Njerez

I vrau nëna fëmijët apo dikush tjetër? Ekspertët: Krimi nuk justifikohet, familja shqiptare po degradon

Nga Gazeta Si- Teksa në media vijojnë të publikohen detaje nga ngjarja e rëndë e Shkodrës, ku u gjendën të mbytur në lumin e Bunës 3 fëmijë dhe nëna e tyre, ekspertët shprehen njëzëri se kemi të bëjmë me një krim, pavarësisht kush është autori.

Për psikologen Eksena Qirici, tragjedia e Shkodrës ngre shumë pikëpyetje, një prej më kryesoreve është pyetja nëse mundet që vetëm fjala “divorc” të nxisë vrasjen e fëmijëve?

Në një prononcim për Gazetasi.al, ajo thotë se shoqëria jonë po njihet me disa specifika të shëndetit mendor, të cilat nuk pranohen nga logjika e shoqërisë.

Eksena Qirici, psikologe. Gazeta Si, maj, 2024.

"Duke marrë në konsideratë këtë zhvillim social, është e rëndësishme që analizat e mendjes së njeriut të bëhen sa më shumë nga profesionistët e shëndetit të mendjes, në mënyrë që shoqëria të kuptojë sa më shumë, të mbështesë sa më shumë dhe të fajësojë sa më pak", thotë Qirici.

Psikologia Qirici thotë se së fundi, shoqëria jonë po përballet me dy aspekte thelbësore të martesës dhe familjes, divorci dhe mëmësia.

"Nga specifikat e rasteve shihet me shumë rëndësi të analizohet fakti sesi formohet shëndeti mendor i gruas që bëhet nënë. Kushtet e padrejta sociale dhe psikologjike me të cilat shoqëria jonë është mësuar ti pranojë si normale, kanë nxitur që disa njerëz, por specifikisht gruaja-nënë, të veprojë dhe të drejtohet nën influencën e emocioneve ekstreme negative si inati, zemërimi, tërbimi, urrejtja dhe hakmarrja. Theksojmë se akumulimi vetëm i këtyre emocioneve për një kohë të gjatë, në jetën e një gruaje-nënë e nxit tepër dëmtimin e shëndetit të mendjes. Një nënë pa patur një shëndet të mirë mendor e ka të vështirë të hyj në rolin e “nënës së mirë”, nënvizon ajo.

Por sociologu Gëzim Tushi, i kontaktuar nga Gazetasi.al, thotë se marrja e jetës së fëmijëve është krim dhe në rastin e Shkodrës kemi të bëjmë me krim të dyfishtë.

"Motivet mund të jenë të ndryshme, por viktimat nuk gjykohen, duke marrë parasysh efektet që sjell në shoqëri. E para, është akt i papranueshëm, rrugë e gabuar e zgjidhjes së konfliktit dhe s'mund të justifikohet veprimi i nënës, vetëvrasja dhe vrasja e fëmijëve", thotë sociologu Tushi.

Gëzim Tushi, sociolog. Gazeta Si, maj 2024.

Po cilat janë arsyet që supozohet se mund ta kenë shtyrë gruan të marrë këtë vendim?

Sociologu Gëzim Tushi në analizën e tij thotë se dy arsye mund ta kenë shtyrë viktimën të shkojë drejt vetëflijimit.

"Faktori i brendshëm lidhet me personalitetin, gjendjen emocionale të saj, mos harrojmë se ajo vjen nga një familje konservatore, me mendësi të ngushtë dhe mungesën e besnikërisë apo konfliktet brenda familjes s'ka mundur dot ti administrojë, as veten dhe as problemet”, thotë Tushi.

Së dyti janë faktorët socialë, thotë Tushi, indiferenca e të dyja familjeve biologjike të dy palëve, të cilët e kanë parë situatën dhe s'kanë ndërhyrë në zgjidhjen e konfliktit  dhe problemet e tjera sociale.

Sociologu e quan nënën në këtë rast tragjik, si egoiste për dy arsye. Sipas Tushit, së pari ajo ka tentuar ti japë fund jetës për të mbyllur hallet e problemet në lidhjen bashkëshortore ku ka mbizotëruar dhuna e tradhtia.

Dhe e dyta, përveç kësaj, konfliktet brenda martesës kanë qenë të mëdha por gjithsesi nuk janë të mjaftueshme për të gjykuar vetëvrasjen.

Sociologu Tushi thotë se ndaj rastit të Shkodrës nuk duhet gjykuar me sentimentalizëm, viktimat nuk gjykohen edhe pse akti i saj është i dënueshëm.

Por nga ana tjetër, sociologu thekson se veprimi i Alma Arrazit duhet të dënohet moralisht nga shoqëria, sepse mund të jetë shembull i keq për gratë e lënduara nga dhuna e tradhtia bashkëshortore.

Ekspertët thonë se kriminaliteti që vjen nga shëndeti mendor dhe presioni social duhet të parandalohet duke ndërgjegjësuar shoqërinë.

"Duhet të forcojmë ndikimet komunitare për t'i ndërgjegjësuar gratë në shoqërinë shqiptare", thotë sociologu Tushi.

Ndërsa psikologia Eksena Qirici thotë se divorci sot është një nga format më të përdorura nga familjet shqiptare, për të shpëtuar nga marrëdhënia në çift dhe familjare, mëse e dëmtuar për një kohë të gjatë.

"Por, nëse ai shoqërohet me tradhti ose braktisje, emocionet negative amplifikohen dhe shëndeti mendor krijon terren për të mos e përdorur më logjikën dhe për të vepruar vetëm në bazë të asaj që dikton urrejtja ndaj padrejtësisë emocionale që ka krijuar partneriteti.

 "Një grua-nënë lufton shumë me konceptin e të qënit “një nënë e mirë”. Kjo përpjekje sigurisht nuk është e drejtë për atë çka kërkon një fëmijë, vëmendjen dhe dashurinë e dy prindërve dhe jo vetëm luftën e nënës së mirë”, thotë Qirici, duke shtuar se sigurisht që kjo padrejtësi psikologjike ndaj gruas-nënës, i nxit mendjes së saj të mbifajësojë veten dhe të mos ekzistojë më.

“Që një grua-nënë të mbijetojë në një nxitje të tillë, atë për të cilën e gjithë shoqëria e kërkon me ngulm, duhet që si para mëmësisë por sidomos edhe gjatë këtij procesi ajo të jetë trajtuar në mënyrë të balancuar “drejtë” nga kushtet sociologjike, gjë që shoqëria me një mendje të ekuilibruar e ka dhe e ka patur", thotë psikologia Qirici.

Sipas saj, sa më shumë nëna beson se ajo ka dështuar në pritshmërinë e “mëmësisë së mirë”, aq më shumë shëndeti i saj mendor e humbet kontrollin për ta zgjidhur padrejtësinë emocionale që krijon “divorci”, pa eliminimin e vetvetes por në disa raste edhe të fëmijëve të saj.

 "Ky veprim në të menduarin e një gruaje-nënë është shpëtim nga dështimi, si në raport me veten ashtu në raport edhe me fëmijët të cilët janë pjesë e mendjes së pafat të një “nëne jo të mirë”.

Ky dështim i perceptuar i nënës sigurisht është i ndikuar nga padrejtësitë kulturore dhe ekonomike që i është bërë në shoqëritë e varfra si kjo e jona. Sigurisht që të formohet shëndetshëm mendësia e gruas-nënë e sidomos “nëna e mirë” duhen plotësuar disa kushte sociale e psikologjike për të cilat një grua e vetme nuk i arrin dot vetëm nga fakti se bëhet grua dhe nënë”, shpjegon Qirici, duke shtuar se nuk varet shëndeti i mendjes së një gruaje thjeshtë nga dëshira për të qenë një “nënë e mirë”. 

“Si specialiste e shëndetit të mendjes do të theksoja se analizat psikologjike i shërbejnë komunitetit të reflektojë sa më shumë mbi efektin që jep fajësimi i një nëne që e bëri aktin final dhe një nëne që është duke u përpjekur ende në kushtet psikologjike të “fajit” të gruas si nënë jo e mirë", përfundon psikologia Qirici.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë