Para

Gati pr/ligji për regjistrin e llogarive bankare, akses vetëm SHISH dhe pastrimi i parave

Ministria e Financave ka gati projektligjin për ngritjen e një regjistri të unifikuar elektronik për llogaritë e shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hapura në banka, apo institucione financiare të tjera brenda Shqipërisë.

Projektligji është hedhur për konsultim publik. Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave thotë se ky projektligj plotëson një vakuum ligjor dhe një kërkesë të Bashkimit Europian për të luftuar pastrimin e parave në vendin tonë.

“Me anë të këtij projektligji, nëpërmjet ngritjes së regjistrit, caktimit të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit pranë regjistrit të krijuar për këtë qëllim, duke përcaktuar njëkohësisht dhe institucionet që kanë të drejtat dhe detyrime për aksesimin e regjistrit dhe përdorimin e të dhënave të tij, synohet krijimi i një mekanizmi efektiv për zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit kriminal në ekonomi dhe vendosjen në dispozicion të informacioneve të sakta dhe të përditësuara për çdo mbajtës të llogarive bankare”, thuhet në relacion.

Regjistri do të ngrihet në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa përgjegjësinë e ngritjes dhe të funksionimit të tij brenda të gjitha parametrave të sigurisë, ky projektligj ja ngarkon Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Regjistri parashikohet si një sistem qendror elektronik unik për të gjithë mbajtësit e llogarive bankare me informacione të detajuara, që nga gjeneralitetet, momenti i hapjes së llogarisë dhe deri tek numri dhe shumat e transfertave, apo veprimeve të tjera bankare. Në rast se një llogari mbyllet, projektligji parashikon që të dhënat e saj të ruhen deri në 10 vite pas këtij momenti.

Akses të pakufizuar në këtë regjistër do të ketë vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, ndërsa organe të tjera ligjzbatuese, si Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mund të tërheqin informacion vetëm në rastet kur provojnë se ai informacion shërben për hetimin e një çështjeje të caktuar.

Mes parashikimeve të ligjit është edhe përjashtimi i regjistrit nga e drejta e informimit. Kjo do të thotë se as mediat dhe as qytetarët nuk mund të sigurojnë akses në përmbajtjen e këtij regjistri mbi bazën e ligjit për të drejtën e informimit.

Me këtë projektligj synohet që të përafrohet legjislacioni shqiptar me atë të vendeve të Bashkimit Europian sa i përket luftës kundër pastrimit të parave, ku një prej rekomandimeve të MoneyVal dhe FATF ka qenë edhe ngritja e një regjistri unik të dhënash për llogaritë e regjistruara në institucionet financiare që veprojnë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë