Njerez

Një muaj më pas, të afërmit ende kërkojnë viktima të tërmetit në Turqi

Familjet presin përgjigjet zyrtare ndërsa kontrollojnë në rrënoja, spitale dhe morgje për gjurmët e të dashurve të tyre.

Ndërkohë që ka kaluar një muaj që prej tërmeteve në Turqi ku mbetën të vdekur më shumë se 54 mijë persona, ka akoma familjarë që vazhdojnë të kërkojnë në rrënoja, spitale dhe morgje për të dashurit e tyre.

Sakine Nur Gyl dhe i vëllai kanë një muaj që kërkojnë familjarët e tyre të zhdukur.

"Ne shkuam në spitale dhe nuk janë askund. Nuk kemi lënë spital pa parë”, thotë Gyl.

Në një varrezë në periferi të qytetit jugor të Antakya, ku një fushë me qindra shkopinj shënojnë varret e shumë kufomave të paidentifikuara, Gyl dhe i vëllai përsëri nuk kanë gjetur trupat e dy prindërve dhe të vëllait pas testit të ADN.

Si mijëra të tjerë, Nur dhe Ertugrul thonë se ata janë në një garë kundër kohës për të gjetur të afërmit e tyre të zhdukur, madje kanë kërkuar edhe ndihmën e të afërmeve të tyre për të kërkuar përsëri nëpër spitale, në të gjithë Turqinë.

Kërkimi ka konsumuar çdo moment të tyre pasi dy tërmete të fuqishëm shkatërruan shtëpinë e familjes së tyre në Antakya në fillim të shkurtit. Nur dhe Ertugrul nxituan nga shtëpia e Nur në Bregun e Egjeut në rrënojat e asaj që dikur ishte ndërtesa ku jetonte Ertugrul dhe familja e tyre. Të dy kaluan një javë në ndërtesën e tyre, duke djegur copa të dollapëve të kuzhinës për të qëndruar ngrohtë dhe duke shpresuar se punëtorët e shpëtimit përfundimisht do të nxirrnin babanë e tyre, Ismet, nënën e tyre, Canan dhe vëllain e tyre të vogël, Efe, nga rrënoja.

Mehmet Guleç thotë se ai i kalon netët e tij duke lëvizur nëpër rrugët e qytetit, i përhumbur në kërkim të të vëllait, Mustafa, 24 vjeçar që do bëhej arkitekt.

Tërmetet shkatërruan shtëpinë e tij dhe akoma nuk dihet asgjë për fatin e të vëllait. Ai tani ndjehet si përgjegjës për të gjetur të paktën trupin e tij ndërkohë që familja vijon të kërkojë nëpër spitale dhe morgje.

“Ka shumë familje në këtë situatë, shumë njerëz si unë”, thotë Mehmet.

“Disa nga njerëzit që erdhën për të shpëtuar të afërmit e tyre thanë: Ne dëgjuam zërin e Mustafës, e nxorëm jashtë dhe e dërguam atë në një spital në Adana”.

Babai i tyre filloi të kërkonte në spitale në Adana duke ndaluar në çdo institucion mjekësor përgjatë rrugës për të gjetur të birin por asgjë.

Ndërsa prindërit e tij vazhdojnë kërkimin e tyre, Mehmet pret me familjet e tjera para ndërtesës së vëllait të tij, ku u lutet zyrtarëve të lëvizin rrënojat e shtëpisë.

Ai gjithashtu shprehet edhe i zhgënjyer nga qeveria pasi tregon se është detyruar të paguajë persona për të lëvizur rrënojat e shtëpisë, çdo herë pa rezultat.

Lutja e Mehmet për të lëvizur përsëri e përsëri rrënojat është bërë objektivi i tij kryesor, mënyra e vetme që ai mendon se mund të ndihmojë vëllain e tij të zhdukur.

“Unë po qëndroj këtu për t'i parë ata të pastrojnë përsëri rrënojat në mënyrë që të mund të jem plotësisht i sigurt se ai nuk është atje”, tha ai.

“Unë jam 99% i sigurt se ai nuk është aty, por dua të jem 100% i sigurt”.

Kërkimi për babanë, nënën dhe vëllain e tyre zë ditët e Nur dhe Ertugrul, ndërsa kthehen në mënyrë periodike në spitale përtej Jug-Lindjes. Ata janë kthyer kaq shpesh në Spitalin e Qytetit Adana, një nga më të mëdhenjtë në zonë, që një muaj pas tërmeteve, sa tashmë janë miqësuar me infermierët dhe mjekët.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë