Ne rrjet

Plani i Hamasit, e sulmoi Izraelin përmes rrjetit telefonik fiks nga tunelet e Gazës?

Gazeta Si - Hamasi dyshohet se kishte planifikuar sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit duke komunikuar fshehurazi nga tunele nëntokësore.

Për dy vjet grupi i armatosur palestinez ka planifikuar ofensivën duke përdorur një rrjet telefonik fiks të pranishëm nën Gaza.

Sipas informacionit të inteligjencës të shpërndara nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, një celulë e vogël e Hamasit ishte në gjendje të transmetonte mesazhe pa u gjurmuar nga shërbimet e inteligjencës, duke përfshirë dhënien e dritës së gjelbër për sulmin.

Ata favorizonin takimet personale dhe telefonat me tela, duke mos përdorur kurrë telefona celularë apo kompjuterë, në një lloj "spiunimi të modës së vjetër".

"Metroja e Gazës" - Ai që shtrihet poshtë Gazës është një labirint i madh tunelesh. Kalimet përdoren për të kontrabanduar mallra nga Egjipti, por edhe për të organizuar sulme ndaj Izraelit.

Hamasi deklaroi në vitin 2021 se kishte ndërtuar 500 kilometra tunele, duke shpenzuar shuma shumë të larta për ndërtimin e veprës.

"Është një rrjet i madh, shumë i ndërlikuar tunelesh mbi një pjesë mjaft të vogël territori", - tha për CNN, Daphne Richemond-Barak, një profesoreshë në Universitetin Reichaman të Izraelit dhe një eksperte për luftërat nëntokësore.

Mbeten dyshimet për ndërtimin e tyre, pasi Gaza nuk ka makineri të përshtatshme për këtë lloj pune.

Sipas ekspertëve, militantët përdorën mjete primitive për të gërmuar tunelet, duke shfrytëzuar rrjetin elektrik dhe duke përforcuar muret me beton.

Një luftë "asimetrike" - Kjo luftë është më e ngjashme me konfliktin midis Davidit dhe Goliathit, sesa një përplasje midis titanëve.

Për këtë arsye, studiuesit e përkufizojnë atë si "asimetrike": forcat izraelite në fakt do të përfitonin nga teknologji shumë më të avancuara se Hamasi, i cili në krahasim përdor metoda të vjetra.

Avantazhi i grupit të armatosur palestinez, megjithatë, qëndron pikërisht në aftësinë për të shmangur epërsinë e teknikës së kundërshtarëve me sisteme më "bazë", siç janë tunelet e thjeshtë.

Megjithatë, milicët e Hamasit nuk janë naivë, ata gjithashtu zotërojnë një armatim të madh dhe kanë qenë në gjendje të shfrytëzojnë mediat sociale dhe kriptovalutat për të financuar veten e tyre.

E veçanta e rrjetit të tyre të tuneleve, është fakti se ai u ndërtua nën një nga zonat më të populluara të planetit: pothuajse 2 milionë njerëz jetojnë në Rripin e Gazës në afërsisht 365 km² (21,000 banorë për km²).

Populli si mburojë

Hamasi, ndryshe nga Al Kaeda, e zhvilloi sistemin e tij në një zonë urbane dhe jo malore: "Këtu gjithçka është më e ndërlikuar, nga aspektet strategjike deri tek ato operacionale, duke përfshirë mbrojtjen e civilëve", - tha eksperti Richemond-Barak.

Forcat izraelite të mbrojtjes kanë vënë në dukje tashmë se Hamasi fshihet "nën shtëpi dhe brenda ndërtesave të populluara nga të pafajshëm" dhe se është përpjekur disa herë në vitet e fundit për të eliminuar tunelet.

Por prania e civilëve i bën operacionet të komplikuara. Gruaja e mbajtur peng e liruar më 24 tetor, 85-vjeçarja Yocheved Lifshitz, foli edhe për tunelet: “Ecëm me kilometra në nëntokë, dukej si rrjetë merimange”.

Një rrjet që përdor qytetin dhe banorët e tij si mburoja të vërteta njerëzore, që verbon teknologjitë e avancuara izraelite dhe që tani është bërë gjithashtu një burg për qindra njerëz.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë