Nga Gazeta ‘Si’- Bullgaria me këngëtaren DARA triumfoi në Eurovision Song Contest 2026 me këngën “Bangaranga”, duke rrëmbyer trofeun e edicionit jubilar të 70-të me 516 pikë. Një natë spektakolare në arenën “Wiener Stadthalle” të Vjenës, mes emocioneve, performancave shpërthyese dhe polemikave për pjesëmarrjen e Izraelit, kurorëzoi Bullgarinë fituese të festivalit më të madh europian të muzikës.


Në vendin e dytë u rendit Izraeli, mes polemikave e fishkëllimave në momentin e shpalljes së rezultatit të televotimit. Rumania u rendit e treta me 296 pikë, Australia e katërta me 287 pikë, ndërsa Italia me Sal Da Vinci u pozicionua në vendin e pestë me 281 pikë. Britania e Madhe u rendit e fundit me vetëm një pikë. Mbrëmja u karakterizua nga një garë e ashpër dhe tepër e fortë mes Izraelit dhe Bullgarisë. Pas këtij triumfi, Eurovision 2027 do të mbahet në Bullgari.
Shqipëria që përfaqësua nga Alis Kallaci me këngën ‘Nan’, u rendit në vendin e 13 me 145 pikë, nga të cilat 85 pikë ishin mbështetja nga publiku dhe 60 nga juria. Shqipëria mori pikët maksimale (12) nga Portugalia dhe 10 pikë nga Mali i Zi. Në votat e saj, Shqipëria i dha 12 pikët maksimale Italisë dhe 10 pikë Norvegjisë.

Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë, si dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.
Balada “Nân” nuk është thjesht një këngë; është një himn për dhimbjen e emigracionit dhe mallin e nënës që pret fëmijën, një mesazh që ka rezonuar çka bëri që edhe gjiganti mediatik britanik, BBC, ta theksojë si një perlë të këtij festivali.
Pesë shtete bojkotuan eventin, Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, në platformën X, deklaroi se “ndihet në anën e duhur të historisë”. Për izraelitin Noam Bettan me këngën “Michelle” pati si fishkëllima ashtu edhe duartrokitje të forta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje