Politike

Antishpifja, Soreca: Kemi komentet tona, qeveria t’i marrë në shqyrtim

Bashkimi Europian ka komentet e tij për paketën “Antishpifje” të miratuar nga ana e qeverisë. Nismat e qeverisë janë futur në “lupë” nga ana e Komisionit Europian, i cili ndjek më vëmendje respektimin e lirisë së medias, si pjesë e plotësimit dhe vlerësimit të kritereve të BE-së për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca në një prononcim për media bëri të qartë se pret që qeveria të marrë në konsideratë komentet që do të paraqesë Brukseli, pasi ato janë shqyrtuar edhe nga Komisioni Europian.
“Ne e dimë që Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj të medias. Si delegacioni i BE-së ashtu edhe Komisioni Europian kanë përgatitur opinionin e tyre në lidhje me këtë dhe kjo ka ndodhur në fakt në pranverën e këtij viti. Ne në fakt po shikojmë dhe po e shqyrtojmë nga afër dhe me vëmendje, projektligjin e medieve, i cili do të kalojë në Kuvend në muajin shtator, do të vijojmë ta bëjmë këtë punë me vëmendje dhe me të gjithë partnerët tanë. Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, ne po përgatisim komentet tona, të cilat do t’ia dorëzojmë qeverisë dhe jemi të sigurt që qeveria më pas do t’i marrë ato në shqyrtim me vëmendjen dhe kujdesin që ato meritojnë” deklaroi Soreca.
Qeveria miratoi një javë më parë paketën “Antishpifje”, e cila parashikon ngritjen e një Këshilli të Ankesave në varësi të institucioneve që janë në varësi të qeverisë, duke parashikuar dhe vendosjen e gjobave ndaj medieve online në rast se nuk pranohet vendimet e AMA-s për të publikuar ndonjë reagim, sqarim apo përgënjeshtrim të lajmeve të botuara, për të cilat ky organizëm i vlerëson si të padrejta.
Ndërsa në draft përveç gjoba që shkojnë deri në 1 milionë lekë të reja, parashikohet edhe heqja e licencave. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi publikisht se paketa “Antishpifje” ishte hartuar edhe pas konsultimeve të ekspertëve ndërkombëtar të BE-së dhe OSBE-së. Por kjo deklaratë e Sorecas mund të komentohet se BE-ja ka ende vërejtje të saj mbi draftet e miratuara. Ndërsa "Antishpifja" është kundërshtuar ashpër edhe shoqatat e medieve dhe ato të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë