Ngjarje

Përdhunimi në Kavajë ka emra konkretë


Suadela Balliu - Ndodhi përsëri. Një ngjarje tronditëse e përdhunimit të një të miture, në moshën trembëdhjetëvjeçare e ndezi sërish furinë e opinionit se kush e ka fajin. Disa thonë se shteti ka dështuar, arsimi po ashtu.  Disa thonë  vetë shoqëria shqiptare në këtë ngërç tranzicioni jo vetëm ekonomik, por po aq social dhe kulturor që nuk ka mundur ta kryejë misionin e saj –brezat e rinj po pasqyrojnë me shqetësim të madh të gjithë fenomenet negative të ditëve të sotme, rritur nën presionin e pandërprerë të bombardimit audio-vizual që vjen nga interneti, mbushur me pornografi, shembuj të këqij të pasurimit të shpejtë, të sjelljeve kriminale dhe gjithfarësoj lakmie materialiste. Shqipëri e dështuar. Shoqëri e dështuar. Prindër të dështuar. Dialektika është kjo. Pra diku  gjetkë duhet parë problemi  dhe jo  “Jo” tek tetë adoleshentë – mjaftueshëm të rritur për të kuptuar të mirën dhe të keqen, edhe pse jo të rritur mjaft në sytë e ligjit. “Janë viktima, se çfarë nuk shohin nëpër faqe pornografie”, më thotë një shoqe, ndërsa diskutojmë atë ditë që lajmi ka dalë në medie. Si nënë e një djali, i cili sapo ka nisur rrugëtimin e vështirë me pubertetin, çdo ditë e më kureshtar rreth seksit dhe seksualitetit,  që nuk mjaftohet vetëm me përgjigjet që merr nga prindërit – të vetëdijshëm se duhet të zhvillojnë një bisedë të hapur dhe të sinqertë me fëmijën e tyre që i afrohet adoleshencës, shoqja ime e di mirë se i biri mëson nga bisedat me shokët, shumë prej të cilëve kanë parë video pornografike dhe sillen mes bashkëmoshatarëve si ekspertë të këtyre punëve.

Fotografi ilustruese

Kur unë isha adoleshente, në fund të ’90 dhe në fillim të mijëvjeçarit të dytë, në klasë të tetë orët ku duhej shpjeguar shëndeti riprodhues në lëndën e Biologjisë u kapërcyen pa u prekur fare dhe në gjimnaz,  me gjithë pasionin për lëndën, mësuesja do të ndalej vetëm tek vezoret dhe testikujt, por fakti që mosha katërmbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë vjeçare është jo vetëm kureshtare, por ka nisur të eksplorojë edhe marrëdhënie seksuale, shpërfillej. Asnjë këshillë apo lajmërim rreth seksit të pambrojtur, asnjë shpjegim rreth ndryshimeve hormonale që na bëjnë nga fëmijë në të rritur të pjekur seksualisht , të aftë për të riprodhuar. Na kishte rënë në dorë një libër mbi Edukatën Seksuale dhe në orët e pushimit, një grup djemsh e vajzash, lexonim dhe diskutonim mes nesh, jo pa drojë, rreth ndryshimeve që pësonte trupi ynë dhe se ç’përgjigje kishte shkenca rreth kësaj. Dyshoj se pak, ose aspak ka ndryshuar edhe sot, më 2019-ën. Kështu djem dhe vajza nisin një jetë seksuale, pa ditur paraprakisht se çfarë është ai bashkim. Mësojnë duke bërë. Që adoleshentët e nisin aktivitetin seksual që në të trembëdhjetat apo katërmbëdhjetat e tyre, dihet tashmë jo vetëm si perceptim  apo paragjykim i jashtëm, por edhe i mbështetur nga anketime të kryera prej institucionesh shtetërore si Instituti i Shëndetit Publik.

Bashkë me zhvillimin fizik ndodh edhe ai konjitiv dhe tek 14-vjeçarët drejtësia dhe barazia, sipas  teksteve të Psikologjisë janë çështje  të rëndësishme

Dikush, në debatin e gjerë dhe frenetik të këtyre ditëve, e artikulon kështu: vajza ishte në një lidhje sentimentale ( cilësimi si lidhje dashurie më duket i pavend dhe ngjan se do ta romanizojë me zor historinë)  me njërin prej djemve (aktualisht në arrati), me të cilin  njihej prej klasës së dytë të shkollës fillore.  Hollësi më intime sesi kanë rrjedhur më pas ngjarjet, nuk kënaqin veçse kureshtjet perverse, që në  mediet shqiptare kanë ndodhur edhe më herët, ku rrëfimi në prokurori i një pedofili që zbulon sesi i josh dhe përdhunon viktimat, disa vjet të shkuar do të shkaktonte debat nëse këto i shërbejnë zbardhjes së çështjes apo bëhej fjalë për një mungesë të thellë etike gazetareske. (Meqë ra fjala Etika e Medias  është lëndë në Degën e Gazetarisë, por rrallë e më rrallë gjendet e reflektuar, në një betejë të fituar prej klikimeve ).

Fotografi ilustruese

Por mes atyre hollësive që shpalosen, prej zbardhjes së Dosjes, vjen edhe fakti më i rëndësishëm, filli i tmerrit dhe vuajtjes fizike e psikologjike të trembëdhjetëvjeçares. Vajza pranon, pas ngurrimesh të kryejë marrëdhënie seksuale me djalin, pothuaj moshatar dhe deri këtu nuk ka asgjë jashtë normales, për aq kohë sa ndodh me pëlqimin e dy njerëzve që kanë zhvillim fizik dhe psiko-emocional thuajse të njëjtë, nisur nga mosha. Por, djali vendos që këtë akt ta filmojë, pa dijeninë e vajzës dhe ky është dhunimi i parë. A është më ky thuajse fëmijë një  viktimë e bombardimeve me imazhe nga televizioni dhe interneti, me dhunë e me seks?! A nuk ky një akt i vetëdijshëm i një adoleshenti – i cili hamendësohet ta dallojë të mirën dhe të keqen, veçse në mos qoftë i abuzuar prej fëmijërisë së hershme, traumë që siç thonë tekstet e Psikologjisë do ta bënte djalin të mos dallonte qartë veprimin e drejtë nga i gabuari.

Bashkë me zhvillimin fizik ndodh edhe ai konjitiv dhe tek 14-vjeçarët drejtësia dhe barazia, sipas  teksteve të Psikologjisë janë çështje  të rëndësishme dhe ata janë gati për përvoja më afatgjate dhe vëmendja e tyre,  nuk është më e kohëshkurtër. Mesazhet dhe media sociale janë shpesh shumë të rëndësishme për këtë moshë. Me të pasur në dorë materialin filmik ai kalon nga partner në dhunues. Tashmë ka në dorë një armë- shantazhin-të cilën e di se i jep aq pushtet sa për ta nënshtruar dhe për ta detyruar të kryejë marrëdhënie edhe pa dëshirën e saj – edhe pa dashur që ky djalë të ushtrojë artin e bindjes, që vajza të pranojë të kryejë seks me të. Por djali, vendndodhja e të cilit ende nuk dihet, nuk mjaftohet me kaq. E shpërndan videon tek bashkëmoshatarë të tjerë dhe kështu merr jetë një rreth vicioz përdhunimesh, që po sipas disa dëshmive, do të zgjasnin dy muaj.

Fotografi ilustruese

Ka edhe ndonjë, pjesëmarrës në debatet televizive, që ngulmon të mos e quajë përdhunim në grup. Rigorozë pas saktësisë së termave, dikush mund të shkojë më tej duke thënë se ishte vajza që u shkonte në shtëpi djemve. A i heq ky detaj diçka thelbit, se bëhet fjalë për përdhunimin e një vajze nga tetë djem? A e zbeh tronditjen që shkaktoi fillimisht lajmi? Ka edhe nga ata që ndërkallin fakte edhe më pavlerë, se njëri prej djemve na qenkësh nxënës  i ‘dhjetës’. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një film i ri mbi jetën e vrasësit serial Ted Bundy, ka ndezur edhe njëherë debatin, se zgjedhja e një aktori të pashëm mund ta glorifikojë figurën e vrasësit dhe përdhunuesit. Ted Bundy ishte në fakt një nga studentët e shkëlqyer të Psikologjisë, në Universitetin e Uashingtonit. Pra, a është faktor lehtësues zelli për mësimet?!

Shumë ia drejtojnë gishtin tregues si fajtorja më e madhe shkollës, edukimit. Ka dështuar shkolla në këtë aspekt? Ngjarje të ngjashme servirin pothuajse çdo ditë, trishtueshëm, edhe shtete të zhvilluar perëndimorë me sistem shumë të konsoliduar edukimi.  Faji mbetet tek mësuesit, drejtorët apo punonjës socialë që mund të kenë qenë në dijeni të ngjarjes dhe kanë  zgjedhur të heshtin. Por edhe kjo pritet të vërtetohet në sallën e gjyqit dhe jo në arenat virtuale të gjyqeve publike. A është i dështuar sistemi arsimor në Shqipëri? ?Me gjasë, po. Por edhe kjo u takon specialistëve të arsimit ta gjykojnë. Edhe nëse nuk shohin pornografi, të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj shembujve të këqij, që vijnë përmes videoklipeve muzikorë të disa rreperëve që i këndojnë dhe lëvdojnë krimin, drogën, seksin, dhunën, shoqëruar me imazhe vajzash pothuaj të zhveshura me lëvizje e poza qartësisht seksuale, thonë prindërit, duke krijuar konceptin e rrejshëm se mund të bëjnë gjithçka të ndaluar dhe nuk do të penalizohen kurrë. Krejt e vërtetë, por edhe ky nuk është fenomen shqiptar, rreperë që ngjajnë si gangsterë, që shfaqen edhe me armë në duar, me pasuri e luks të shfrenuar, me vajza të bukura që i trajtojnë si objekte qarkullojnë rëndom në tregun muzikor botëror.

Nëse do të vazhdonim të argumentonim se fajin e ka shoqëria, teknologjia, interneti, pornografia, atëherë do të shihnim kudo mes kësaj grupmoshe djem potencialisht përdhunues dhe vajza potencialisht të përdhunuara.

Vajzat duhet të kishte rrëfyer më parë tek e ëma, thotë një gazetar me përvojë në një emision televiziv. A aludon kjo, qoftë edhe nënvetëdijshëm që faji bie gjithnjë mbi viktimën? Në epokën e lëvizjes “Me Too” shohim gra të rritura, të famshme e të pasura, që denoncojnë se kanë qenë viktima të abuzimit seksual edhe pas tridhjetë viteve, ndërsa u desh një valë e madhe denoncimesh, që secila të gjente guximin e munguar individualisht për t’u shprehur botërisht se kishte qenë viktimë e dhunës dhe të kallëzonte  dhunuesin. E si mundet shoqëria shqiptare t’i vërë një barrë përgjegjësie supeve të së miturës, psikika e së cilës dobësohej dita-ditës prej abuzimit?! Një portal shkon deri aty sa ngre edhe një sondazh, për të mbledhur opinione online se i kujt është faji, duke listuar mes fajtorëve  familjen, shkollën shoqërinë, policinë, por pa futur kryerësit e kësaj vepre aktualisht në arrest me burg nga Gjykata e Durrësit, ku akuza që rëndon me të është “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” , por jo përdhunim. Ndoshta do të duhet kohë dhe fakte për të vërtetuar nëse bëhet, ose jo fjalë për përdhunim, sipas përkufizimit juridik të veprës, sepse në çdo aspekt tjetër – nëse hamendësimet, dëshmitë, rrëfimet janë të sakta – vajza është e  përdhunuar.

Fotografi ilustruese

Gjithnjë në furinë që i mbërthen pas çdo lajmi të një natyre të bujshme dhe tronditëse, kishte nga ato media që vendosnin mikrofona në gojët e banorëve duke marrë opinionet e tyre rreth ngjarjes. Një tjetër përdhunim, që i bëhet të gjithë familjes, që nga kjo kureshtje morboze ekspozon në gojët paragjykuese jo vetëm vajzën. Sa herë ka ngjarje të tilla, tronditja që dëgjon të artikulohet, nga qytetarët e  thjeshtë e deri tek opiononbërësit të krijon përshtypjen sikur shoqëria shqiptare është aq puritane, jeton kaq e shkëputur prej fenomeneve të tilla sa një episod i tillë, fragmentar, trondit të gjithë rendin.

“Një  vajzë e shkollës “Rilindja”, me të cilën bisedova me tha se fajin e ka “ajo vajza”, nuk e ka shkolla”, më rrëfen një kolege, pas vizitës së saj në Kavajë. “Po ata djemtë, nuk kishin faj fare, e pyeta. Edhe ata... më thotë në gjysmë zëri”.  Një shkolle i është vënë dryni, me shumë gjasë shumë prej atyre nxënësve janë të tronditur psikologjikisht, prindërit janë të frikësuar. Nëse do të vazhdonim ta fokusonim debatin tek aksioma se shkolla ka dështuar dhe se është përgjegjësja kryesore , nëse do të vazhdonim të argumentonim se fajin e ka shoqëria, teknologjia, interneti, pornografia ndaj së cilës të miturit ekspozohen pa asnjë filtër, atëherë do të shihnim kudo mes kësaj grupmoshe djem potencialisht përdhunues dhe vajza potencialisht të përdhunuara.

Çështja është se duke u marrë me gjetjen e fajtorit – mes prindërimit, arsimimit apo vetë vlerave që përcjell sot shoqëria – mos vallë po zbehim disi fajin e këtyre tetë djemve?

Ndaj këtyre fenomeneve të epokës të teknologjisë së informacionit ekspozohen çdo ditë, në vazhdimësi jo vetëm mijëra fëmijë shqiptarë, por miliona e miliona të tjerë në të gjithë botën. Por kjo nuk të çon në rezultatin e një ekuacioni kur shkaqe të tilla çojnë në pasoja përdhunimi. Një aktiviste e shoqërisë civile ngulmon se nuk duhet kërkuar faji tek djemtë – po aq viktima se viktima – ndërsa sjell dëshminë e vrasësi dhe përdhunuesi në seri, në ShBA - me gjasë Ted Bundy,  i cili  në intervistën e fundit përpara ekzekutimit me vdekje, i akuzuar për vrasjen e 30 vajzave dhe grave, do të quante faktor të madh motivues të krimeve të tij, pornografinë e dhunshme. Unë po vdes, thoshte ai, nuk kam pse gënjej më. Po dënohem, por fajtori i vërtetë nuk jam unë. Duhet ta kërkoni gjetkë, duke aluduar tek një industri e tërë e filmave për të rritur.

Një mendje e bombarduar në moshë të hershme me skena të një fantazie të dhunshme seksuale,  padyshim që do të ketë pasoja, por kjo nuk i heq apo lehtëson përgjegjësinë përpara drejtësisë.   Një adoleshent pesëmbëdhjetëvjeçar e di që ajo që ka bërë është gjë e keqe, prandaj e fshehin, prandaj shantazhojnë. Psikologët thonë se prindërit duhet të shqetësohen rreth  sjelljes seksuale që shfaqin fëmijët të moshës 10-13 vjeç nëse këta  masturbojnë në mënyrë kompulsive, nëse detyrojnë dikë tjetër në aktivitet seksual, nëse këmbejnë para ose të mira për aktivitet seksual, nëse dërgojnë apo publikojnë imazhe seksuale të vetes apo të një njeriu tjetër

Fotografi ilustruese

Për  moshën 14 deri në 17 vjeç, që është mosha e djemve të arrestuar, prindërit duhet të shqetësohen rreth sjelljeve të tyre seksuale  nëse kanë interes në materiale seksualisht të dhunshme apo pornografi të jashtëligjshme, nëse angazhohen në aktivitet seksual me fëmijë shumë më të vegjël se ata, nëse detyrojnë dikë tjetër  në aktivitet seksuale, që mund të përfshijë aktivitet kriminal. Kryetarja e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, do të shprehej në një tjetër emision televiziv, që trajtoi mbrëmjen e së martës rastin e Kavajës, se djemtë e kanë kuptuar vetëm kur kanë dalë para gjykatës se ajo që kishin kryer ishte vepër penale, për ta ka qenë një lojë. Nëse ishte lojë- dhe argëtuese për ta – atëherë përse mundoheshin ta fshihnin? Përse kishin ngritur një rrjet kaq të sofistikuar mes tyre për të përfituar marrëdhënie seksuale nga një e mitur, e cila nuk ishte më në gjendje të refuzonte, e zhytur në qerthullin e frikës se një ditë ajo video do të binte në sytë e prindërve, në sytë e qytetit, në sytë e të gjithë shoqërisë. Raste të ngjashme, edhe mes të rriturve, ka plot. Një video intime që të mban peng dhe perpetuon një akt, që viktima nuk dëshiron ta përsërisë. Një video intime që përdoret për të vjelë para nga i ekspozuari në ato filmime. A nuk është shantazhi dhunim? 

Çështja nuk shpëtoi pa u bërë politike, si thuajse çdo gjë që ndodh në këtë vend.Vepra u denoncua nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili përmes qytetarit digjital, shkruante në profilin e tij të Facebook-ut se rasti ishte denoncuar në polici, por  nuk ishte kryer asnjë veprim ligjor, se fëmijët ishin bij biznesmenësh, se drejtoresha e ka mbajtur të fshehtë dhe madje edhe prokuroria gjithashtu. Më pas kanë qenë disa qytetarë që kanë vijuar me dëshmitë e tyre rreth ngjarjes, që edhe pse dihej prej kohësh, është lënë e heshtur.  Sipas Berishës, djemtë janë kapur dhe janë lënë sërish të lirë. Nëse kjo do të vërtetohet të gjithë të përfshirët duhet të përballen me drejtësinë. Nëse prokuroria nuk ka dashur ta bëjë publike rastin, por ka vijuar me hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të kapur fajtorët, është përsëri në të drejtën e saj. Nuk është detyra e prokurorisë të dalë në konferencë për mediet, për një rast të tillë, por prokuroria duhet të dalë tani me një deklaratë për mediet, për të sqaruar pozicionin e vet, nëse ishte apo jo në dijeni të ngjarjes dhe pavarësisht kësaj ka zgjedhur të heshtë.

Kjo sigurisht do ta bënte çështjen politike dhe do t’i jepte të drejtë ish-kryeministrit se institucionet e shtetit janë të implikuara në këtë ngjarje dhe as zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali nuk mund të mjaftohet duke thënë se këto ngjarje ndodhin në të gjithë botën e madje edhe bëhen edhe produkte kinematografike dhe as ministri i Brendshëm, Lleshaj nuk ka dhënë llogari, vetëm duke iu kundërpërgjigjur Berishës, të cilin e cilëson monstër dhe neverit qëndrimin e tij. Të tjera dëshmi, nga ato që qarkullojnë  ende vetëm në rrjete sociale dhe me vërtetësi gjithmonë të dyshimtë, derisa të provohet e kundërta, thonë se ngjarja është denoncuar së pari nga pastruesja e shkollës, e cila pasi ka lexuar një mesazh në telefonin e të birit me një shok të shkollës që kërkonte një ambient për të kryer marrëdhënie me vajzën, gjithmonë e nënshtruar përmes shantazhit për ta bërë këtë gjë, alarmohet dhe njofton drejtoreshën, e cila më pas ka lajmëruar të ëmën e vajzës, e cila ka hezituar për disa ditë të denoncojë në polici, e që ka njoftuar të shoqin emigrant, i cili ka ardhur menjëherë dhe ka denoncuar në polici. Të gjitha këto duhen verifikuar.

Nga dinamikat e ngjarjes, e cila si një enigmë plotësohet çdo ditë me copëza mozaiku, por ende e paqartë,  ka nga ata që e shohin historinë edhe më të dyshimtë, duke mos i besuar akuzave të vajzës për përdhunim. “Përse vajza u kujtua pas dy muajsh? Ku ishte më parë”, janë fjalët e një të riu vetëm njëzet e pak vjeç që nuk të lënë shpërfillëse, për gjakftohtësinë me të cilën thotë se të tilla ngjarje ndodhin rëndom, se ka vajza që “ua ka qejfi” vetë apo edhe që mund të ushtrojnë prostitucion dhe se kanë çuar në burg edhe djem të “pafajshëm”. Çfarë ka ndodhur me empatinë? A janë mpirë të rinjtë  apo janë bërë të pandjeshëm përballë vuajtjes së tjetrit? Sido të jenë copëzat që mungojnë, bëhet fjalë për një jetë njeriu, e cila nuk do të jetë më e njëjta. Një vajzë që do të rritet me trauma të parikuperueshme. Djemtë, të shtatë të arrestuarit, e kanë pranuar të gjithë, se kanë kryer marrëdhënie me vajzën. Ky është  fakt. Prindi i djalit të arratisur, gjithnjë nëse duhen besuar identitetet virtuale, ka shkruar në një nga faqet e emisioneve televizive, që kanë trajtuar rastin, duke thënë se ngjarjet nuk janë si duken, janë më ndryshe.

A është dikush tjetër pas kësaj  ngjarje? Edhe kjo është detyrë që i takon institucioneve përkatëse ta zbulojnë.  Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut në një deklaratë mbi rastin, ndërsa u bëjnë thirrje institucioneve, grupeve individëve që nuk kanë mundur të parandalojnë një ngjarje,  kaq të padenjë, e cilësojnë ata për një shoqëri që mundohet të respektojë të drejtat e njeriut, thonë se statistikat flasin për 12 % të fëmijëve që janë viktima të ngacmimeve seksuale, ndërsa 5% e tyre janë viktima të abuzimit seksual. Ata u drejtohen për vëmendje institucioneve arsimore,strukturave të policisë, prindërve dhe familjeve, vetë nxënësve, medies dhe shoqërisë. A është media në të drejtë të saj të informojë dhe të ngrejë shqetësime, siç po e bën edhe në rastin në fjalë? Padyshim që po. A duhen ngritur diskutime në  bazë fenomenesh së cilët janë faktorët që i shtyjnë individët e një shoqërie, qoftë edhe në moshë të mitur, drejt sjelljeve të tilla? As do mend. Çështja është se duke u marrë me gjetjen e fajtorit – mes prindërimit, arsimimit apo vetë vlerave që përcjell sot shoqëria – mos vallë po zbehim disi fajin e këtyre tetë djemve?

Ka nga ata me qëndrime edhe më ekstreme, zëra publikë që u urojnë tetë kryerësve të kësaj vepre penale, të njëjtin fat si të viktimës së tyre, nëpër burgjet e Shqipërisë, ku ka një lloj hierarkie krimesh dhe vetëgjyqësi e ndëshkime mes të dënuarve. Për shtatë të arrestuarit, institucionet e drejtësisë dhe ato peniticiare kanë detyrë të kujdesën për garantimin e të drejtave të njeriut, ndërsa ata do të vuajnë dënimin. Por le ta nisim debatin nga “A”-ja; janë tetë djem, me aq sa dihet deri tani, që viktima e tyre i ka denoncuar për përdhunim. Të mos i largohemi fajit derisa të marrin dënimin e përcaktuar me ligj e më pas, me radhë le të zgjerojmë debatin!  Secili duhet të mbajë çmimin që i takon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë