Më të mirat 2022

Në Shqipëri nuk ia vlen të mbillet grurë

Nga Gazeta 'Si'-Selim Reçi, një fermer rreth të 60-ave nga Dibra, planifikon që në fillim të muajit tetor të mbjellë 4 dynymë grurë por nuk ka pritshmëri të larta për prodhimin.

Ai thotë se krahasuar me vitin e shkuar, rendimenti do të jetë më i ulët për shkak të përdorimit më të pakët të nitratit dhe uresë. Nuk i përballon dot çmimet e plehrave kimike për të cilat thotë se janë trefishuar.

Përqindjen më të madhe të sasisë të grurit të prodhuar do ta përfitojë miell ndërsa një pjesë të vogël do ta lërë hime për bagëtitë.

Kostot e larta, fitimet e pakta, parcelizimi i tokave dhe mungesa e subvencioneve janë problematikat të cilat sipas ekspertëve e bëjnë të pavlefshme mbjelljen e grurit në Shqipëri ndonëse ajo ka nevojë për më shumë prodhim të tij.

Theodhor Kristuli, Kryetari i Unionit Tregtar Agro-Ushqimor thotë për Gazetasi.al se situata e grurit në Shqipëri momentalisht është me “sikur.”

“Sikur të kishte më shumë politika lehtësuese nga Ministria e Bujqësisë. Sikur të kishte më shumë subvencione. Sikur mekanizimi i bujqësisë të mos ishte kaq i vështirë.

Vetëm nëse do të plotësoheshin të gjithë këta, atëherë do të ia vlente të mbillej grurë në Shqipëri”, vijon mandej ai.

Theodhor Kristuli, Kryetari i Unionit Tregtar Agro-Ushqimor thotë se me politikat që kemi nuk ia vlen mbjellja e grurit

Kristuli shprehet se ndonëse është shumë e domosdoshme që Shipëria të krijojë bazën e saj të grurit që të mos jetë aq e varur nga importi, politikat nuk kanë qenë dhe aq mbështetëse për fermerët.

“Nuk mund të ketë shtet pa një rezervë shtetërore. Aktualisht Shqipëria prodhon vetëm 40% grurë. Do të ishte mirë që ky prodhim të rritej me të paktën 20%. Fermerët shqiptarë prodhojnë sasi gruri vetëm për të plotësuar nevojat e tyre, ndërsa fabrikat e blojës nuk furnizohen me grurin vendas”, shton ai duke theksuar që për aq kohë sa nuk ka subvencione, fermerët më shumë humbin se sa fitojnë.

Shtetet fqinje si Serbia dhe Maqedonia kanë nivele të larta prodhimi të grurit, thotë Kristuli për Gazetasi.al sepse ata dinë të subvencionojnë dhe të mbështesin fermerët.

Importet e drithrave në vite

Ndërsa shton se këtë vit të korrat do të jenë më të dobëta për shkak të çmimit të lartë të plehrave kimike dhe shtrenjtimit të çmimit të naftës, Kristuli i mëshon shumë pikërisht subvencionimit të tyre.

“Dhënia e 30 mijë lekëve për një HA grurë ishte një shkëndijë pozitive nga Ministria e Bujqësisë megjithatë ajo ku duhet të fokusohemi më shumë është subvencionimi i pesticideve.

Fermerët u detyuruan të ulin të mbjellat e tyre sepse me të drejtë nuk i përballonin dot. Vitin e kaluar çmimi i nitratit ishte 2.000 – 5.000 lekë/kv, ndërsa këtë vit arriti 10.000 lekë. Duke qenë se mbillen sipërfaqe të vogla nga fermerët, kostoja e mbjelljes së grurit shkon shumë e lartë. Rrjedhimisht për ta nuk ia vlen mbjellja e grurit”, përfundon Kristuli për Gazetasi.al.

Në një mendje me të është dhe Abdyl Sinani, ekspert i Teknologjisë Ushqimore.

"Fermerët fitojnë pak nga mbjellja e grurit", thotë Abdyl Sinani, ekspert i Teknologjisë Ushqimore

Për Gazetasi.al ai thotë se për aq kohë sa nuk ka politika nxitëse, fermerit nuk i vlen të mbjellë grurë.

“Fitimi për një ton grurë të prodhuar është vetëm 200 dollarë, gjë ka sjellë humbjen e interesit nga ana e fermerëve. Ata po orientohen gjithnjë e më shumë drejt kulturave të tjera që janë më fitimprurëse.

Nëse fermeri bën 4 ton grurë, ai do të fitojë 800 dollarë që është shumë pak duke llogaritur të gjitha kostot e larta që ka patur”, vijon Sinani.

Ai thotë se madhësia e fermave është jashtëzakonisht e vogël, me rreth 1-1.5 hektarë tokë bujqësore. Në kontekstin e situatës dhe në kuadrin e një krize të mundshme ushqimi që po troket, është e nevojshme sipas tij që Shqipëria të mendojë për të rritur kultivimin e drithërave për të plotësuar të paktën 50% të nevojave.

“Jemi të detyruar të importojmë 47% të grurit nga Serbia kur pjesën më të madhe mund ta prodhojmë vetë në Shqipëri.

Nëse do të zgjidheshin dhe problematika të tilla si mungesa e kanaleve vaditëse, parcelizimi i tokave apo mekanizimi i bujqësisë, atëherë situata do të ishte shumë ndryshe dhe ne nuk do ishim duke folur për një krizë gruri”, citon ai.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2021, sipërfaqja e kultivuar me grurë në vendin tonë është 54.514 hektarë, me një prodhim prej 225.171 tonë.

Nga 1 shtatori nisën aplikimet për fermerët shqiptarë që të përfitojnë 30 mijë lekë mbështetje financiare për çdo hektarë grurë të mbjellë në tokat e tyre.

Ndërsa Ervin Resuli, ekspert bujqësie, iu referua kësaj politike për Gazetasi.al si lëmosha e radhës për fermerët në kuadrin “nga pak se mësohen me shumë”.

Ervin Resuli, ekspert bujqesie shprehet se shumë shpejt do jemi të varur 100% nga mielli serb

Sipas tij, mbështetja që po jep Ministria e Bujqësisë është shumë e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Në Kosovë, thotë Resuli, kemi një skemë të plotë për grurin dhe jo vetëm. Ai që do të mbështesë nuk të jep lëmoshë për të kaluar radhën. Kosova mbështet:

1- 474 euro për Ha grurë të mbjellë.

2‐150 euro për Ha për plehrat ushqyese të grurit.

3- 0.36 cent për naftën pa limit”.

Njëjtë me ekspertët e tjerë dhe ai mendon që mungesa e mbështetjes e bën të pavlefshme mbjelljen e grurit në Shqipëri dhe shumë shpejt do jemi të varur 100% nga mielli serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë