Drejtësia

Inceneratori i Tiranës, Apeli i GJKKO rikthen në burg ish-ministrin Lefter Koka

Gazeta Si – Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur të kthejë në qeli ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, të cilit i kanë mbetur dhe gjashtë muaj burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Sakaq, u vendos ndryshim i i vendimit ndaj të pandehurit J.Ll., nga i pafajshëm në fajtor për veprën penale “shpërdorimi i detyres” dhe dënimin e tij me tetë muaj heqje lirie. Gjithashtu, ndaj këtij shtetësi u vendos që për pesë vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Ndërkohë, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për shtetasit E.M., N.S., B.K., T.T., V.B., dhe S.K..

Iish-ministri Koka u lirua në dhjetor të vitit 2025, katër vite pas arrestimit të tij. Lefter Koka u prangos në dhjetor të 2021, për 3 vepra penale: shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

Fillimisht ai u vu në akuzë për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa në mars të vitit 2022 iu komunikua edhe akuza për inceneratorin e Fierit dhe më vonë për atë të Tiranës.

Për djegësin e Elbasanit, gjykata e Durrësit i dha të drejtë Kokës, duke e liruar me kusht pas dënimit të marrë prej 6 vjet e 8 muaj.

Sa i takon inceneratorit të Tiranës, ai u dënua me 2 vite burgim për shpërdorim detyre, dënim të cilin e kishte vuajtur në paraburgim.

Ndërsa për Fierin, ish-ministri i Mjedisit u dënua me 6.8 vite burg, por dosja u kthye për rigjykim në Apelin e Posaçëm, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Në dosjet e inceneratorëve, krahas ish-ministrit të Mjedisit janë akuzuar dhe dënuar edhe ish-deputeti Alqi Bllako, i liruar së fundmi, si dhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, që ndodhen në arrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë