Drejtësia

‘Sterilizimi’ 100 mln €, lirohet nga burgu ish-zv.ministri Klodjan Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka liruar nga paraburgimi ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj dhe biznesmenin, Ilir Rrapaj, të cilët u arrestuan në gusht të vitit 2023 për aferën prej 100 milionë euroshe të “Sterilizimit”.

Shkak për shuarjen e masës, është bërë, sepse sipas përllogaritjeve, atyre u ka përfunduar koha e dënimit me 4 vite burg me mbajtjen në paraburgim.

Ata ishin dënuar më herët me nga 4 vite burgim, duke përfituar ulje të dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Rrjepaj dhe Rrapaj u shpallën fajtorë për shkeljet në procedurat e koncesionit të Sterilizimit, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Një kontratë me vlerë rreth 100 milionë euro në sektorin e Shëndetësisë, por u shpallën të pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Më 30 mars 2024, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë, mes tyre dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme ka rezultuar se:

– Numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë;

– Janë shtuar zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit;

– Është mbivlerësuar mirëmbajtja e instrumenteve, sistemeve dhe centralit të sterilizimit në shifra disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

SPAK ka argumentuar se janë përdorur kosto të rreme shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke përfshirë vlera të barnave dhe medikamenteve mjekësore që nuk ishin pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë