Ngjarje

Pro dhe kundër shkrirjes së Albanologjisë. Akademia e Shkencave pa personel dhe me akademikë në pension për 3 projektet madhore

Nga Luljeta Nelallari - Të mërkurën (më 31 maj) qeveria miratoi projektvendimin për “shkrirjen” e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe vendosjen e saj nën varësi të Akademisë së Shkencave duke i kaluar asetet dhe studiuesit e këtij institucioni nën Akademinë e Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi.

Ndërkohë që pas reformës së vitit 2008 (një reformë për kalimin e institucioneve kërkimore pranë universiteteve që synonte ta lidhte kërkimin shkencor me mësimdhënien) Akademia e Studimeve Albanologjike krijoi entitet më vete në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë duke u riorganizuar si institucion kërkimor-shkencor me bazë 4 institutet e saj (që para vitit 2008 ishin pjesë e Akademisë së Shkencave) Akademia e Shkencave duket se mbeti një “formacion” pa njerëz.

Për gjuhëtarin dhe studiuesin Gjovalin Shkurtaj, kalimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike nën varësi të Akademisë së Shkencave, është kthim në identitet pasi Akademia nuk mund të ketë veprimtari pa Institutet. 

“Akademia jonë e Shkencave është themeluar pikërisht mbi bazën e punës e të ndihmesave të ish-punonjësve shkencorë të Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, të Institutit të Kulturës Popullore etj. Për mua ky është një rikthim në identitet, në kuptimin që ata institute kanë qenë në Akademi dhe kanë vepruar aty. Tani Akademia ka disa njësi të tjera, ka Kryesinë, ka anëtarët e Akademisë, akademikë të cilët janë më tepër honorifikë. Duke mos pasur institute poshtë, të gjithë ata që pyesin çfarë bën akademia, e kanë gabim, Akademia nuk mund të bëjë më shumë përderisa nuk ka institutet”, shprehet gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “funksioni i Akademisë ka qenë dhe mbetet për të bashkëpunuar, për të rakorduar, për të lidhur sa më mirë këto punonjës shkencorë”.

Studiuesi Shkurtaj thotë se Akademia e Shkencave ka akademikë të cilët nuk kanë punuar e nuk punojnë në Akademi, pra janë të jashtëm.

“Akademia ka akademikë, akademikë të asociuar dhe Akademikë Emeritus, të cilët nuk kanë punuar e nuk punojnë në Akademi, por janë pranuar si anëtarë të Asamblesë nga radhët e profesorëve të universiteteve apo të instituteve shkencore. Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë e janë edhe nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, nga Instituti i Historisë etj. Edhe këto vitet e fundit kemi pranuar akademikë të asociuar dhe akademikë nga ASA, si Valter Memisha, Stefan Çapaliku, Adem Bunguri, Gëzim Hoxha; nga Fakulteti i Filologjisë Kristina Jorgaqi, nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës Mimoza Hafizi etj, etj. Po ashtu ka akademikë nderi apo të jashtëm nga vende të ndryshme të botës dhe nga Kosova, nga diaspora arbëreshe e Italisë dhe e Greqisë etj”, shprehet Shkurtaj.

Ndërkohë, gjuhëtarja Ledi Shamku thotë për Gazetën “Si” se qeveria ka kthyer Akademinë e dikurshme, por është në shkelje të ligjit. Sipas saj, së pari duhej ndryshuar ligji i Akademisë së Shkencave, pasi nuk mund të jetë Akademia pa Institute.

Gjuhëtarja Ledi Shamku

“Vetë Skënder Gjinushi është shprehur se ‘Albanologjia duhet të kthehet aty ku hyri në 1972, pra nën Asamblenë e Akademisë së Shkencave. Duhet të kthehemi prapa për të ecur para’. Por me cilin ligj e kthen? Ligji i 2019-s për Akademinë e Shkencave nuk ia lejon”, shprehet gjuhëtarja Shamku.

Një tjetër problem sipas Shamkut është se Akademia e Shkencave ka status honorifik (me akademikë të brendshëm e të jashtëm), por nuk bën kërkime shkencore vetë si Akademi.

“Akademia merr fonde nga qeveria dhe shpërndan punë (atij që dëshiron dhe kujt dëshiron) dhe me drejtimin shkencor që do”, vijon Shamku.

Të njëjtën gjë e pohon edhe drejtori i Institutit të Antropologjisë Kulturore, Nebi Bardhoshi.

“Në thelb është honorifike sepse themeli i saj është vetëm për të nderuar figura të shkencës, duke i bërë akademikë. Ligji aktual i ASH jep mundësi të ndërtojë vetëm njësi kërkimore me afat, s’ka parashikuar ‘institute’. Po të kishte institute kërkimore s’do ishte më Akademi de facto honorifike”, shprehet Bardhoshi për Gazetën “Si”.

Neni për Institutet

Ai shton se “edhe me VKM-në nuk janë parashikuar institutet. Institutet parashikohet të jenë njësi kërkimi. Pra ASH ngelet prapë de fakto honorifike”.

Ndonëse e mbetur pa personel aktiv, Akademia e Shkencave në vitin 2021 në bashkëpunim edhe me Akademinë e Shkencave të Kosovës bashkoi forcat për të nisur hartimin e tri projekteve madhore si “Enciklopedia shqiptare”, “Fjalori i madh i shqipes”, si dhe “Historia e shqiptarëve”.

Të tri këto projekte pritet të jenë ndërmarrja e parë e bashkuar që do të zëvendësojë “Fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe” (1980), “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (1985), si dhe “Historinë e Popullit Shqiptar” (2002, 2007 dhe 2009).

Adem Bunguri, anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave thotë për Gazetën “Si” se këto projekte madhore janë në proces pune.

“Akademia e Shkencave ka nisur punën për tre projekte madhore, i pari prej të cilave është ‘Historia e Shqiptarëve’, një vepër shumë e madhe ku janë angazhuar një numër i madh studiuesish, ndër studiuesit më të mirë që kemi ne sot. Ne kemi grupet e punës që po punojmë për veprën “Historia e Shqiptarëve” sipas periudhave, sipas kapitujve. Kemi edhe nga Instituti i Historisë si profesor Luan Përzhita, Beqir Meta etj. Afati për mbylljen e Historisë së Shqiptarëve është në fund të vitit, që duhet të çohet në shtyp, ne tani jemi në fazën e redaktimit. Vepra e dytë Enciklopedia që duhet të mbarohet për një afat 5-vjecar, dhe Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, shprehet Bunguri për Gazetën “Si”.

Për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, gjuhëtari Shezai Rrokaj, pjesë e grupit të punës thotë për Gazetën “Si” se “projektin e fjalorit e drejtojnë profesorët Jani Thomai dhe Valter Memisha. Për fjalorin është konstituar një grup pune me studiues nga ASA, universitetet, Kosova deri tek arbëreshët. Pra ne jemi 7 grupe pune që kemi marrë përsipër ta realizojmë. Jemi duke punuar rreth 30 veta. Do të ketë rreth 100 mijë fjalë dhe shprehje frazeologjike dhe si afat është për t’u mbyllur brenda 6-mujorit të parë të vitit tjetër”.

Gjuhëtarja Ledi Shamku thotë se një prej arsyeve kryesore të shkrirjes së ASA është pamjaftueshmëria e burimeve njerëzore për vijueshmërinë e tri projekteve, Enciklopedisë, Fjalorit dhe Historisë së Shqiptarëve nga ana e Akademisë së Shkencave.

“Shkrirja e ASA është bërë për të pasur Skënder Gjinushi personel nën varësi, pra që të kenë detyrime institucionale për të mbyllur tri projektet e mëdha. Gjithashtu për të marrë edhe cdo aset të çmuar ASA ka. Gjinushi nuk mund t’i mbarojë projektet me akademikët që ka pranë saj, të cilët janë në moshë pensioni, sa orë mund të punojnë ata. Duhen kapitale njerëzore, pra duhen studiues në moshë pune. Ne tani duhet të lëmë kërkimet dhe projektet tona individuale, për t’u bërë argat të Akademisë së Shkencave”, vijon më tej gjuhëtarja Shamku.

Duke qenë se 3 projektet madhore janë në bashkëpunim me Kosovën, Gazeta “Si” u interesua edhe te Akademia e Shkencave në Kosovë. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja thotë për Gazetën “Si” se Akademia e Kosovës është tërhequr nga Fjalori i Gjuhës Shqipe, pasi nuk ka kapacitete të mjaftueshme studiuesish.

“Akademia e Kosovës nuk është e përfshirë në hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe. Është përfshirë Instituti Albanologjik i Prishtinës. Arsyeja: nuk kemi kapacitete të mjaftueshme gjuhëtarësh dhe leksikografësh për të qenë të përfshirë në një projekt aq të madh. Me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kemi një protokoll bashkëpunimi periodik dhe të përhershëm. Fjalori i madh ishte pjesë e këtij protokolli, por doli se ne nuk kishim kapacitete të mjaftueshme për të qenë pjesë e këtij projekti (dy nga gjuhëtarët akademikë tashmë janë te moshuar: kapin moshën 75-85 vjeç)”, shprehet Kraja për Gazetën “Si”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja

Kraja thotë se nuk janë të përfshirë as te Historia e Shqiptarëve, por janë të përfshirë vetëm te Enciklopedia.

“Ne Enciklopedi jemi të përfshirë, ndërsa në Histori jo, është Instituti i Historisë së Kosovës. Arsyeja pse nuk jemi të përfshirë te Historia e Shqiptarëve është po e njëjta me Fjalorin”, thotë ndër të tjera Kraja.

Gjuhëtari Naim Berisha nga Instituti Albanologjik i Kosovës thotë për Gazetën “Si” se “ne si Institut Albanologjik, në mënyrë të veçantë si Degë e Gjuhësisë, jemi pjesë e projektit të Fjalorit. Kemi edhe marrëveshje të nënshkruar me Akademinë e Shqipërisë. Janë 8 studiues të përfshirë”.

Gjuhëtarja Ledi Shamku shpjegon për Gazetën “Si” se marrëveshja me Institutin Albanologjik të Kosovës nuk është institucionale. Sipas saj Marrëveshja institucionale është Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Kosovës, ndërsa të tjerat janë të gjitha individuale.

“Kur është paraqitur në qeverinë shqiptare ky projekt i Fjalorit të Madh të Shqipes për financim është paraqitur si projekt i përbashkët midis dy Akademive dhe për këtë ka marrë fonde. Pastaj se cilat institucione përfshinin apo nuk përfshinin këto dy akademi është në tagrin e secilës për të bërë degëzime të marrëveshjes. Marrëveshja themelore ka prezantuar në qeverinë shqiptare faktin që ky fjalor, duhet të dalë me dy koka, duhet të jetë produkt i marrëveshjes ndërakademike që nuk ekziston”, përfundon Shamku për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë