Ekonomi

Shtrenjtimi i naftës çon inflacionin në 3%

Nga Gazeta ‘Si’- Inflacioni në Shqipëri u rrit në 3% gjatë muajit maj 2026, nga 2.2% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar presionet e vazhdueshme mbi çmimet e mallrave dhe shërbimeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ndikimin më të madh në rritjen e inflacionit e ka dhënë grupi i transportit, ku çmimet rezultojnë 7.8% më të larta se një vit më parë. Rritje të forta janë regjistruar edhe te sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.9%, si dhe te qiraja, energjia elektrike, uji, gazi dhe karburantet e tjera me 4.2%.

Po ashtu, më shumë kanë kushtuar për qytetarët edhe shërbimet e argëtimit, sportit dhe kulturës, pijet alkoolike dhe duhani, restorantet dhe akomodimi, si dhe një sërë shërbimesh të tjera të përditshme.

Në grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, i cili ka peshë të rëndësishme në buxhetin e familjeve shqiptare, çmimet u rritën me 2.2% krahasuar me majin e vitit të kaluar.

Megjithëse në krahasim me prillin çmimet shënuan një luhatje të lehtë negative prej 0.04%. Në bazë mujore, rënia më e madhe e çmimeve u regjistrua te veshjet dhe këpucët me 0.5%, si dhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike dhe transporti me nga 0.4%.

Ndërkohë, rritjet mujore më të larta u shënuan në grupin e argëtimit, sportit dhe kulturës me 1.1%, pasuar nga shëndetësia me 0.9%, pijet alkoolike dhe duhani me 0.7%, sigurimet dhe shërbimet financiare me 0.6%, si dhe mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0.5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë