Para

Rritja e pagës minimale, thikë me dy presa

Nga Megi Iskurti - Rritja e pagës minimale me dy mijë lekë në nivelin e 34 mijë lekëve, ka shtuar detyrimet për kontributet. Peshën më të madhe sipas ekonomistëve do e ndiejnë bizneset, që nuk duket ta kenë mirëpritur këtë vendim.

“Pagesa e kontributeve të detyrueshme shoqërore llogaritet 27.9%, ku 11.2% paguhen nga punonjësit dhe 16.7% nga punëmarrësit. Me rritjen e pagës minimale me 2 mijë lekë, detyrimi për punëdhënësit në muaj do të bëhet 5680 lekë duke u rritur me rreth 333 lekë ndërsa për punëmarrësit do të bëhet 3808 lekë, duke njohur një rritje prej 224 lekësh.

Ndërsa punonjësit me pagë maksimale do të paguajnë më shumë edhe tatimin mbi të ardhurat personale. Rritja e tatimit është 1147 lekë/muaj”, shpjegon për Gazetasi.al Artur Papajani, ekspert ekonomie.

"Përfitimi është i buxhetit, pagesa e biznesit", shprehet eksperti Artur Papajani

Në plan të përgjithshëm, konvencionalisht shtrirë në vit kalendarik, buxheti i shtetit do të arkëtoje të paktën 2.1 miliardë lekë ose 18 milionë euro. Një shumë jo e neglizhueshme kjo, sipas tij.

Megjithatë rritja e pagës minimale është thikë me dy presa pasi rrezikon shkurtimin e vendeve të punës.

“Përfitimi është totalisht i buxhetit, ndërkohë që pagesa është totalisht e biznesit. Plus që edhe ekonomikisht, rritja e pagës minimale nga qeveria, bile nga dy herë në vit është disproporcionale me ritmin e rritjes ekonomike.Ajo po shikohet si një burim shtesë i përthithjes së  të ardhurave buxhetore se sa pasqyrim i ndryshimeve ekonomike”, shton ai për Gazetasi.al.

Bizneset duken të frustruar

“Në ekonomitë e zhvilluara qeveria nuk ndërhyn në tregun e pagesave që të vendosë se sa do të rriten pagat, qofshin ato minimale dhe maksimale sepse tregu i rregullon vetë pagesat sipas produktivitetit të secilit të punësuar”, thotë për Gazetasi.al Albert Nasto, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël i cili shton se qëllimi i rritjes së kësaj page është vetëm mbledhja e sa më shumë parave nga biznesi.

Albert Nasto thotë se kjo rritje e pagës minimale do të rrisë automatikisht kostot e biznesit të vogël dhe sipërmarrjes në rrethe

 “Rritja e pagës minimale gjithmonë do të rrisë kostot e bizneseve që paguajnë të punësuarit me paga të ulëta, por sidomos te bizneset e vogla dhe atyre në periferi. Në qytete të varfa si Pukë, Kukës apo Gramsh ka punonjës që paguhen nën 30 mijë lekë dhe nëse paga minimale rritet, automatikisht rriten kostot për ta. Pra nuk mund të jetë një qasje e tërësishme, por duhet të ishte sipas rretheve.

Po ashtu rritja e pagës minimale, parashikohet të ulë punësimin. Nëse shteti i detyron ta paguajë rrogën minimale deri 34 mijë lekë, punëdhënësi do detyrohet të largojë të punësuarit. Pra, kjo masë për bizneset në periferi krijon rreth vicioz negativ”.

Rritja e shpenzimeve për të paguar punëmarrësit mund të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në mospunësimin e të rinjve apo punonjësve pa eksperiencë.

“Kuptohet në kapitalizëm biznesi nuk zvogëlon të parat fitimet, por do të përpiqet të përçojnë qoftë edhe pjesërisht këtë rritje tek rritja e mëtejshme e çmimeve. Nëse nuk mundet të rrisë çmimet do të shkurtojnë kostot duke filluar me më pak të kualifikuarit, pra shtresat më vulnerabël”, thotë për Gazetasi.al Edvin Prençe, përfaqësues i sektorit fason.

Paga minimale u rrit në dhjetor të vitit të shkuar nga 2600 lekë në nivelin e 3000 lekëve, më tej në korrik të këtij viti në nivelin e 3200 lekëve dhe së fundmi në shtator si pjesë e paketës së rezistencës në nivelin e 3400 lekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë