Menaxhim

Nëse do të matej si shtet, sulmet kibernetike do të ishin shteti i tretë më i madh në botë

Kostot e sulmeve kibernetike arrijnë vlera të mëdha sepse ato nuk vlerësohen siç duhet nga qeveria që nuk mbledh informacione dhe nga raportimet e ulëta të tyre. “Qeveritë mund të tregojnë sa makina janë vjedhur, por jo sa krime kryhen online”

Nga Gazeta 'SI' - Sulmet kibernetike botërore, për vitin 2021, patën një kosto prej 6 trilionë dollarësh, 500 mln në muaj, 200 mijë në sekondë, por shpenzimet për mbrojtjen ndaj tyre nuk i kalojnë 200 mld dollarët.

Nëse do të matej si shtet, sulmet kibernetike do të ishin shteti i tretë më i madh në botë.

Sulme kibernetike quhen ato të pranuara si humbje e pronës intelektuale dhe informacioneve konfidenciale, krime financiare, vjedhje të informacioneve identifikuese, dëmtim i të dhënave të koduara dhe më e rëndësishmja, ajo e shkëputjes së shërbimeve serioze në rrjet. 

Europa, ku ndodh 1/3 e sulmeve kibernetike, ka humbur 0.9% të PBB-së dhe kjo lidhet dhe me mungesën e mbi 200 mijë profesionistëve të fushës në kontinent.

Sipas raportit të McAfee, kompani e kësaj fushe, kostot e sulmeve kibernetike arrijnë vlera të mëdha sepse ato nuk vlerësohen siç duhet nga qeveria që nuk mbledh informacione dhe nga raportimet e ulëta të tyre. “Qeveritë mund të tregojnë sa makina janë vjedhur, por jo sa krime kryhen online”, -thotë raporti. Një tjetër problem është edhe hezitimi i kompanive që bien pre e sulmeve, për të treguar se ishin viktima, duke mbrojtur reputacionin, por duke rritur koston.

Problemi më i madh është se kostoja e tyre vjen e përgjithshme, për shtetin, dhe jo vetëm për ata që janë sulmuar. P.sh nëse një vend ka 10 kompani dhe ka humbur 100 euro në vit nga krimi kibernetik, kosto mesatare për kompani është 10 euro. Por në të vërtetë, dy kompani humbin 50 euro dhe tetë të tjerat, shumë pak ose asgjë.

McAfee tregon se sulmet kundrejt qeverive janë më të shpeshtat se ato të sektorëve privatë, dhe atyre u duhet më shumë kohë për të rikuperuar, sepse të dhënat që humben janë më komplekse. Nxjerrja jashtë funksionit të faqeve të aksesueshme ka një kosto ditore prej më shumë se 500 mijë dollarë për sektorët ku ndodh sulmi. Problemi i qeverive është se në departamentet e tyre, nuk ka sa duhet specialistë të teknologjisë. Mungesa e tyre ose e aftësisë së tyre, në fakt është kosto më e madhe se sa ajo që shkaktojnë vetë sulmet.

Kompania e sigurisë, Ventures pret që kostot globale të krimit kibernetik të rriten me 15% për vit gjatë pesë viteve të ardhshme, duke arritur në 10.5 trilion dollarë në vit deri në vitin 2025. Kjo përfaqëson zhvendosjen më të madhe të pasurisë ekonomike në histori, rrezikon fondet për inovacion dhe investim, është në mënyrë eksponenciale më i madh se dëmi i shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore në një vit, dhe do të jetë më fitimprurës se tregtia globale e të gjitha drogave kryesore të paligjshme së bashku.

Vlerësimi i kostos së dëmit bazohet në shifrat historike të krimit kibernetik, duke përfshirë rritjen dramatike të aktiviteteve të hakerimit të bandave të krimit të organizuar dhe të sponsorizuar nga shtetet armiqësore që pritet të jenë më të mëdha në 2025-n. Qendra për strategji dhe studime ndërkombëtare, CSIS,  beson se vendet nga ku burojnë shumica e sulmeve kibernetike janë Irani, Rusia dhe Koreja e Veriut.

Kostot e krimit kibernetik përfshijnë dëmtimin dhe shkatërrimin e të dhënave, paratë e vjedhura, produktivitetin e humbur, vjedhjen e pronës intelektuale, vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare, përvetësimin, mashtrimin, ndërprerjen e rrjedhës normale të biznesit pas sulmit, hetimin mjeko-ligjor, restaurimin dhe fshirjen e të dhënave dhe sistemet, dhe dëmtimi i reputacionit.

Lufta në Ukrainë, ka rritur frikën dhe mbrojtjen e Europës për sulme kibernetike, pasi në tragetin e Rusisë, përfshihen të gjithë vendet që tentojnë të mbrojnë Ukrainën. 

Rusia kishte përdorur më parë sulme kibernetike kundër Ukrainës për të shkatërruar ose dëmtuar infrastrukturën dhe të dhënat. Ajo u përpoq ta bënte këtë përsëri në vitin 2022. Bazuar në informacionin publik, Rusia nisi një fushatë të gjerë kibernetike pak para pushtimit.

Shqipëria ishte vendi i radhës që ra pre e dy sulmeve kibernetike, të identifikuara më pas me origjinë nga Irani. Fillimisht, në korrik, faqet zyrtare të qeverisë dhe çdo shërbim publik online u bllokuan për 4 ditë me radhë dhe nuk mundën të aksesoheshin. Më pas, më 10 shtator, në pikat kufitare në vend u bllokua sistemi TIMS me një mesazh “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës. Dhe kjo lojë do të vazhdojë”, përsëri nga Irani. Gjithsesi, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për kostot e këtyre sulmeve, as në të dhëna dhe as në para.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë