Arsim

Premtimet e (pa)mbajtura të “Paktit për Universitetin”

Mentor Kasa - Më 19 dhjetor 2018, në kulmin e protestës studentore, Kryeministri Edi Rama njoftonte njëanshmërisht “Paktin për Universitetin”, ku zotohej se jo vetëm do të adresonte 8 kërkesat e përpiluara prej tyre, por do të shkonte edhe më tej duke shtuar disa pika të tjera për një arsim të lartë cilësor.

Një javë më vonë, pra më 26 dhjetor, Qeveria kaloi me shpejtësi disa VKM dhe Kryeministri, e Ministria e Arsimit dolën me një sërë urdhrash ekzekutivë për adresimin e këtyre pikave. Që prej atyre ditëve, Kryeministri Edi Rama është angazhuar personalisht në aktivitete e dalje publike për të prezantuar “Paktin për Universitetin”. Në këto dalje, Rama u vendoste afate kohore zotimeve të ndërmarra.

Po sot, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga prezantimi i paktit, sa janë mbajtur premtimet e dhëna në kulmin e protestës studentore? “Qëndresa Qytetare” e mbështetur nga Qendra Ndërkombëtare “Olaf Palam” ka monitoruar zbatimin e zotimeve publike të Kryeministrit duke përfshirë çdo akt, afat, vendim apo nismë të adresuar në dokument.

Nga vëzhgimi 3-mujor i “Qëndresës Qytetare” rezulton se nga 22 premtimet e bëra në kuadër të paktit, vetëm pesë janë mbajtur brenda afatit, dy jashtë tij dhe 9 premtime të tjera rezultojnë të pambajtura, ndërsa gjashtë premtime kanë kohë deri në qershor 2019. Përveç kësaj, monitorimi nxjerr në pah një mungesë të theksuar transparence.

“Pavarësisht se Kryeministri dhe Qeveria në 3 muaj monitorim kanë realizuar 25 komunikime publike në 1049 minuta transmetim të drejtpërdrejtë për “Paktin për Universitetin”, rezulton se vetëm në 3 nga 18 të dhëna mbi kontratat, buxhetin dhe zotimet e paktit janë bërë publike, duke munguar transparenca. Retorika elektorale ka dominuar punën për kërkesat reale të studentëve”, thuhet në raport.

Në pikat e tjera, vëzhgimi gjen mungesën e parashikimeve për investime në konviktet në rrethe, që urdhri i Ministrisë për transparancën në arsimin e lartë nuk doli në afat dhe që portali u publikua vonë, që nuk pati transparencë në zgjedhjet e anëtarëve të rinj të Bordeve të Administrimit nga Ministria, nuk pati rregullore specifike dhe s’u publikua numri i votave të kandidatëve të zgjedhur nga studentët, duke mos garantuar pjesëmarrjen e plotë të tyre në këtë proces. Vërehet gjithashtu edhe mosplotësimi brenda shkurtit i akteve nënligjore për Kartën e Studentit, ndërsa për pikën 8, atë që premton 1000 vende pune në administratë për studentët ekselentë, saktësohet se VKM-ja 766 është e vlefshme vetëm për vitin 2019, duke mos garantuar qëndrueshmëri në shërbimin civil për të punësuarit.

Tabela e premtimeve të renditura sipas kategorisë tëmbajtura ose jo, sipas Qëndresës Qytetare

Nga vëzhgimi i “Qëndresës Qytetare”, rezulton se lista e premtimeve të pambajtura dhe të parealizuara është më e gjatë se ajo e premtimeve të mbajtura në kuadër të këtij pakti të vetëofruar nga ana e Kryeministrit. Por, edhe ato premtime që janë mbajtur, sipas “Qëndresa Qytetare”, janë sipërfaqësore dhe nuk cekin thelbin e problematikës.

Një prej pikave kryesore të paktit është ajo për verifikimin e titujve akademikë. Kryeministri Edi Rama nënkuptoi së fundmi se Qeveria e kishte kryer pjesën e saj duke ngritur portalin u-Transparenca. Përgjegjësinë tani ai ua kaloi universiteteve. “Pse Qeveria do të bëjë verifikimin e doktoraturave dhe titujve shkencorë?”, tha ai.

Por, nga “Qëndresa Qytetare” thonë se VKM-ja e miratuar në dhjetor të vitit të kaluar zotohet për të kundërtën. I kontaktuar nga Gazeta “Si”, njëri nga drejtuesit e "Qëndresa Qytetare", Rigels Xhemollari thotë se kanë marrë zgjidhje vetëm problemet financiare që cenojnë xhepin e studentëve, por jo transparenca dhe as vettingu i titujve akademikë. Për më tepër, Xhemollari thotë se nga vendimet dhe emërimet e Qeverisë kuptohet se nuk ka vullnet në këtë drejtim.

“Në VKM transparenca e titujve akademikë merret përsipër nga Ministria e Arsimit. Po ashtu, nga njëra anë anëtarët e bordit janë shkarkuar. Albana Koçiu u shkarkua si anëtare bordi administrimi dhe sot drejton departamentin e punësimit, që u thotë studentëve sot në punë ju marrim ne. Po ashtu, zv.ministri i akuzuar për plagjiaturë, sot promovohet për kryetar bashkie në Berat”, thotë Xhemollari.

Sa u takon plagjiaturave, VKM nr.777 përcakton krijimin e një arkivi digjital të doktoraturave pranë Ministrisë së Arsimit dhe pasi të kryhet kontrolli i të gjitha gradave shkencore të akumuluara në këtë arkiv nëpërmjet një programi soft, ministria përgjegjëse për arsimin do të dorëzojë raportet e kontrollit antiplagjiaturë pranë universiteteve.

Raporti kujton se kërkesa për rritjen e buxhetit për arsimin në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto është refuzuar. Fondi për arsimin, si pjesë e buxhetit 2019 është 3.3 për qind e PBB-së, por pjesa më e madhe e tyre shkon për arsimin parauniversitar. Vetëm 0.4 për qind e PBB-së shkoi në 2018 për arsimin e lartë.

Nga vëzhgimi është gjetur gjithashtu se as kërkesa për përgjysmimin e tarifave nuk ka prekur të gjithë studentët. Përgjysmimi u arrit vetëm për kategori preferenciale, sipas një skeme të ofruar nga Qeveria, asaj të përshkallëzimit të tarifave bazuar në meritë, jo për të gjithë siç u kërkua nga studentët. Efekti financiar në buxhetin e shtetit i këtyre ndryshimeve përllogaritet nga “Qëndresa Qytetare” në rreth 2.1 miliardë lek.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë