Ekonomi

Pastrimi i parave, Shqipëria sërish në listë gri, i vetmi vend europian

Shqipëria është përfshirë në listën e vendeve nën “vëzhgim të kujdesshëm” nga Financial Action Task Force (FATF), taska forca financiare e Moneyval, pjesë e Këshillit të Europës që mbikëqyr luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

FATF publikoi më 21 shkurt vendimin përmes një njoftimi të shkurtër. Në listë janë edhe edhe Xhamajka, Mauritius, Nikaragua, Mianmari dhe Uganda. Ajo që bie në sy është se vendi ynë është i vetmi vend europian i përfshirë në këtë kategori prej Moneyval.

Kjo do të thotë se përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar pastrimin e parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit ndodhen nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe të përforcuar nga task forca e MoneyVal.

“Shqipëria u zotua politikisht për të përforcuar efikasitetin e saj në luftën kundër pastrimit të parave”, thotë Moneyval.

Pjesë e këtij zotimi janë edhe disa detyra që qeveria shqiptare ka marrë përsipër për të bashkëpunuar dhe informuar Moneyval në kuadër të raportit dypalësh të vlerësimit që është nënshkruar që në korrik të 2018.

Detyrat përfshijnë një analizë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave, forcimin e bashkëpunimit institucional, trajtimi në kohë i kërkesave për ndihmë juridike, mekanizma efektiv për zbulimin e parandalimin e infiltrimit të parave kriminale në ekonomi, garanci për informacionet e pronësisë, përmirësimi i ndjekjes penale dhe bllokimit të pasurive të krimit, zbatimi i sanksioneve financiare ndaj elementëve të krimit.

Kjo nuk është hera e parë që vendi ynë përfshihet nën regjimin e monitorimit të kujdesshëm nga ana e FATF. Në 2011 Shqipëria u fut në këtë regjim pas sinjalizimeve se vendi po shfrytëzohej për pastrimin e parave të pista të krimit të organizuar vendas dhe ndërkombëtar. Në 2015 Shqipëria doli nga ky regjim.

Në dhjetor të 2019, Moneyval rishikoi vlerësimin për Shqipërinë, duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunues vendin tonë në pjesën më të madhe të rekomandimeve të dhëna prej këtij institucioni. Por, në raport theksohej korrupsioni dhe informaliteti në ekonomi si elemente që nxitin ndjeshëm pastrimin e parave.

Moneyval e pranon se autoritetet shqiptare kanë një kuptim të mirë të rreziqeve të pastrimit të parave të vendit në ekonominë formale dhe kanë mekanizma koordinues kombëtarë për politikëbërjen për të adresuar rreziqet. "Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jenë plotësisht efektive dhe ka disa fusha ku mund të ishin arritur më shumë rezultate", thotë raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë