Treg

Tre shkaqe që mund të dështojnë marrëveshjen për blerjen e grurit vendas

Nga Gazeta ‘SI’ - Kompanitë e miellit dhe ministria e Bujqësisë në vend kanë rënë dakord për të ndihmuar fermerët e grurit, duke i garantuar atyre blerjen e sasisë së prodhuar në një kohë me kosto të rritura dhe çmime të ulëta.

Në parim, dakordësia është pozitive dhe e mundshme, por faktorë të tjerë mund ta lënë pezull.

Adi Haxhiymeri, drejtues i Shoqatës Përpunuese të miellit, tregon për Gazetasi.al se zbatimi i këtij vendimi kërkon një efekt zinxhir me faktorë lokalë, rajonalë dhe botërorë, që nëse koordinohen në momentin e duhur do të sjellin zhvillime pozitive.

Fillimisht, Haxhiymeri tregon se duhet të provohet cilësia e këtij gruri.

“Ministria ka garantuar cilësi të mirë, që është kontrolluar dhe janë bërë analiza nga drejtoritë, sidomos për shpërndarjen e farës. Por nuk dijet çfarë kanë bërë fermerët. Nëse kanë bërë shërbimet  e duhura me pesticide etj që të kenë një produkt cilësor”.

Më tej kreu i shoqatës tregon për faktorët rajonalë, që do të ndikon në blerjet e grurit vendas, siç është incentiva shtetërore.

“Shteti shqiptar i ofron 30 lekë për kuintal fermerëve të grurit dhe është vlerë e mirë. Por nëse vendet e rajonit ofrojnë më shumë për fermerët e tyre, çmimi atje do të jetë më i ulët dhe konkurrojnë grurin shqiptar. Sigurisht ne do e mbështesim prodhimin vendas, por nuk mund të sakrifikojmë shumë”, shpjegoi Haxhiymeri.

Ai shton se gruri shqiptar do të bëhej konkurrues nëse fenomeni El Nino intensifikohet në vendet e huaja që prodhojnë grurë, me thatësira ose përmbytje dhe do të sillte një rritje të çmimit të drithit në të gjithë botën.

Lidhur me sasinë e grurit që prodhohet dhe konsumohet në vend, Haxhiymeri thotë se është në nivele të përafërta me luhatje të vogla.

Siç e quan ai, “tentativa për marrëveshje” është një tryezë diskutimi e bërë edhe më parë, ku kompanitë kanë blerë grurin vendas.

Vetë ministrja e Bujqësisë, tha në të njëjtin takim se kompanitë dhe prodhuesit e miellit ranë dakord që qëllimi primar të jetë shitja e prodhimit vendas.

Ajo shtoi se rreth 4 mijë fermerë me një sipërfaqe të konsiderueshme të prodhimit të grurit janë mbështetur me subvencionet.

Vitin e shkuar, lufta Rusi-Ukrainë, dy eksportuesit kryesorë të grurit në botë, sollën një rritje të shpejtë të çmimit të miellit dhe bukës në çdo vend, përfshirë Shqipërinë, por edhe një frikë për mungesën e tij. Çmimi i rritur i naftës për përpunim dhe transport ishte tjetër presion mbi çmimin e miellit. Këtyre frikërave iu shtua edhe ajo e dimrit 2022.  

Pikërisht gjatë këtij dimri që rezultoi me temperatura të larta, ndikoi në stabilizimin e çmimit të grurit dhe drithërave të tjera. Çmimet e grurit momentalisht janë duke u luhatur rreth 280 euro në 285 euro për ton, shumë poshtë nga niveli rekord prej 438 euro për ton i arritur në mes të majit 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë