Nga Gazeta ‘Si’- Sipas raportit të fundit “Travel Horizons 2026” nga lastminute.com, Shqipëria po konfirmon statusin e saj si një nga “yjet në rritje” të turizmit europian.
Gjatë vitit 2025, bregdeti shqiptar shënoi një rritje mbresëlënëse prej 53% në numrin e nisjeve krahasuar me vitin paraprak, duke u renditur në vendin e katërt mes destinacioneve me rritjen më të shpejtë në Europën Lindore.
Interesi në rritje është pjesë e një tendence më të gjerë ku udhëtarët po kërkojnë ekuilibër mes përvojave autentike, çmimeve të përballueshme dhe vendeve që nuk vuajnë nga mbipopullimi i pikun të sezonit.
Ky fluks drejt Shqipërisë po ndihmohet nga ndryshimi i sjelljes së turistëve europianë, të cilët po favorizojnë gjithnjë e më shumë “sezonet e ndërmjetme” (shoulder seasons) si shtatori, tetori dhe nëntori. Aktualisht, një në katër udhëtime në tregjet kryesore europiane kryhet gjatë këtyre periudhave, ku pushimet bregdetare zënë 55% të vëllimit total, pasi njerëzit dëshirojnë detin dhe diellin por në një atmosferë më të qetë dhe me kosto më të ulët. Kjo përshtatet mjaft mirë me ofertën e bregdetit shqiptar, i cili ofron alternativën e kërkuar ndaj destinacioneve tradicionale të mbingarkuara.
Një tjetër faktor që po nxit këtë rritje është qasja e re “Smart Spend”, ku udhëtarët zgjedhin të kombinojnë fluturimet me kosto të ulët me hotele të standardit të lartë prej 4+ yjesh. Të dhënat tregojnë se 72% e rezervimeve në hotele luksoze po bëhen në kombinim me linja ajrore ekonomike, duke treguar se turistët preferojnë të kursejnë te transporti për të investuar më shumë te komoditeti i akomodimit.

“Në vitin 2025, udhëtarët kanë preferuar gjithnjë e më shumë destinacione që ofrojnë balancë mes përvojës, çmimit të përballueshëm dhe më pak turmave, duke rritur popullaritetin e “destinacioneve në rritje të heshtur” dhe atyre me vlerë më të mirë për paratë. Megjithatë, në mars 2026, zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme ndikuan përkohësisht në ndryshimin e kërkesës, duke e zhvendosur atë drejt destinacioneve alternative”, thekson raporti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje