Politike

OSBE për projektligjin për median: AMA s’mund të jetë gjykatë

OSBE publikoi këtë të enjte këshillat që i ka dhënë Qeverisë shqiptare në lidhje me projektligjin e antishpifjes, i qortuar nga organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, por edhe nga një pjesë e gazetarëve dhe botuesve vendas.

LEXO EDHE:
Antishpifja, Soreca: Kemi komentet tona, qeveria t'i marrë në shqyrtim
Pse 'Antishpifja' cenon lirinë e medias dhe bie ndesh me Kushtetutën

Kritikat mbështeten në pjesën e draftit që ka të bëjë me mediat online. Projektligji parashikon gjoba të majme për gazetarët dhe për median online nëse gjendet me shkelje. Shkelja përfshin lajmet e rreme, nxitja e terrorizmit dhe racizmit e deri tek cenimi i sigurisë kombëtare. Pika delikate është ajo që vlerësimin se cili lajm është i rremë dhe cili jo do ta bëjë një komision i posaçëm i ngritur pranë Autoritetit të Medias Audiovizive, AMA.

Në dorë të këtij komisioni, në varësi të shkeljes do të jetë edhe niveli i gjobitjes, që mund të shkojë deri në mbylljen e medias që kapet me shkelje. Ky parashikim i këtij projektligji nuk është mbështetur nga OSBE.

“Rregullatori i medias audio-vizive (AMA) nuk mund të zëvendësojë sistemin e drejtësisë, apo mekanizmin vetërregullues të tregut mediatik mbi çështjet e lirisë së shprehjes”, deklaroi përfaqësuesi i OSBE për Median, Harleem Desir.

Në analizën e tyre, ekspertët e OSBE-së deklarojnë se nuk mund të përdoren të njëjtat rregulla si për median elektronike, ashtu edhe për median tradicionale audiovizuale. Për këtë, ekspertët e OSBE këshillojnë përjashtimin e medias online nga ky projektligj.

Pavarësisht këtyre vërejtjeve, OSBE thotë se ka një përmirësim të dukshëm në dallim me dy draftet e para të propozuara nga qeveria, një në vjeshtën e kaluar dhe tjetri në muajin janar. OSBE thotë se drafti i ri e detyron AMA-n që të respektojë të drejtat ndërkombëtarë të medias dhe lirisë së shprehjes, ndërsa sa u takon dy vërejtjeve të mësipërme dhe këshillës që në vend të publikimit të formulës së ndjesës për një lajm të rremë, të publikohet një tjetër lajm, ose njoftim që përgënjeshtron lajmin e parë.

Projektligji i Qeverisë është kundërshtuar edhe nga përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Këta të fundit vunë në mëdyshje pavarësinë politike të AMA-s, nisur nga fakti që anëtarët e këtij autoriteti janë emra të propozuar nga politika, përkatësisht 4 nga mazhoranca dhe 3 nga opozita.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë