Kombetarja

Intervista/ Nevil Dede: Ku ndryshon kjo Shqipëri nga 2016-a, marrim 4 pikë në Europian!

Gazeta Si – Sapo ka arritur një sukses si trajneri i Elbasanit, duke e rikthyer këtë skuadër në elitën e futbollit shqiptar pas shumë vitesh. Nevil Dede, ish-futbollisti i Kombëtares, Tiranës dhe Elbasan, si dhe trajner i disa skuadrave të njohura në vend, në një intervistë për Gazeta Si, bën një analizë të asaj çfarë mund të presim nga kuqezinjtë në Euro 2024.

Nevil Dede, trajner dhe ish-lojtar i Kombetares. Gazeta Si, 15 prill 2024

Dede tregon se ku ndryshon kjo Kombëtare nga ajo e 2016-ës dhe po ashtu bën me optimizëm një prognozë të ndeshjeve në grup, duke thënë se Shqipëria mund të marrë 4 pikë.

Profesor Dede, po i afrohemi Europianit të Gjermanisë, ku Shqipëria merr pjesë për herë të dytë në histori. Cili është vlerësimi juaj për gjendjen e skuadrës?
Pjesëmarrja në Europian është historike dhe mendoj se jemi me shans të gjithë ne që kemi rastin të përjetojmë këto emocione. Gjendja mendoj dhe besoj se është e mirë, por më mirë do të duket pasi të shpallet lista nga trajneri Silvinjo. Aty do të shihet se çfarë kondicioni do të kenë lojtarët. Sepse të tilla kompeticione varen gjithmonë edhe nga momenti, nga gjendja fizike, psikologjike e lojtarëve, si dhe nga fati. Në një pamje të gjerë, besoj se jemi mirë.

Nëse bëjmë një krahasim mes Kombëtares aktuale dhe asaj të 2016-ës, ku ndryshojnë ato?
Çdo periudhë ka rëndësinë e saj dhe nuk mund t’i vëmë gjërat në peshore për të bërë krahasime. Në 2016-ën ishin të rëndësishëm ata lojtarë, sipas CV-së dhe kushteve ku u zhvilluan. Sot flasim për një Kombëtare më të zhvilluar, ka një evoluim të madh, sepse kemi pasur më pak kandidatë për ekipin kombëtar. Bëhej fjalë për dy-tre emra që ishin në balotazh, kur De Biazi, në mos gaboj, ishte në dilemë për dy-tre pozicione, një qendërmbojtës dhe Rashicën. Sot ka dilema në shumë pozicione, konkurrenca është shumë e madhe.

E dyta, që është shumë e rëndësishme, është se vite më parë lojtarët bënin pjesë në ekipe të dorës së dytë, por ishin të rëndësishëm në Kombëtare. Sot janë të gjithë lojtarë në nivele të larta klubesh, si Seria A, La Liga, Premier Liga. Kudo që janë, janë në nivelin më të lartë, nuk kemi më lojtarë në ekipe të dorës së dytë. Kjo është diferenca më e rëndësishme.

Cilët mendoni se janë lojtarët kyç të Kombëtares, apo lëvizjet kyçe të trajnerit Silvinjo për të krijuar një mekanizëm fitues, të paktën në eliminatore?
Lojtarët kryesorë mendoj që janë Gjimshiti, Bajrami dhe Asllani. Mekanizmi që Silvinjo duhet të përdorë, për mua duhet të jetë i njëjtë me suksesin që i dha kualifikimin në eliminatore. Varet sa mirë do të mbrohemi si skuadër, jo si mbrojtje. Nëse mbrohemi mirë, shanset tona do t’i kemi me cilësitë dhe individualitetin që kemi. Nuk është rastësi që u kualifikuam me disa goditje në portë. Në futbollin e sotëm duhet të jesh shumë pragmatist, diferencat janë të vogla. Kualitet janë të mëdha të individëve që mund të zgjidhin ndeshjen në çdo moment. Në gabimin më të vogël që mund të bësh.

Dede ne dyluftim me Ouen te Anglise. Gazeta Si, 15 prill 2024

Çfarë gjykimi keni për mbrojtjen, një repart që ju e njihni më mirë se të tjerët?
Kemi lojtarë në këtë repart. Hysaj dhe Balliu është një balotazh shumë i fortë në krahun e djathtë. Gjimshiti është një titullar i rëndësishëm i Atalantës. Edhe Ishmajli, përtej periudhës së dëmtimeve që ka pasur ai dhe Kumbulla. Mndoj që dhe Mitaj po integrohet mirë, pavarësisht se do kohë, pasi ka pak ndeshje në Kombëtare. Mund të bëhen një 4-she e pathyeshme dhe të mos harrojmë se kanë përpara një ‘digë’ si Ramadani, që ndihmon shumë mbrojtjen. Ka një peshë specifike shumë të madhe për ekuilibrin e këtij reparti.

Diskutohet shumë lista zyrtare e Gjermanisë, ndërkohë që disa lojtarë të rëndësishëm, si Broja për shembull, kanë humbur minutat në kampionat. Sa ndikon ky fakt?
Për listën do të thosha se është vështirësia më e madhe e Silvinjos që kur ka ardhur në Shqipëri. Tani duhet të mbajë të gjallë suksesin që ka arritur. Dua të them që është më e rëndësishme ta mbash se ta arrish.

Silvinjo është kualifikuar dhe shumëkush mund të thotë se kaq është maksimumi që mund të japë Shqipëria. Nuk jam dakord, sepse përderisa shumica e lojtarëve tanë luajnë në ekipe elitare, do të thotë se nuk ka diferenca. Kemi shumë lojtarë në Serinë A dhe pse të mos përballemi si të barabartë me Italinë. Normal që emrat në letër ndryshojnë, apo dhe forca financiare, por prapë them që mund të bëjmë gjëra të mira.

ër listën do të thosha se problematikë shfaqin pak individë, siç është rasti i Brojës që nuk ka minuta. Nëse do luante, do të ishte vështirësi më e madhe. Mendoj që trajneri në kokën e tij është i qartë për zgjedhjen që do të bëjë. Në fund është përgjegjësi, sepse pritshëmëritë janë më të mëdha.

Dede kur luante me Kombetaren. Gazeta Si, 15 prill 2024

Ndeshja e parë me Italinë kampione Europe, si e sheh këtë sfidë?
Për mua është përballja më e lehtë nga ana psikologjike në grup dhe më e kërkuara nga çdo shqiptar për ta ndjekur. Dhe të gjithë mendojnë që mund të bëjmë rezultat për faktet që përmenda më lart.

Nëse do të marrim pikë në grup, ndaj kujt kundërshtari kemi më shumë shanse?
Mendoj dhe besoj se do të marrim 4 pikë. Se përballë kujt do t’i marrim, nuk ka shumë rëndësi. Varet nga sa mirë do të dimë të mbrohemi. Kemi kundërshtarë elite në futbollin jo vetëm europian, por edhe botëror. Pavarësisht, kësaj ne kemi lojtarë në kampionatet e tyre me numër të konsiderueshëm, sidomos në Itali e Kroaci, edhe në Spanjë nuk kemi bërë keq. Rastet e Sadikut e Uzunit tani janë evidente. Tregojnë mundësitë që çfarë mund të bëjmë. Shpresoj dhe forca Shqipëria!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë