Kombetarja

Dortmundi gati 40.000 vende falas për tifozët kuqezi, ja çfarë po ndodh në prag të Shqipëri-Itali!

Gazeta Si - Gjermania po bëhet gati të presë shqiptarët, ashtu si tifozët e 22 shteteve të tjera të Europianit të kësaj vere. Gazeta Si ka siguruar ekskluzivisht lëvizjen dhe organizimin e një prej ndeshjeve më të shumëpritura të kuqezinjve, asaj me Italinë në Dortmund, më 15 qershor.

Sipas programit të UEFA-s dhe stafit organizator të Europianit, në qytetin e Dortmundit do të ketë 3 zona grumbullimi tifozësh për të ndjekur ndeshjet, përveç stadiumit.

Risia, veç dy “Fan Zone”–ave (pikave të grumbullimit të tifozëve) 1 dhe 2, që janë rreth 1.3 dhe 2.6 km larg nga stacioni qendror i transportit publik, shumë pranë stadiumit do të ketë një park të madh të hapur. Ky park do të presë rreth 25.000 tifozë, të cilët nga shumë pranë stadiumit, ku siç thonë organizatorët, mund të dëgjohen ede brohorimat e tifozëve, të gjithë pa nevojën e biletës apo akreditimit. Ata mund ta ndjekin ndeshjen Shqipëri-Itali në një ekran gjigand 144 m katrorë.

Një atmosferë festive, që do të fillojë bashkë me Europianin që një ditë më parë, ku do të ketë koncerte me Dj apo këngëtarë lokalë, bashkë me qendrat e argëtimit të fëmijëve dhe të të rriturëve, ku përfshihen edhe artistë të njohur vendas.

Ndërkohë 6200 vende do të ketë njëra nga “Fan Zone” në “Friendplatz”, ku gjithashtu do të ketë një ekran gjigand për ndeshjen dhe shërbime ushqimore rreth sheshit. E njëjta gjë edhe në “Fan Zone 2”.

Një tjetër risi e organizatorëve është shtrimi i tapeteve orientues me ngjyra për të orientuar lëvizjen e tifozëve drejt vendeve të qëndrimit që ata kanë planifikuar. Një skemë e përdorur nga FIFA në Botërorin e vitit 2006 me tapetin e kuq të famshëm, ku janë zhvilluar ndeshje në këtë qytet.

Në tërësi do të ketë hapësira publike për rreth 40 mijë tifozë jashtë stadiumit, që ka një kapacitet prej 66.000 vendesh për ‘Euro 2024’. Kapaciteti normal i tij është 81.365 vende dhe është i famshëm për “Murin e verdhë” të krijuar nga tifozët ultras të Borusias së Dortmundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë