Ekonomi

Ekonomia e Kinës po rrënon të gjithë botën

Punëtorët amerikanë dhe kinezë po paguajnë një çmim të lartë për të gjitha mallrat e lira.

Nga Gazeta ‘Si’- Disa ekonomistë dikur supozuan se fuqia blerëse e klasës së mesme në rritje të Kinës do të nxisë rritjen globale. Por në vend të kësaj, Kina është shndërruar në një faktor destabilizues për ekonominë botërore.

Sipas këtij këndvështrimi, presidenti kinez Xi Jinping po e drejton vendin si një makineri gjigante prodhimi të subvencionuar nga shteti dhe të orientuar drejt eksportit. 

Kjo politikë nuk po dëmton vetëm industri të tëra në botë, por po shtrembëron edhe vetë ekonominë kineze dhe po tensionon marrëdhëniet tregtare me partnerët ndërkombëtarë.

Edhe pse prodhuesit kinezë do të ishin konkurrues edhe pa ndërhyrjen e shtetit, qeveria u ofron mbështetje masive përmes subvencioneve dhe lehtësimeve fiskale, ashtu edhe indirekte duke mbajtur pagat e punëtorëve të ulëta dhe duke ndikuar në vlerën e monedhës për të mbajtur eksportet artificialisht të lira.

Rezultati është një model ekonomik që favorizon prodhimin mbi konsumin dhe përmbyt tregjet ndërkombëtare me produkte shumë të lira, përfshirë çelikun, panelet diellore dhe automjetet elektrike. 

Në këtë mënyrë, shumë kompani të huaja nuk arrijnë dot të konkurrojnë. Në Gjermani, konkurrenca kineze po lidhet me humbjen e rreth 10.000 vendeve të punës në industri çdo muaj, ndërsa vende të tjera si Indonezia rrezikojnë humbjen e qindra mijëra vendeve të punës në sektorin e tekstileve.

Suficiti tregtar i Kinës ka arritur nivele rekord, duke u vlerësuar në rreth 1.2 trilion dollarë vitin e kaluar- shifra më e madhe e regjistruar ndonjëherë nga një vend në historinë e ekonomisë globale.

Ndërkohë, disa ekonomistë paralajmërojnë se kjo strategji nuk po dëmton vetëm partnerët tregtarë, por edhe vetë Kinën. 

Investimet private dhe konsumi i brendshëm mbeten të dobëta, tregu i pasurive të paluajtshme po bie, ndërsa konkurrenca për vende pune është gjithnjë e më e fortë. Subvencionet shtetërore po mbajnë në këmbë fabrika që shpesh nuk janë fitimprurëse, duke krijuar një mbikapacitet industrial që kërkon vazhdimisht mbështetje të re nga shteti.

Si pasojë, familjet kineze në praktikë po subvencionojnë konsumatorët në mbarë botën, ndërsa vetë standardi i tyre i jetesës mbetet nën presion.

Në nivel ndërkombëtar, politikat tregtare të Kinës kanë nxitur reagime të ndryshme. Disa vende, si Bashkimi Europian, po përpiqen të ulin varësinë nga Kina duke forcuar prodhimin vendas në sektorë strategjikë, veçanërisht në energjinë e gjelbër.

Në Shtetet e Bashkuara, administrata Biden ka vendosur tarifa të larta mbi automjetet elektrike kineze, gjysmëpërçuesit dhe produkte të tjera strategjike, ndërsa ka rritur mbështetjen për industrinë vendase. Megjithatë, politikat mbeten të përziera dhe shpesh të paqarta, mes përpjekjeve për të ulur varësinë nga Kina dhe nevojës për bashkëpunim tregtar.

Sipas disa ekonomistëve, asnjë vend nuk mund të shkëputet plotësisht nga Kina, e cila mbetet prodhuesi më i madh në botë. Megjithatë, varësia globale nga eksportet kineze i jep Pekinit ndikim të madh ekonomik dhe politik.

Nëse vendet e tjera rrisin barrierat tregtare, sistemi industrial kinez mund të përballet me presione të mëtejshme dhe nevojë për subvencione edhe më të mëdha. Disa ekspertë sugjerojnë se zgjidhja afatgjatë do të ishte rritja e konsumit të brendshëm në Kinë, por kjo do të kërkonte reforma të thella ekonomike dhe politike që aktualisht nuk duken të mundshme.

Në këtë mënyrë, tensionet mes fuqive kryesore ekonomike mund të çojnë drejt një cikli proteksionizmi dhe fragmentimi tregtar, me pasoja negative për rritjen globale dhe mirëqenien e konsumatorëve në mbarë botën./ The Atlantic


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë