Kombetarja

Po sikur Kombëtarja të dështojë edhe me Andorrën?

Pas atij dështimi të madh me Turqinë, ku u shkarkua trajneri italian Kristian Panuçi, Shqipëria luan në Andorra ndeshjen e dytë. Kuqezinjtë shpresojnë të “mbledhin kockat” me një fitore që do t’i mbante teorikisht në lojë për kualifikimin në Euro 2020. Teorikisht, sepse praktikisht, me atë që u pa në Shkodër, duket një ekip me pak shanse edhe për vendin e tretë. Pra iku trajneri po skuadra dhe gjithçka rreth saj mbeti. Ndaj me te drejtë, një droje ekziston: Po sikur të dështojmë edhe në Andorra?

Nuk është çudi të mos fitojmë edhe ndaj këtij kundërshtari modest, sepse problemet nuk është se u zgjidhën me largimin e Panuçit. Dikur, kundërshtari amator na ka lënë një kujtim shumë të hidhur. Andorra na ka mundur në prill të vitit 2002. Ishte një miqësore dhe humbëm 2-0. Atëherë ishte i njëjti president, Armand Duka, në fillimet e tij në krye të FSHF-së, që shkarkoi Sulejman Demollarin. Ishte një ndeshje turpi, por nga shumë protagonistë të kohës është konsideruar jo publikisht një ndeshje “e bërë”. Është pothuajse e vetmja ndeshje nga e cila nuk ka pamje filmike për të gjykuar, nëse ishte e tillë apo jo, por dyshimet nga copëzat e rrëfimit të protagonistëve të çojnë te një humbje e qëllimshme për të larguar trajnerin, i cili u masakrua edhe nga shtypi në atë kohë. Çfarë ka ndodhur realisht, e dinë ata që ishin në fushë dhe drejtuesit e tyre. Ai që do ta drejtojë Shqipërinë në Andorra, Ervin Bulku, në atë ndeshje luajti si zëvendësues. Atëherë u mund dhe tani duhet të fitojë nga stoli, bashkë me Sulejman Memën. Kjo dyshe do ta drejtojnë Shqipërinë vetëm në këtë ndeshje, më pas do të zgjidhet trajneri i ri, që mund të jetë përsëri italian.

Formacionet e ndeshjes miqësore me Andorran në vitin 2002

Atëherë Shqipëria ishte më pak e organizuar, me më pak ambicie. Por kombëtarja sot, edhe pse shumë shkallë më lart në renditje dhe me performanca më të mira, duket se nuk ka mundur ta kurojë sëmundjen kryesore dhe që nuk lidhet vetëm më trajnerin.
E nisëm këtë fazë të eliminatoreve për në Euro 2020 me një humbje në shtëpi dhe mbi të gjitha me një paraqitje të pashpresë edhe para tifozëve që kishin mbushur stadiumin “Loro Boriçi”. Një trajner i larguar, i cili që në fillim ishte pritur me skepticizëm nga specialistët në vend, që vinin në dyshim aftësitë e tij drejtuese dhe që më pas ishte bërë “antipatik” për shkak të problemeve me komunikimin me lojtarët dhe përplasjeve me disa prej tyre (rasti i fundit Strakosha), por edhe me shtypin. Panuçi iku, por të gjithë e dinë shumë mirë se nuk ishte ai problemi i vetëm. Trajneri ishte një nga problemet e dukshme të kësaj kombëtareje, që po vuan shumë për ndryshimin e gjeneratave.

Lojtarët pas humbjes 0-2 në Shkodër

Një tjetër problem i dukshëm është niveli në rënie i disa lojtarëve titullarë të Kombëtares. Në ndeshjen e Shkodrës nuk ishte e vështirë të kuptohej se lojtarë si Taulant Xhaka, Bekim Balaj, Ledian Memushaj e ndonjë tjetër nuk janë më atë të mëparshmit. Sigurisht, ata nuk mund të kenë më mushkëritë e disa viteve më parë, por duket se e kanë shumë të vështirë ta orientojnë ekipin faktikisht, apo edhe moralisht, për shkuar te fitorja. Mungon lideri në fushë, ndërsa Gjimshiti e Veseli, edhe pse luajnë në Serinë A, nuk po arrijnë t’i japin diçka më shumë Kombëtares në mbrojtje. Sadiku dhe Grazda vijnë nga dëmtimet e gjata dhe janë larg formës. Ismajli dhe Uzuni janë shkëndijat e vetme të shpresës për momentin. Pra, ekipi ka probleme edhe me organikën, me disa lojtarë në regres dhe pa pika orientimi.

Pastaj janë edhe problemet e padukshme. Njëri prej tyre dhe më kryesori është ndikimi që njerëz të ndryshëm kanë në ekipin kombëtar, duke nisur që nga lista e lojtarëve, ku shpesh futen edhe ata që nuk e meritojnë, por që menaxherët e tyre kanë lidhje të forta më zyrtarët e FSHF-së. Kohët e fundit ka ndodhur që një “x” lojtari nuk i ka shkuar ftesa fillimisht në klubin e tij, por pas pak ditësh ai “çuditërisht” figuronte në listë. Është një problem tipik shqiptar dhe që ndikon jo pak. Trajneri duhet të jetë krejtësisht i pavarur në punën e tij, të bëjë zgjedhjet që mendon dhe më pas përgjigjen e japin rezultatet në fushë. Kjo problematikë nuk është se shpëton Panuçin, por tregon se në Kombëtare duhen sistemuar edhe çështje të tjera një herë e mirë.

Një fitore me Andorrën mbrëmjen e së hënës nuk do të ndryshonte asgjë, nuk do t’i fshinte të gjitha problematikat e përmendura më sipër, pavarësisht se kush do të jetë në stol, Demollari, Panuçi apo Bulku… Në realitetin e sotëm kuqezi, nuk do të ishte ndonjë çudi e madhe që Andorra të na linte sërish një kujtim të hidhur, si në prillin e 2002-shit, vetëm nëse nuk e “kemi bërë” fitoren që në tavolinë, pa i nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë