Art dhe Kulture

Poezia e Podrimjes në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit

Në kuadër të Javës Kombëtare Kulturore që i është kushtuar Kosovës, si dhe në kuadër të shpalljes së vitit 2022 si “Viti Ali Podrimja” nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, u mbajt në mjediset e QKLL-së aktiviteti letrar “Poezia e Podrimjes”.

Të ftuar ishin studiuesit Viola Isufaj, Gazmend Krasniqi dhe Ermir Nika, të cilët folën për figurën e poetit nën moderimin e Anxhela Lepurit.

Që prej kujtimeve dhe mbresave vetjake, të bisedave me Podrimjen mbi poezinë, çfarë përfaqësonte ajo te poeti dhe qenia e tij modeste, biseda u shtri mbi rëndësinë dhe epokën e kthesës që shenjoi poezia e Podrimjes pas një tradite të gjatë letrare të Kosovës në këtë zhanër, përfshirja në këto poezi të elementeve përfaqësuese të etnisë dhe kombit shqiptar si kulla, gurët, toka, toponimet, po ashtu përfshirja e simbolikës në poezinë e tij, e cila do të ishte elementi letrar më përfaqësues. (ATA)

KOHA ËSHTË TË DUHEMI…

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime,
ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë