Mendim

Po sikur Franca të na ketë hapur padashje “dyert e BE-së”?

Nëse negociatat me Bashkimin Europian vazhdojnë me këto ritme , Shqipërisë do t’u duhen edhe 15-20 vite që të behët pjesë e unionit. Mund të duhen edhe pesëdhjetë vjet që Kosova të arrijë nivelin e PBB-së për frymë të Kroacisë, edhe pas pranimit në BE. Bosnjës do t’i duhen dy dekada që të arrijë nivelin e qeverisjes së Bullgarisë dhe Rumanisë pas pranimit. Ndërkohë vetë Ballkanit do t’i duhen edhe 20-30 vjet që të arrijë standardet demokratike dhe ekonomik të vendeve europiane.

Zemërimi i sotëm ndaj Francës, pas bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është i kuptueshëm. Por duke bllokuar nisjen e bisedimeve me vendin tonë dhe Shkupin, presidenti Emmanuel Macron jo vetëm që i ka dhënë padashje Ballkanit vëmendjen e munguar prej vitesh, por edhe ka rritur presionin ndaj Brukselit dhe Tiranës për marrjen e reformave serioze.

Edhe ose kanë kaluar më shumë se një dekadë që nga samiti i Selanikut në vitin 2003, nuk është sekret që strategjia e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor ka dhënë rezultate minimale. Të rinjtë po braktisin rajonin, oligarkët po zhvatin të gjitha fondet publike, dhe është e pamundur të ndiqen penalisht nga një sistem gjyqësor i pavarur, medias i bëhet presion të heshtë ose kërcënohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, investimet e huaja kanë rënë, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë mbetur peng i politikanëve që nuk lejojnë ngritjen e forcave të reja politike. Shumica e analistëve të BE-së dhe Ballkanir Perëndimor kanë bërë thirrje prej kohësh se duhet një qasje e re. Epo, lajmi i mirë është se kjo kohë ka ardhur.

Cfarë fshihet pas vendimit francez

Vetoja e Francës kishte pak lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore vetvetiu. Në sipërfaqe, ajo pasqyron frikën e Presidentit Macron se partia e tij, “La République en Marche” mund të pësojë një humbje dramatike në zgjedhjet e ardhshme lokale në Mars 2020. Zgjerimi është një nga temat më jopopullore në Francë dhe është një temë që Presidenti Macron dëshiron të mbajë jashtë axhendës së brendshme, siç bëri para zgjedhjeve europiane.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron. Gazeta Si, 2019

Por problemet elektorale janë vetëm maja e ajsbergut. Mosgatishmëria e Francës për të mbështetur zgjerimin është një ideologji e rrënjosur më thellë në preferencën historike të Parisit për një Bashkim Europian më të thellë dhe më më të integruar.

Në dy vitet e kaluara, Presidenti Macron ka shprehur dyshime mbi progres-raportet e Komisionit Europian, duke kërkuar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të integrohen pak nga pak në institucionet europiane.

Ajo mbron integrimin sektorial përmes pjesëmarrjes së Ballkanit Perëndimor në politika, agjenci dhe programet e BE-së, si mënyra e vetme për të dhënë rezultate të prekshme. Sipas Francës, vendet e Ballkani Perëndimor janë në një moment kritik dhe kanë nevoje për një plan veprimi për t’i afruar me BE-në. Dhe pas “jo-së” së Francës, nuk mund të ketë një kohë më të mirë për një përpjekje të tillë.

Presion për reforma

Pasi të marrë fund saga e Brexitit, insistimi i Francës për të diskutuar për thellimin e çështjes së zgjerimit dhe për të reformuar procesin e pranimit, krijon mundësinë për një angazhim më të prekshëm të BE-së në Ballkanit Perëndimor. Falë kundërshtimit të Francës, Ballkani është tanimë kryefjala e BE-së. Për herë të parë në shumë vite, disa nga vendet anëtare po flasin shkoqur për problemet reale të rajonit, për oligarkët, autokratët, kapjen e shtetit dhe kriminalitetin. Ishte pikërisht injorimi i këtyre problemeve dhe mungesa e përparimit real që e ka lënë Ballkanin Perëndimor në periferi për shumë kohë duke lejuar udhëheqësit e korruptuar të forcojnë pushtetin dhe emigrimin të rritet me shifra të frikshme.

Na pëlqen ose jo, vetoja e Francës për negociatat ka rritur që tani presionin ndaj qeverive të Ballkanit, pasi është pikërisht mungesa e tryesinsë së BE-së ajo që minon angazhimin e vendeve të rajonit ndaj reformave.

Problemi i vërtetë është se politikëbërësit francezë dhe shumë nga aleatët e tyre në kryeqytetet e tjera, besojnë se BE duhet të kalojë nga politika e zgjerimit tek “kontrolli i demokracisë dhe reformave” në Ballkanin Perëndimor. Macron ka të drejtë në një pikë: korrupsioni dhe kriminaliteti që ka mbërthyer shumë nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të mbulohet artificialisht nga BE-ja me hapjen e dyerve për në union.

Angela Merkel, Emmnauel Macron dhe Mark Rutte, Gazeta Si, 2019

Në vend të kësaj duhet të ndërmerren reforma serioze. Franca, edhe pse për një moment na mbylli dyert e BE-së, ishte e vemtja që e tha me zë të lartë se kjo qasje është fantazi që BE-ja ia shet publikut ballkanik, dhe nuk është një politikë e kthjellët.

Dhe tani që “Ballkani” është kryefjala e BE-së, duhet shfrytëzuar momenti për rritjen e investimeve ekonomike dhe politike në rajon dhe rritjen e kërkesës së llogarisë ndaj qeverive të korruptuara të rajonit.

Megjithatë, vetë presidenti Macron nuk duhet të harrojë se BE-ja nuk mund “t’i lajë duart” me Ballkanin Perëndimor, duke i detyruar njerëzit dhe udhëheqësit e tij të presin për dritën jeshile për një kohë të pacaktuar.

Kjo metodë do të rezultojë vetëm me emigrimin masiv dhe të vazhdueshëm drejt BE-së dhe Perëndimit të qytetarëve të zakonshëm dhe përkeqësimin e klimës politike për ata që vendosin të qëndrojnë, duke rezikuar në mënyrë të pashmangshme sigurinë e unionit.
Nëse Franca nuk kërkon një qasje më serioze dhe lejon që rajoni të shkojë në kolaps, përmes neglizhimit të qëllimshëm, Macron do të përballet në Ballkanin Perëndimor me makthet e tija më të këqija.

Burimet: "Eu Observer", "Euraavtiv", "Politico.Eu", "European Western Balkans"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë