Para

Obligacionet me ofertë private do të tregtohen në Bursë

Obligacionet me ofertë private tashmë do të mund të tregtohen në bursë. Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi të hënën rregulloren e re të Bursës ALSE, që për herë të parë i hap rrugën tregtimit në bursë të këtyre instrumenteve.

Vlerwsohet se tregtimi i obligacioneve me ofertë private në bursë pritet të sjellë perspektiva të reja për tregun, sepse do t’iu mundësojë edhe Fondeve të Investimit blerjen e këtyre instrumenteve.

Fondet e Investimit prej vitesh kanë shfaqur interes për të investuar në obligacione të emtuesve privatë, me qëllim diversifikimin e protofolit dhe përmirësimin e kthimeve për anëtarët. Por, rregulloret e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk lejojnë investimin në instrumente për të cilat nuk mund të përcaktohej periodikisht një çmim tregu.

Tregtimi i obligacioneve në Bursë e zgjidh parimisht problemin dhe Fondet mund të fillonë të investojnë në këto instrumente. Për momentin, Bursa ALSE mund të ofrojë tregtim dytësor vetëm për titujt në lekë, sepse për ato të denominuara në euro nuk ekziston mundësia e shlyerjes, në mungesë të sistemeve kombëtare të klerimit në monedhë të huaj.

Mbështetur në të dhënat e AMF-së, në fund të vitit 2019 vlera e obligacioneve me ofertë private të emetuara në Shqipëri arriti në 7.5 miliardë lekë. Rreth 53% e tyre janë të emetuara në lekë, çka i bën instrumente potenciale për t’u tregtuar në Bursën ALSE. Në gjysmën e parë të këtij viti, Bordi i AMF ka miratuar edhe prospekte të reja emetimi, për një vlerë totale prej rreth 1.5 miliardë lekësh.

Deri tani, promotorët e emetimit të obligacioneve me ofertë private në Shqipëri kanë qenë kryesisht bankat dhe institucionet financiare. Disa prej tyre i kanë përdorur këto instrumente kryesisht për nevoja të kapitalizimit, pasi ato njihen, në një masë të caktuar, si kapital rregullator i nivelit të dytë. Por, në disa raste obigacionet janë përdorur si një metodë alternative e huamarrjes. Për bankat, obligacionet ofrojnë avantazhin që ato nuk mund të shlyhen para maturimit, duke siguruar një burim të qëndrueshëm likuiditeti.

Mundësimi i tregtimit të obligacioneve me ofertë private në një treg të rregulluar i bën potencialisht më likuide këto instrumente, përveçse krijon hapësira për zgjerimin e këtij tregu edhe tek investitorët institucionalë. Në Shqipëri janë aktualisht të licencuar gjashtë fonde investimit, nga të cilët katër në lekë dhe dy në valutë të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë