Njerez

Operacioni sekret për të dëbuar nazistin e fundit nga SHBA-ja

Ai kishte parë tetë nazistë të vdisnin në tokën amerikane, pasi gjykatësit federalë i kishin urdhëruar  të largoheshin, kështu që kur u përhap lajmi në fillim të korrikut se Gjermania më në fund do të merrte të nazistin e fundit të mbijetuar në Shtetet e Bashkuara, Eli Rosenbaum u përpoq të mos shqetësohej.

Çdo gjë mund të shkonte keq. Në moshën 95-vjeçare, Jhaki Palij mund të sëmurej aq rëndë sa do të ishte e pamundur ta largoje nga shtëpia e tij në Queens. Marrëveshja fillestare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë gjermane mund të dështonte. Në fund të dhjetorit, një zyrtar i qeverisë gjermane tha publikisht se Palij, i lindur në një fshat polak që i përket tanimë federatës ukrainase, nuk kishte bazë ligjore për të hyrë në Gjermani.

Ky argument ishte një goditje e madhe për Rosenbaumin, drejtor i Zyrës së Hetimeve Speciale (OSI). Edhe pse misioni i saj ishte në dukje i parëndësishëm, OSI identifikoi dhe ndoqi kriminelët nazistë që u strehuan në Shtetet e Bashkuara pas Holokaustit. Rosenbaum kishte menduar shumë për 6,000 të burgosurit hebrenj të cilët u ekzekutuan brenda një dite të vetme në kampin e punës në Poloninë jugore, i cili ruhej dikur nga Palij. Ndoshta Palij nuk do të dilte kurrë para drejtësisë dhe mund të vdiste në Nju Jork dhe jo në vendin terrorizuar atë gjatë luftës.

"Gjermania nuk i merr mbrapsh nazistët", mërmëriste shpesh Rosenbaum më zyrtarët që takonte. Por emaili i papritur nga Ambasadori Amerikan në Gjermani ishte surpriza më e madhe që kishte hasur ndër vite. Berlini dhe Uashingtoni kishin arritur një marrëveshje paraprake për të dëbuar Palij nga Shtetet e Bashkuara, 14 vjet pasi gjykata kishte urdhëruar deportimin e tij.  Më 20 gusht, agjentët federalë morën Palij në paraburgim dhe e çuan më pas në një ambulancë në Teterboro. Më vonë atë ditë, gati shtatë dekada pasi Palij kishte shkelur për herë të parë në portin e Bostonit, së bashku me qindra refugjatë nga Europa, 95-vjeçari i hipi avionit për në Düsseldorf të Gjermanisë.

Dëbimi i papritur i Palij pas më shumë se një dekade përpjekjesh të pasuksesshme ishte rezultat i një operacioni të madh, që përfshinte agjencitë qeveritare në Uashington, Nju Jork dhe Berlin. Zëvendëspresidenti Pence, zyrtarët e sigurisë kombëtare dhe drejtori i Këshillit të Politikave Vendore ishin gjithashtu të përfshirë në diskutime. Presidentin Trump këmbënguli personalisht që deportimi i tij të bëhej prioritet i lartë.

Jhaki Palij, nazisti i fundit ne SHBA 

Rosenbaum filloi të punonte si prokuror në OSI pasi u diplomua nga Shkolla Ligjore e Harvardit. Që nga vitet 1980, ai i ka kërkuar Gjermanisë të marrë përsipër kriminelët e luftës që jetojnë në mbarë SHBA-në, përfshirë Nju Jorkun, Pensilvaninë, Misurin, Illinoisin, Miçiganin dhe Uisconsinin. Ai ka organizuar takime me diplomatë gjermanë, u ka dërguar letra një sërë ambasadorëve gjermanë në Shtetet e Bashkuara, ka kontaktuar me prokurorët dhe hetuesit gjermanë, ka informuar anëtarët e kongresit dhe u takua vazhdimisht me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit. Gjykatat amerikane nuk kanë juridiksion për rastet penale që përfshijnë krimet e kryera jashtë vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, por OSI-ja ka ndjekur në gjykatë civile më shumë se 130 nazistë përmes procedurave të deportimit.

Në pasditen që Palij do të merrej në paraburgim, Rosenbaum ndenji para kompjuterit të tij me orë të tëra, duke kontrolluar përditësimet derisa aeroplani që mbante 95 vjeçarin të  ishte diku larg mbi Atlantik. Ai shkoi në shtëpi dhe hëngri një pjatë ravioli të përgatitur nga e shoqja. Vendosi të flinte herët pasi të nesërmen në mëngjes do të mbante një konferencë për shtyp.  Në orën 4 të mëngjesit, e zgjoi papritur telefoni. Agjencia e fluturimit i kishte nisur dy emaile, një për t’i thënë që Palij kishte zbritur në Düsseldorf dhe një mesazh të dytë ku theksonte se ishte pranuar në Gjermani.

Kjo foto e vitit 1942 e siguruar nga Muzeu Memorial i Holokaustit të Shteteve të Bashkuara tregon Jaki Palij në kampin e përqendrimit  në Poloni 

Rosenbaum i shkroi menjëhere historianit kryesor të OSI-së, Peter Black, për t’i dhënë lajmin e mirë.

"Përshëndetje, shef. Ai ka mbërritur në Gjermani disa orë më parë", i shkroi Rosenbaum.

Më pasi ai njoftoi edhe një ish-historian të OSI-së që punon tanimë në Muzeun Memorial të Holokaustit në SHBA, i cili kishte zbuluar një tjetër nazist nga fshati Palij në Ukrainë. Ai vdiq në tokën amerikane tetë vjet pasi një gjykatës i emigracionit urdhëroi që të deportohej./Washington Post/ 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë