Njerez

Ngjyrat e varfërisë dhe tangërllëku i shqiptarëve

“Shqipëria veçanërisht dy vitet e fundit është varfëruar shumë, por shqiptarët kanë shumë tangërllik dhe abuzojnë me lekun”... Ky është konkluzioni i disa prej shitseve të marketeve në kryeqytet ku gazeta “Si” është përpjekur të bëjë një mini sondazh nëse vijon ende blerja e ushqimeve me lista.

I gjeta në mes të bisedës; shitësen dhe klienten në një mini market lagjeje.

“Jam shumë hollë, po kërkoj një punë të dytë. Mezi po paguaj qiranë. Çdo gjë është shtrenjtuar dhe kam nisur të blej më pak”- ishte fjalia e fundit që shkëmbyen të dyja të njohurat, mandje klientja u shkëput e turpëruar pasi nuk do të preferonte t’i dëgjonte një i tretë.

Pasi bleva pako gjëra, e pyeta zonjën e dyqanit me emrin Feride nëse ndër klientët e saj kishte persona apo familje të pamundura dhe nëse ajo u jepte me listë.

Më tregoi një fletore të re të vitit që sapo ka hyrë. Faqet e mbushura me numra dhe shkronja, viza, kryqe dhe rishkrime kishin kaluar gjysmën e fletores.

“Ka plot. Për disa më vjen keq, për disa jo.”- thotë Ferideja.

Në rreshtin e parë të faqes që hapi dikush shënonte 2,9000 lekë të reja psonisje veresie (borxh). Dhe lista vijonte sipas rastit me 2000, 5000, etj. Po veresie.

“Ky personi këtu, që për arsye etike nuk po të lë të shikosh emrin dhe ta fotografosh ka 29000 lekë hua. Nuk është keq ekonomikisht për sa e shoh, por abuzon me lekët. Për Ramazan erdhi dikush që do të bënte bamirësi dhe më tha fshi nga lista personin që ka më shumë borxh tek ti pa e marr vesh se kush po e ndihmon. Ai dha 300 euro. Unë ia dhashë në dorë borxhliut. E shleu detyrimin dhe pas një ore erdhi përsëri dhe bleu veresie. Ky person iu blen fëmijëve xhupa 200 euro dhe lodra të shtrenjta. Nuk dinë të bëjnë ekonomi”- shpjegon Ferideja.

Fotografi ilustruese: Një shitëse duke vendosur produktet ushqimore në raftet e supermarketit

Ajo tregon për Gazetën “Si” se fletoret e saj kanë qenë përherë plot me njerëz që ushqehen me lista, por varfëria është theksuar dy vitet e fundit.

“Unë vë re që varfëria është shtuar këto dy vite. Djali im është i dashuruar dhe nuk mund të dalë në shtëpi më vete. Unë kam mbi 10 vite që punoj këtë market me tim shoq, por nuk mund të mbajmë dy shtëpi. Djali me rrogën që ka që është i sapopunësuar se pak ka që është diplomuar, nuk mund ta përballojë dot jetën.”- tregon Ferideja.

Fenomenin e konfirmon edhe Bajamja që ka një market ushqimor në një tjetër lagjje ku shet edhe fruta-perime.

“Ajo që vërej, përpos pensionistëve të vetëm, apo familjeve me shumë fëmijë, janë të rinjtë që janë shumë në vështirësi. Veçanërisht ata që jetojnë vetëm dhe nuk u del rroga deri në fund të muajit. Vijnë e blejnë me droje dhe skuqen kur kërkojnë që t’i sjellin lekët në fund të muajit”- tregon Bajamja.

Por ka nga ata pronarë marketesh që nuk bien pre e ndjeshmërisë dhe empatisë.

Valbona ka një supermarket në një lagjje shumë të banuar të kryeqytetit. Ajo e zotëron biznesin sëbashku me të vëllanë.

Sapo përballesh me të sheh një grua shumë serioze , të shkathët dhe të prerë. Shumë punëtore.

“E para unë nuk mundem të jap me listë sepse jam në rregull me shtetin. Çdo produkt e kaloj në kompjuter. Nuk kam nge të vendos lekët nga xhepi. Njerëzit tallen me lekët. Do jap unë akullore, luleshtrydhe, bojë flokësh dhe lodra për fëmijë veresie? Apo ananas, mango dhe avokado?”- ma pret shkurt Valbona duke iu drejtuar e sertë edhe klientes së radhës e cila vonoi në përgjigje nëse donte qese apo jo për produktet që kishte blerë.

Fenomeni i blerjes veresie vihet re më shumë në minimarketet e lagjeve, të cilët ende nuk janë përshtatur plotësisht me fiskalizimin, por janë edhe më empatikë sepse njihen më shumë me fqinjët.

Kurse te dyqanet e fruta-perimeve fenomeni minimizohet për shkak të vetë natyrës së dyqanit.

“Ka njerëz të pamundur dhe unë i ndihmoj. Por ata marrin gjërat bazike; patate dhe qepë. Nuk mund të jap unë me listë vezën e fshatarit 35 lekë kokrra, avokadon, ftoin, mangon, boronicat. Njerëzit që nuk kanë mundësi këto nuk i kërkojnë, janë të prirur të blejnë bukën, dmth të mbushin barkun. Ata që kërkojnë produktet e luksit, sigurisht që nuk ua jap me listë. Pastaj ka kategori të atilla që abuzojnë. Blen dhe në fund thotë t’i sjell pastaj se nuk paskam me vete. Por mund të shpenzojnë edhe 5000 lekë të reja. Nuk i sjellin edhe për 2 muaj. Ndërkohë që shkojnë blejnë me lekë diku tjetër. Bëjnë hile dhe abuzojnë.” – shpjegon Berti I cili ka një dyqan fruta-perime.

Nga vëzhgimi që gazeta “Si” bëri nëpër kryeqytet, dyqanet ushqimore të lagjeve të gjithë e kishin nga një fletore me emra dhe shifra të ndryshme që i korrespondonin blerjes së ushqimeve borxh.

Shqipëria e fundit në Europë për të ardhurat për frymë

Shqipëria ende e fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021.

Vendi renditet I fundit në Europë edhe për fuqinë më të ulët blerëse, duke patur rekordin më të lartë negativ të mirëqenies së banorëve të saj.

Jo vetëm  e krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por edhe me shtetet e tjera të rajonit.

Sipas të dhënave të të Eurostat, në vitin 2021 Shqipëria kishte Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, të shprehur mbi bazën e fuqisë blerëse, sa 32% e mesatares së Bashkimit Europian.

Pavarësisht se ka një përmirësim të lehtë me 1 pikë përqindje në raport me vitin e mëparshëm, shtetet e tjera të rajonit kanë ecur më shpejt përsa I përket zhvillimit dhe rritjes.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka projektuar se rritja ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2023 do të jetë 2,3%, më e ulta e rajonit.

FMN e argumenton parashikimin me rritjen e çmimeve që do të godasin më fort Shqipërinë se vendet e tjera të rajonit.

Sipas FMN-së, ngadalësimi i ekonomisë vë në pozitë të vështirë mbi të gjithë, shtresat e varfëra. Indikatori i Bankës Botërore për popullsinë në rrezik varfërie tregon se Shqipëria është më e rrezikuara.

“Tensionet sociale mund të rishfaqen në sipërfaqe, për shkak të shtrenjtimit të ushqimeve dhe çmimeve të energjisë. Reagimi me politika të papërshtatshme mund të shkaktojë vështirësi të vazhdueshme ekonomike dhe të përkeqësojë pabarazitë socioekonomike ekzistuese.”-citon FMN në raportin e fundvitit që sapo kemi lënë pas.

Prandaj, thotë FMN, qeveria duhet të bëjë një rishpërndarje të fondeve për t’i dhënë më shumë prioritet dhe mbështetje të përkohshme grupeve të rrezikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë