Drejtësia

Dosja ‘Partizani’, ish-ministri Genc Ruli në GJKKO: Asnjë direktivë nga Berisha për privatizimin

Gazeta Si – Në seancën e radhës së dosjes “Partizani”, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, theksoi se atëkohë qeveria e PD kishte marrë detyrimin se privatizimi i klubit sportiv do të shihej ngushtësisht në interesat e ish-pronarëve.

Gjatë dëshmisë së tij në GJKKO, Ruli mohoi të kishte marrë urdhër për të vepruar nga ish-kryeministri i kohës, Sali Berisha apo nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, të dy të pandehur nga SPAK për këtë çështje.

“Nuk ka ardhur zoti Malltezi të më takojë dhe të më kërkojë favore në lidhje me privatizimin. A kam marrë ndonjë direktivë për këtë çështje nga zori Berisha? Jo, as nga Berisha nuk kam marrë asnjë direktivë në lidhje me këtë çështje”.

Ish-ministri u shpreh se i kishte thënë pronarit të klubit, Albert Xhani, që ishte në dijeni të procedurës së tij me qeverinë e mëparshme, por “kjo do të shkonte në favor të ish-pronarëve”.

“Uria urbane ishte e madhe nga institucionet e pushtetit vendor”, u shpreh ai. Pyetjes së SPAK se ligji e kishte ndaluar privatizimin e terreneve sportive, Ruli tha që nuk kishte hallkë penguese, por vetëm komplikuese.

Ai tregoi rolin që ka pasur në proces dhe detajet në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit.

“Ne si politikanë i bindemi programit të qeverisë. Partia Demokratike kishte marrë angazhimin se do të shiheshin pronarët e pronave shtetërore. Pas ’91-shit dhe pas ’97-shit nuk u ezaurua procesi dhe ne e kishim prioritet t’u jepnim mundësi pronarëve. Prona ishte e njohur. U ishte njohur e drejta e parablerjes. Në muajt e fundit qeveria nuk bënte dot privatizime. Privatizimi po bëhej, por pa konsideruar interesat e pronarëve. Ju kam thënë pronarëve se nuk do të ecnim shpejt, sepse kishte komplikime procedurale. Prandaj periudha 2006-2008 është një periudhë kur u bënë një sërë ndryshimesh të akteve ligjore dhe nënligjore”, – theksoi Ruli.

Seanca në GJKKO për dosjen “Partizani”

Ndërsa dëshmitarja Violeta Shqevi, tha në GJKKO se luftoi që të mos ndryshonte destinacioni i ambienteve, por varianti përfundimtar i ligjit, e miratoi.

Në dëshminë e saj, Shqevi, e punësuar si Drejtoreshë në Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve, sqaroi se klubi shumësportësh “Partizani” administrohej nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa futbolli trajtohej veçmas.

Ajo shpjegoi se institucioni ku punonte menaxhonte klubin shumësportësh, me përjashtim të ekipit të futbollit. Ajo deklaroi se ka pasur gjithashtu rolin e koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.

Shqevi u ndal edhe te asetet e klubit, duke deklaruar se “Partizani” dispononte disa objekte, përfshirë një godinë dykatëshe dhe ndërtesa të tjera. Megjithatë, sipas saj, pronat nuk ishin të regjistruara dhe kishte paqartësi lidhur me pronësinë e tyre.

“Kur u shfaqën shqetësime për disa banorë që kishin zaptuar prona, nuk kemi pasur asnjëherë informacion të qartë për pronarët. Drejtoria që drejtoja u kërkoi drejtuesve të merrnin masa për regjistrimin e tyre”, deklaroi dëshmitarja.

Ajo foli edhe për ndryshimet ligjore të vitit 2007 në ligjin për sportin, duke theksuar se ato u konsideruan si një zhvillim pozitiv për sektorin.

“Në lidhje me ndryshimet ligjore të ligjit për sportin në vitin 2007, shihej si një qasje pozitive. U pa e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të krijohej mundësia që asetet të jepeshin me koncesion”, u shpreh Shqevi gjatë dëshmisë së saj.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së të pandehurit Fatmir Bektashi dhe të avokatit të tij, Sokol Hazizaj.

Kjo dështoi edhe marrjen e dëshmisë së ish-ministrit i Kulturës dhe Sporteve, Ylli Pango dhe Violeta Shqevit, të cilët ishin prezentë në sallë.

Dëshmitare tjerër që pritet të dëshmojë sot në gjyqin “Partizani”, është Tetis Lubonja, përgjegjëse në sektorin juridik te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave, që ka deklaruar në SPAK njohjen e vjetër me Jamarbër Malltezin.

Ajo së bashku me dëshmitarin tjetër të thirrur për më 8 qershor, Altin Ceni, specialist në AKKP, ishin pjesë e grupit të punës që vlerësuan të ligjshëm kthimin e ish kompleksit “Partizani” Malltezit dhe ish pronarëve të tjerë.

I fundit i thirrur nga GJKKO më 8 qershor, por jo më pak i rëndësishmi, është Paro Laçi, ish drejtues i Partizanit, për të cilin në dosjen e SPAK thuhet se ka dëshmuar se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë