Ngjarje

“Një kredit, sa 1 kg mish”. Studentët kundër ‘thesit’ me tarifa

student protest tubim levizja per uneversitetin

Mentor Kasa  - Shkëndija e dhënë ditën e martë, kur një grup studentësh të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe të Arkitekturës e Urbanistikës bojkotuan mësimin si shenjë proteste kundër tarifës së shkollimit dhe tarifave për kreditet e lëndëve të mbartura, të mërkurën u shndërrua në një protestë masive.

I njëjti grup studentësh e nisi ditën e mërkurë po në protestë. Të organizuar përmes rrjeteve sociale, një grup i tyre marshoi nga ish-Stacioni i Trenit në drejtim të Zogut të Zi dhe një tjetër nga “Vasil Shanto” me destinacion po Zogun e Zi.

Me t’u bashkuar në këtë pikë takimi, si një grup i vetëm studentët protestues morën “Rrugën e Durrësit” në drejtim të Ministrisë së Arsimit me pankarta dhe thirrje kundër tarifave të vendosura. Para Ministrisë i lëshuan ultimatum ministres Nikolla se e vetmja zgjidhje ishte tërheqja nga vendimi për tarifat.

“Anulo vendimin! Ne nuk tërhiqemi!”, ishin thirrjet kryesore të studentëve.

Në momentet e para të protestës për t’u përballur me studentët doli një përfaqësi e Ministrisë së Arsimit, që kërkoi të negociohej. Kërkesa e tyre u refuzua. Studentët u shfaqën të vendosur për të mos negociuar asgjë, por vetëm plotësimin e kërkesës së tyre për uljen e tarifave.

Përfaqësia e Ministrisë u rikthye në godinë, ndërsa jashtë protesta vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe parulla ironizuese kundër qeverisë nuk mungonin. “Tarifa – 60 X kredite? Uat dhë Fak”, ishte njëra prej pankartave që ironizonte shprehjen e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, para disa ditësh.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/293905761234660/?jazoest=265100121811181035754731038971755367120691191155383778390804955907470877152456711010869481219848104106896558651001207881991026797115849788541038789791131071055170561011188711748958676115102100103116108777498711031065481

Atëherë kur mendohej se protesta po zbehej, mes studentëve të grumbulluar para Ministrisë së Arsimit u përhap lajmi se tubimit po i bashkohej një grup studentësh të Korpusit. Grupi i dytë nuk vonoi shumë dhe numri i protestuesve u dyfishua.

Edhe pse më të shumtë në numër, sërish studentët protestues ndjenë mungesat e disa fakulteteve. “Nga këto tarifa prekemi njësoj. Prandaj duhet të protestojmë të gjithë bashkë. Të bashkuar studentët kanë për të fituar”, thanë ata.

Çfarë kërkojnë studentët?

Studentët ndjehen të mashtruar nga Qeveria. Ata akuzojnë se përmes një vendimi tinëzar dhe në mungesë transparence janë rritur tarifat e shkollimit dhe ato për kreditet e lëndëve të mbartura. “Na kushton një kredit sa një kilogram mish”, tha për Gazetën “Si” një prej studentëve protestues.

Tarifat e studimit janë miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës në korrik të këtij viti sipas propozimeve të departamenteve përkatëse. Tabelat me pagesat për tarifën e shkollimit dhe tarifat për kreditet e mbartura u publikuan në atë kohë sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit që përcaktonte tarifat tavan.

Shumica e departamenteve u qëndruan besnikë tarifave të viteve të kaluara duke përjashtuar vetëm dy prej tyre, atë të Shkencave Sociale dhe Institutin e Studimeve Europiane, që rritën tarifën për “Master”-in. Tarifat në Universitetin e Tiranës variojnë nga 25 mijë lekë deri në 40 mijë lekë për ciklin e parë, “Bachelor”. Drejtësia dhe Shkencat Sociale janë degët që kanë tarifën më të lartë në këtë universitet, me 40 mijë lekë, ndërsa tarifat më të ulëta janë te Historia, Gjuhët e Huaja dhe Shkencat e Natyrës me nga 25 mijë lekë.    

Por, “hileja” sipas studentëve që protestojnë është bërë tek tarifat për kreditet, që në disa fakultete shkojnë deri në 670 lek të reja për kredit. Lëndë të ndryshme kanë kredite të ndryshme, në varësi të programit. Lëndët që konsiderohen dytësore, zakonisht vlerësohen me tre kredite. Por, ka lëndë që shkojnë edhe në 8 kredite. Me një llogari të thjeshtë, nëse një student nuk kalon në herën e parë provimin e një lënde me 8 kredite, kur të hyjë në provim për herë të dytë duhet të paguajë rreth 5500 lekë të reja dhe nuk përfundon këtu.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/1018621994977576/

“Nëse nuk e merr as herën e dytë, herën e tretë kjo pagesë dyfishohet dhe shkon mbi 100 mijë lek. Jemi ankuar tek fakulteti, por na thonë që tarifat janë vendosur në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe një vendimit të Këshillit të Ministrave”, na thotë Ajdi, student në Inxhinierinë e Ndërtimit.

Nisur nga revolta kundër tarifave për kreditet, studentët kërkojnë tani edhe përgjysmimin e tarifës së shkollimit. Në fakt, sipas ligjit për arsimin e lartë, që në momentin kur një i ri lë bankat e shkollës së mesme dhe është kandidat për student, e deri në momentin kur ai mbyll studimet, duhet të paguajë plot pesë tarifa.

Tarifa e parë quhet “tarifë aplikimi” dhe në varësi të universiteteve dhe të fakulteteve ajo varion në shumë të ndryshme. Sipas ligjit, kjo tarifë paguhet nga studenti në momentin që aplikon për të studiuar në një degë të caktuar.

Tarifa e dytë është tarifa e konkurrimit. Këtu studenti duhet të paguajë për të marrë pjesë në konkurrimin pranë universitetit në rastet kur universiteti në fjalë parashikon zhvillimin e konkursit.   

Foto: LSA

Me t’u shpallur fitues, tarifa e radhës është ajo e regjistrimit. Përgjithësisht kjo tarifë ka qenë e unifikuar në degët e Universitetit të Tiranës dhe paguhet në momentin që i riu i shpallur fitues regjistrohet për të ndjekur studimet në degën e fituar.

Pas tarifës së regjistrimit mbërrin tarifa e shkollimit. Kjo është pagesa që studenti kryen për ndjekjen e studimeve përgjatë një viti akademik. Pra, kjo tarifë paguhet çdo vit. Në fund është tarifa e studimit, që është një shumatore mes tarifës së regjistrimit dhe tarifës së shkollimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë