Arsim

Qeveria shkrin Albanologjinë, Kushi: Shkelje në strukturë dhe financa. Por ministrja habit: S’do të ketë masa për abuzimin

Nga Gazeta ‘SI’ - Qeveria ka miratuar sot shkrirjen e Akademisë së Albanologjisë dhe dërgimin e saj pranë Akademisë së Shkencave, si njësi autonome.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se ky vendim vjen pas konstatimit të shumë shkeljeve financiare dhe funksionale në këtë Akademi dhe se është e pamundur ekzistenca e Albanologjisë si një e vetme.

“Akademia nuk arriti kurrë të organizohet në respekt të ligjit. Ne nisëm një kontroll dhe atje janë konstatuar parregullsi dhe shkelje të rënda ligjore, në strukturë dhe administrim financiar. Ata nuk kanë asnjë fakultet dhe nuk japin mësim prej dy vitesh. Kjo e bën të pamundur funksionin si institucion i arsimit të lartë. Është institucion i pa akredituar dhe nuk ka programe. Mos akreditimi e bën të pamundur të jetë institucion dhe të lëshojë diploma. Institucionet e tjera janë akredituar 2-3 herë, Albanologjia asnjëherë.”, tha ministrja në konferencën pas mbledhjes së qeverisë.

Ajo shtoi se ministria e Arsimit, që monitoronte këtë Akademi deri më tani, ia ka kërkuar herë pas herë që të riorganizohen, por ata nuk e kanë bërë dhe kanë vijuar me shkeljet. Kushi mohoi lajmet se nuk ia kanë komunikuar vendimin pjesëtarëve të Albanologjisë.

Po ashtu ministrja tha se ata që e kundërshtojnë vendimin janë vetëm një grup i vogël, që kanë pasur gisht në këto shkelje.

“Disa prej studiuesve që janë pjesë e Akademisë së Albanologjisë janë dhe pjesë e Akademisë së Shkencave dhe ato janë shprehur pro këtij vendimi. Këto persona, kur janë në Akademinë e Shkencave janë pro vendimit, kur janë në Akademinë Albanologjike për arsyet e tyre, kanë mendim tjetër por në tërësi, janë një pakicë e vogël që janë kundër këtij vendimi dhe shumica na ka mbështetur.”

Pyetur nga gazetarët nëse janë të vërteta akuzat se shkrirja po bëhet për t'ia kaluar fondet e Albanalogjisë, Akademisë së Shkencave të Skënder Gjinushit, Kushi tha se “drejtuesit janë të përkohshëm, nuk merremi me emra. Ne e kemi me institucionin.”

Ministrja përfundoi fjalën e saj duke thënë se për shkeljet e gjetura nuk do të ketë masa, pasi qëllimi nuk është fajësimi, por të ngrihet në nivelin që meriton.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë