Muzike

Alis ndez skenën e Eurovisionit në Vjenë dhe çon Shqipërinë në finale (VIDEO)

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria do të jetë pjesë e finales së Eurovision. Alis me këngën “Nan”, si i 13-ti në radhë për të performuar në këtë mbrëmje, arriti ta çojë vendin tonë në finale.

Me një interpretim plot emocion, siguri dhe energji, artisti arriti të krijojë një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.

Kënga u shoqërua me një performancë moderne skenike, efekte vizuale mbresëlënëse dhe një interpretim vokal të vlerësuar nga fansat e festivalit. Performancën e bëri akoma më interesante edhe prania e aktores Rajmonda Bulku në skenë.

Duartrokitjet e gjata në fund të performancës treguan entuziazmin e publikut për paraqitjen e tij.

Mediat ndërkombëtare të festivalit e kanë përfshirë Shqipërinë mes vendeve që mund të surprizojnë në votime.

 “Nan”, një këngë me ngarkesë të fortë emocionale dhe elementë modernë të ndërthurur me identitetin shqiptar, duket se arriti të krijojë lidhjen e duhur me publikun europian.

Të shtunën, më 16 maj, Alis do të ngjitet sërish në skenën e Eurovision për të sjellë edhe një herë interpretimin e tij, në natën më të rëndësishme të festivalit.

Në finalen e madhe u kualifikuan edhe: Bullgaria, Ukraina, Australia, Rumania, Norvegjia, Malta, Qipro, Danimarka dhe Çekia, të cilat iu bashkuan vendeve të kualifikuara nga gjysmëfinalja e parë: Belgjika, Kroacia, Finlanda, Greqia, Izraeli, Lituania, Moldavia, Polonia, Serbia dhe Suedia.

Në finale do të jenë automatikisht edhe Austria si vend organizator, si edhe Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat kualifikohen direkt për shkak të kontributit financiar në festival. Këtë vit, koncepti i “Big Five” u kthye praktikisht në “Big Four”, pas tërheqjes së Spanjës nga Eurovision 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë