkesës së dobët.

Çmimet e naftës kanë rënë që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas dhe çmimet evropiane të gazit natyror janë përgjysmuar pothuajse në tre muajt e fundit për të rënë në nivelin e tyre më të ulët për më shumë se dy vjet.

Investitorët po vënë bast se disinflacioni më i shpejtë se parashikimi do ta shtyjë BQE-në të fillojë uljen e normave që në prill.

Por një varg politikëbërësish të BQE-së kanë sinjalizuar kohët e fundit se kjo duket shumë optimiste. Lagarde tha në Forumin Ekonomik Botëror të javës së kaluar në Davos se një ulje e normës "ka gjasa" deri në verë.

Burimi: Financial Times/Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë