Ngjarje

Shpërthimi në banesën e gjyqtarit në Shkodër, KLGJ: Dënojmë këtë akt kriminal, të zbardhet ngjarja

Nga Gazeta 'Si'- Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi pas sulmit me tritol në derën e jashtme të banesës së gjyqtarit Tonin Sterkaj në Shkodër, duke theksuar se akte të tilla cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë.

Në një deklaratë për media KLGJ theksoi që gjyqtarët duhet të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor.

"Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës", thuhet në deklaratën e KLGJ-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë