Vende dhe Udhetime

Nuk preket nga kriza/ Jeta në fshatin amerikan ku jetohet pa energji elektrike

Në një kohë ku e gjithë bota është futur në një krizë energjetike, për shkak të çmimeve të larta, një fshat i lashtë në Amerikën Qendrore, është më pak i prekuri nga ky shqetësim.

Një udhëtim me aeroplan me 10 pasagjerë nga Belize City ju çon mbi xhungla të gjelbëruara, maja të thepisura malesh përgjatë detit të gjallë të Karaibeve, përpara se të zbrisni në një aeroport në mes pemëve.

Ky është aeroporti i Punta Gorda, qyteti më jugor në Belize, me 5000 banorë.

Është i largët, por është një metropol i gjallë në krahasim me Santa Cruz, një vendbanim Maya që shtrihet një udhëtim 50-minutësh në brendësi të vendit. Lagështia të mirëpret si një përqafim i ngrohtë dhe jeta e egër e gjallë e xhunglës ofron një kolonë zanore të këndshme të këngëve të shpendëve, ulërimave të majmunëve dhe zhurmave të herëpashershme.

Është i zhytur në sigurinë e xhunglës, ku jetojnë Mopan Maya. 

Me origjinë nga Belize dhe Guatemala, Mopanët janë një nga 28 grupet nënetnike të popullit Maya.

Rreth 10.000 njerëz në Belize identifikohen si Mopan, duke përbërë më pak se 3% të popullsisë së vendit. Pra, kultura mbrohet nga afër nga njerëzit e saj.

Belize ishte shtëpia e disa prej vendbanimeve më të hershme Maya, dhe Maya sot përbëjnë rreth 11% të popullsisë së vendit.

Santa Cruz arrihet përmes një rruge të ashpër dhe të paasfaltuar që gjarpëron nëpër male. Këtu, komunitetet e lidhura ngushtë që jetojnë në banesa me çati kashte rritin misër, patate dhe kakao.

Është një mënyrë jetese që ka mbetur pothuajse e pandryshuar për shekuj, pjesërisht nga zgjedhja dhe pjesërisht nga rrethanat. Vetë ekzistenca e tyre sillet rreth një komunikimi të përditshëm me natyrën, rutinat e tyre të diktuara nga stinët.

Në këtë fshat, banorët e paktë në numër jetojnë ende në banesa me çati kashte. Ky komunitet jeton në harmoni të plotë me natyrën, duke qëndruar larg çdo zhvillimi teknologjik.

Santa Cruz është një komunitet Mopan Maya në Belizen jugore.

“Ne jetojmë me tokën, diellin, shiun,” – thotë Jose Mes, një nga drejtuesit e komunitetit të Santa Cruz. Ai shpjegon se ka qenë dëshirë e vetë banorëve për të jetuar si të parët e tyre, por është ndikuar edhe nga kushtet e vështira. Fshati, shtrihet shumë larg rrjetit kombëtar të energjisë elektrike, duke e bërë të vështirë dhe të kushtueshëm elektrifikimin e kësaj zone. 

Jose Mes shpjegon se si bimët përdoren për vetitë e tyre medicinale.

“Jeta jonë në këtë fshat është e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Na është dashur të luftojmë fort për të mbrojtur tokën, shtëpitë tona dhe traditat tona të lashta, por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi bota po ndryshon me shpejtësi.”

Gratë në komunitet bëjnë ushqim që rritet në tokë, duke përfshirë tortillat e misrit, të cilat hahen pothuajse me çdo vakt.

Së fundmi, fshati po sheh një rritje të turizmit nga vizitorë të shumtë që vijnë për të parë gjurmët e fiseve Maja.

Brumi i misrit mbështillet në një gjethe të madhe për ta mbajtur të freskët.

Kjo padyshim po i jep vendasve më shumë të ardhura, mirëpo nga ana tjetër ata po përpiqen të jenë të kujdesshëm që turizmi të jetë i kontrolluar. Qeveria po tenton të zhvillojë infrastrukturën, të ndërtojë hotele, si dhe shumë shërbime të tjera për vizitorët.

Megjithatë, kjo nuk po i pëlqen aspak komunitetit vendas, madje ata janë të shqetësuar, pasi mendojnë se këto zhvillime mund të rrezikojnë trashëgiminë e tyre, të ruajtur me aq fanatizëm deri më sot.  

Burimi: CNN Travel/Përshtati Gazeta 'Si'


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë