Kombetarja

Policia gjermane siguron shqiptarët pas kërcënimeve të ISIS, priten 150 mijë tifozë kuqezi në Europian

Gazeta Si - Prej një jave një pjesë e delegacionit shqiptar të Euro 2024 ndodhet në Gjermani, bashkë me përfaqësuesit e UEFA-s. Veç seminareve e diskutimeve të punës, apo edhe diskutimit teknik të trajnerëve për të shtuar numrin e lojtarëve nga 23 në 26, është bërë edhe kontrolli përfundimtar i bazës kuqezi në Kaizerau, ku do të qëndrojë Kombëtarja gjatë Europianit.

Gazeta Si ka siguruar ekskluzivisht disa imazhe të kësaj baze nga ky inspektim i fundit, ku për momentin ka ende njerëz të tjerë. Me vajtjen e kuqezinjëve atje në javën e dytë të qershorit, kjo qendër e madhe sportive dhe hoteli me 90 dhoma do të jetë ekskluziv për Kombëtaren kuqezi dhe stafin e saj mbështetës.

Veç hotelit, aty është edhe fusha stërvitore, salla e konferencave, palestra e forcës dhe gjithçka që i duhet një ekipi futbolli. Më parë aty kanë qëndruar edhe kombëtare apo klube të tjera, përfshirë Gjermaninë e Brazilin, apo edhe klube si Bajern Mynih e Borusia Dortmund.

Këtë herë ka qenë edhe kryetari i bashkisë së zonës dhe disa përfaqësues të policies, të cilët kanë diskutuar rreth akomodimit dhe sigurisë, madje edhe pritshmërisë së tifozërisë shqiptare në Gjermani për ato 15 ditë që do të jetë atje ekipi ynë përfaqësues.

Kompleksi Kaizera, ku do te vendoset Kombetarja shqiptare ne Gjermani

Sa i përket lajmeve të kërcënimeve të ISIS, që po qarkullojnë këto ditë në media të ndryshme, përfaqësues të policisë gjermane kanë siguruar delegacionin shqiptar se për momentin nuk ka asgjë që mund të kërcënojë eventin, stafin dhe ekipet, në këtë rast Shqipërinë. Madje ata kanë siguruar se janë marrë të gjitha masat, edhe pse nuk ka asgjë të ekzagjeruar apo ndonjë masë shtesë për t’u ndjerë të rrezikuar.

Policia gjermane bën me dije se pritet që ditët e ndeshjeve të përfaqësueses sonë do të jenë rreth 150 mijë tifozë shqiptarë në Gjermani, mesatarisht 50 mijë tifozë për secilën ndeshje. Këtu përfshihen edhe ata pa bileta, pasi janë të shumtë ata që do të udhëtojnë atje edhe për të qenë të pranishëm, për ta ndjekur në “Fans Zone” (zonat e tifozëve), duke e konceptuar Europianin si një lloj turizmi, apo një pjesë të pushimeve verore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë